Universiteti Bujqësor i Tiranës përmes një takimi lancoi projektin “Startup10” dhe hapi thirrjen për pjesëmarrje

Projekti financohet nga Kooperazione Italiane dhe do të implementohet nga CIHEAM Bari, me synim nxitjen e sigurisë ushqimore dhe punësimin e të rinjve pjesë e 10 vendeve anëtare.
Takimi u hap nga Znj. Frida Krifca – Presidente e CIHEAM Bari, ku morën pjesë edhe shumë personalite të rëndësishme, përfaqësues të kompanive e bizneseve, studentë dhe stafi akademik i UBT. Znj. Krifca përmendi rolin që CIHEAM Bari ka luajtur në drejtim të kualifikimit të stafit akademik dhe ofrimit të bursave  për një sërë studentësh nga Universiteti Bujqësor i Tiranës për studime të thelluara në nivel Master Shkencor dhe Doktoraturë. Ajo shprehu mbështetjen që kjo organizatë do të japë për projekte të cilat synojnë  të inkurajojnë iniciativa nga studentë apo kompani biznesi.
UBT ka një sërë bashkëpunimesh në projekte shkencore si partner me CIHEAM Bari. Në fjalën e tij, Prof. Dr.  Fatbardh Sallaku, Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, vlerësoi  objektivat e projektit duke u ndalur në rolin që UBT në partneritet me Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë dhe Universitetin  Korçës do të kenë në këtë projekt. Ai vlerësoi gjithashtu krijimin e zyrës së transferimit të teknologjisë dhe rëndësinë e forcimit të rolit të saj në të ardhmen.
Në vijim pjesëmarrësit u njohën me përmbajtjen e projektit të prezantuar nga Z. Damiano Petruzzella dhe Znj. Annarita Antonelli si koordinatorë të projektit. Çdo kandidat i suksesshëm do të përfitojë nga një kurs mbështetës në formën e trajnimit dhe do të ketë mundësinë të prezantojnë projektin e tij para një jurie me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët do të përzgjedhin 1 fitues. Ky i fundit do të vlerësohet me një çmim prej 5.000,00 € që do të përdoret në formën e mjeteve mbështetëse, trajnimit, shërbimeve dhe pajisjeve sipas zgjedhjes së fituesve, së bashku me një program të hapur Inovacioni me një kompani italiane.
Takimi u mbyll me konkluzionet të dhëna nga Znj. Delina Ibrahimaj – Ministre e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, e cila theksoi punën që kjo Ministri zhvillon në drejtim të forcimit të kuadrit ligjor për startup dhe mbështetjen që ofrohet përmes “Grantit 2024” ndaj çdo inciative të re.
Gjatë takimit u fol edhe për rregullat e thirrjes për aplikim,  kushtet e pjesëmarrjes, regjistrimin, kriteret e përzgjedhjes dhe zhvillimin e “Startup 10”.

Na Ndiqni në: