Ushqimi dhe dietat e shëndetshme në Shqipëri

Mungesa e ushqyerjes optimale që në mosha të vogla, ka ndikim dhe lë pasoja në shëndetin, rritjen dhe zhvillimin, mbijetesën por dhe performancën dhe produktivitetin e individëve. Studime mbi ushqyerjen e popullatës në Shqipëri gjithashtu tregojnë se shfaqen të kombinuara dy problematika. E para lidhet me një rritje të mbiushqyerjes, sidomos në zonat urbane ku konsumi i ushqimit jo të shëndetshëm është në rritje dhe aktiviteti fizik është në ulje. Një aspekt shumë i rëndësishëm që lidhet me mbiushqyerjen janë dhe sëmundjet jo të transmetueshme si mbipesha dhe obeziteti, një fenomen ky gjithmonë e në rritje për popullatën e Shqipërisë. Ky faktor risku vihet re që në grupmoshat e vogla ku 15% e fëmijëve janë mbi peshë, prej të cilëve 3.8 janë obezë. Këto vlera vijnë duke u rritur me rritjen e grupmoshave të populates sonë. Ndërsa aspekti i dytë lidhet me nënushqyerjen, problem ky më tepër i shfaqur në grupe specifike të popullatave, grave shtatzëna, tek femijët e vegjël dhe foshnjat, sidomos kur këto grupe vijnë nga zona gjeografike të thella ose famijle të varfëra.

Dietat në përputhje me shëndetin e mirë sot mund të ofrojnë mirëqënie për brezat e ardhshëm duke u ofruar konsumimin e ushqimeve të shëndetshme. Është thelbësore përfshirja e mjedisit dhe shoqërisë në përcaktimin e një modeli të dëshirueshëm diete. Janë mundësuar modele dietike që kanë ndikim më të ulët mjedisor dhe ofrojnë shëndet më të mirë dhe duke përmirësuar kështu mënyrën sesi njerëzit ushqehen. Udhëzimet zyrtare dietike kombëtare në këtë drejtim janë thelbësore. Udhëzime të tilla ofrojnë një kuptim të qartë sesi njerëzit duhet të ushqehen për të patur një shëndet të mirë. Ato janë baza për zhvillimin e politikave ushqimore duke zhvendosur modelet ushqimore në drejtime të shëndetshme.

Çfarë janë dietat e shëndetshme dhe të ushqyeshme?

Dietat duhet të plotësojnë nevojat e energjisë, të sigurojnë një shumëllojshmëri ushqimesh me vlera të larta nutritive dhe të jenë të sigurta për konsum. Dieta të tilla duhet të jenë të përballueshme, të realizueshme dhe të përshtatshme me traditën e ushqyerjes. Nuk ka dietë të vetme, universale dhe “ideale” por ato shpesh përshtaten me individin dhe traditën lokale. Megjithatë, disa parime themelore mund të aplikohen për të ndihmuar në përcaktimin e dietave “të shëndetshme”.

Sipas OBSH, “përbërja e saktë e një diete të larmishme, të balancuar dhe të shëndetshme do të ndryshojë nga nevojat individuale (p.sh. mosha, gjinia, stili i jetës dhe shkalla e aktivitetit fizik), konteksti kulturor, ushqimet në dispozicion në vend dhe zakonet dietike”.

Dietat e shëndetshme zakonisht kanë karakteristikat e mëposhtme:

  • Sasia: Dietat e shëndetshme përmbajnë kalori të nevojshme ushqimore për të mbështetur aktivitetin fizik dhe për të arritur dhe mbajtur një peshë të shëndetshme të trupit; makro dhe mikronutriente të mjaftueshme për të plotësuar nevojat individuale të të ushqyerit dhe shëndetit. Ato kufizojnë konsumimin e tepërt, veçanërisht të ushqimeve të varfra me lëndë ushqyese, me vlera të larta kalorike, yndyrna të ngopura dhe trans, sheqer dhe kripë të shtuar.
  • Diversiteti: Dietat e shëndetshme përfshijnë një shumëllojshmëri ushqimesh të pasura me lëndë ushqyese nga grupet ushqimore bazë, duke përfshirë perimet, frutat, drithërat integrale, produktet e bulmetit dhe ushqimet proteinike me bazë bimore dhe shtazore. Llojet specifike dhe sasitë e ushqimeve brenda këtyre grupeve, veçanërisht ushqimet kryesore, do të ndryshojnë në varësi të vendndodhjes gjeografike dhe kontekstit kulturor.
  • Cilësia: Dietat e shëndetshme përmbajnë makro dhe mikronutrientë të nevojshëm. Ushqimet nuk duhet të përmbajnë aditivë të papërcaktuar në ligjin e ushqimit ose jo të shëndetshëm si yndyrnat trans. Ushqimet gjithashtu mund të përpunohen për të hequr “anti-nutrientët” ose përbërësit brenda ushqimeve që ndërhyjnë në uljen e nutrientëve kryesore (p.sh. fitatet ose oksalatet që pengojnë hekurin dhe absorbimin e zinkut).
  • Siguria: Ushqimi i shëndetshëm përmban ushqime dhe pije që janë të sigurta për konsum.

Dietat e qëndrueshme janë ato me impakt të ulëta mjedisor që kontribuojnë dhe në sigurinë ushqimore dhe nutritive dhe në jetën e shëndetshme për gjeneratat aktuale dhe ato të ardhshme. Dietat e qëndrueshme janë mbrojtëse dhe respektojnë biodiversitetin dhe ekosistemet, janë të pranueshme nga ana kulturore, të arritshme dhe të përballueshme ekonomikisht; respektojnë të ushqyerit e duhur, të sigurtë dhe të shëndetshëm duke optimizuar burimet natyrore dhe ato njerëzore.

 

Dr. Vilma GURAZI
Pedagog në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT.

*Përshtatur për publikim nga UBgreen.al

Na Ndiqni në: