Speci Qershizë i Korçës

Në zonën e Korçës njihet  dhe kultivohet për më se  200 vjet. Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar nga bahçevanët në kopshtet familjare, kryesisht qytete. Njihet edhe me emrin speci “Bukovkë”, sipas kultivuesve të vjetër, për arsye se bima dhe frutat e shumtë që ajo lidh formojnë një buqetë të vërtetë. Aktualisht mbillet në disa familje me tradita, në kopshte pranë shtëpisë ose në vazo.

Tipi i specit djegës qershizë është i njohur në disa vende evropiane e më gjerë. Forma e tij e veçantë dhe aroma intensive e bëjnë këtë tipspeci të njohur dhe vlerësuar në mbarë botën, kur bëhet fjalë për specat e mbushur. Në Itali, speci djegës i rrumbullakët shpesh mbushet me krem djathi. Speci i mbushur me kremin me ton është gjithashtu një delikatesë jashtëzakonisht i vlerësuar. Në qytetin e Korçës, por edhe në qytete dhe qendra të tjera rreth saj, preferojnë mbushjet me krem pikant në specat turshi.

Karakteristika të specit qershizë

Bimët rriten në formën e një kacubeje të vogël, me lartësi 55-60 cm. Kërcelli i bimës është tepër i degëzuar  dhe me ndërnyje të shkurtra. Gjethet janë të vogla, eliptike dhe me ngjyrë të gjelbër të errët. Prodhon 20 – 30 e më shumë fruta për bimë, të cilët, së bashku me masën gjethore, i japin asaj formën e një buqete të bukur. Frutat janë të vegjël, me diametër 2,5-3,0 cm, të rrumbullakët dhe me lëkurë të lëmuar, me bisht relativisht të gjatë, që i japin formën e një qershie madhe. Në pjekjen teknike ato kanë ngjyrë të gjelbër të errët,  kurse në atë biologjike të kuqe intensive. Tuli është i hollë (2.5-3 mm), i lëngshëm. Frutat janë të njohur për djegësinë e tyre të butë të shoqëruar me një shije pak të ëmbël.

Kultivimi i specit qershizë

Bimët e specit qershizë preferojnë ngrohtësinë; ata rriten dhe lulëzojnë në temperaturë që luhatet nga 15 deri 33° C. Nëse është shumë nxehtë, temperatura shkon mbi 36-38° C, atëherë bima e specit qershizë kalon në stres; pengohet procesi i lulëzimit, lulet bien në masë dhe frutat humbasin lëmushmërinë, shkëlqimin dheshijen.

Bimët, duke qënë se rriten deri në 55-60 cm të larta, e bën këtë kultivar ideal për t’u rritur në kontejnerë,vazo, ballkone, oborre ose zona të tjera me përmasa të vogla. Ata gjithashtu mund të rriten dhe zhvillohen, të lulëzojnë dhe prodhojnë fruta, edhe në ambiente të mbyllura pranë një dritareje me diell.

Specat qershi mbillen në  një largësi prej 45 cm ose më shumë midis bimëve për t’u dhënë atyre dritëzim të plotë dhe hapësirë të mjaftueshme për të prodhuar frutat pikantë. Nëse mbillen më shumë bimë në kopësht, mbjellja bëhet me rreshta; rreth 70-75 cm midis rreshtave dhe 45 cm midis bimëve në rresht.

Bimët e specit qershizë janë tepër kërkuese ndaj lagështisë dhe ushqimit. Ato preferojnë plehërimin me plehra organik të kalbur mirë dhe të pasur me elemente ushqimor. Ujitjet e mira bëjnë të mundur që bimët të rriten, lulëzojnë dhe prodhojnë fruta me cilësi.

Prodhimi fillon  në muajin korrik dhe vazhdon deri në tetor.

Përdorimi

Për për konsum të freskët dhe përpunim, në kushte familjare dhe për tregun lokal. Ka edhe vlera dekorative, mund të mbillet në anë tërrugicës së oborrit ose në vazo, si një lule, për të zbukuruar mjediset familjare.

Risku: Me paksimin e familjeve të traditës, po mbillet gjithnjë e më pak; pra është në rrezik zhdukjeje.

Ruajtja: Ky kultivar i vjetër, falë bashkëpunimit me Prof. Dr. Robert Damo në Korcë, është koleksionuar dhe ruhet në fondin e koleksionit bazë të Institutit të Resurseve Gjenetike, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Përgatiti:

Prof. Dr. Sokrat Jani

Kërkues për resurset gjenetike të perimeve

Shto Koment

Na Ndiqni në: