Universiteti Bujqësor i Tiranës zgjeron ofertën e tij të shërbimeve nëpërmjet ofrimit të dhënies së testimit për “Aptis General Test’’ të gjuhës angleze, në ndihmë të studenteve të nivelit të dytë dhe të tretë, por edhe për nevojat e komunitetit që e rrethon.

Universiteti Bujqësor i Tiranës hedh hapin e parë drejt konvertimit në një qendër të rëndësishme testimi për “Aptis General Test’’ të gjuhës angleze jo vetëm për qindra studente/ë të UBT-së dhe universiteteve të tjera të cilët dëshirojnë të vazhdojnë studime të nivelit të dytë dhe të tretë, por edhe për nevojat e komunitetit që e rrethon.

Një gjë e tillë është tashmë e mundur falë marrëveshjes së nënshkruar sot ndërmjet UBT-së dhe British Council/degës shqiptare në vendin tonë e cila u firmos nga përfaqësuesi ligjor i British Council, Angus Bjarnason dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku në shoqërinë e stafeve më të ngushtë të palëve nënshkruese.

Aptis jep rezultate të sakta dhe të besueshme për nivelin e anglishtes dhe është një aplikacion fleksibël e tepër i përdorshëm për të bërë vlerësimin e shpejtë të kandidatëve. Gjithashtu Aptis teston aftësitë gramatikore, në fjalor dhe ato të gjuhës (të folurit, shkrim, lexim dhe dëgjim). Çdo person që testohet duhet të kryejë një test në gramatikë dhe në fjalor dhe më pas në aftësitë e anglishtes sipas kërkesave/nevojave specifike.

Qindra studentë do të kenë mundësi të regjistrohen për të testuar aftësitë e tyre nëpërmjet Aptis, program i autorizuar tashmë të jetë funksional për Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe që sipas Prof. Sallakut mund të shërbejë si një qendër utilitare që mund të përdoret edhe nga aktorë të tjerë. Ndërkaq edhe përfaqësues të British Council e cilësuan këtë nismë si një mundësi lehtësuese për shumë studentë ndërsa shtuan se ky është një ndër shumë produkte/shërbime që British Council mund të ofrojë.

Aptis ka 70 vjet eksperiencë në testimin e gjuhës angleze nëpër botë dhe mund të vlerësojë nivelin e anglishtes në të gjitha 4 aftësitë gjuhësore- të folurit, të të shkruarit, të lexuarit dhe të të dëgjuarit e gjithashtu përmban testim në gramatikë dhe fjalor.

Rektori i UBT-së, Prof. Sallaku në emër edhe të institucionit që ai drejton, shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit me British Council dhe konkretizimin e mëtejshëm të ideve apo projekteve me përfitim dypalësh.

Ky hap i rëndësishëm që demostron edhe një herë përpjekjet dhe ambiciet profesionale të UBT-së në arritjen e standarteve më të larta në mësimdhënie dhe jo vetëm, pason një tjetër iniciativë të rëndësishme dhe mjaft efikase për studentët, atë të krijimit të qendrës për mësimin e gjuhës gjermane në këtë universitet.

Na Ndiqni në: