Siguria ushqimore dhe ndërgjegjësimi i konsumatorëve

Shqipëria është përballur me probleme në lidhje me sigurinë ushqimore, që përfaqëson një shqetësim të madh për konsumatorët. Objektivi i studimit të kryer nga profesorë të Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit të publikuar së fundmi në revistën Ekonomia dhe Agrobiznesi, është që të analizojë ndërgjegjësimin e konsumatorëve për sigurinë ushqimore. Analiza është kryer përmes segmentimit bazuar në faktorë socio-demografikë bazuar në një vrojtim të kryer në vitin 2012 në Tiranë. Shumica e konsumatorëve deklarojnë se nuk janë të vetëdijshëm (ndërgjegjësuar) për HACCP-in, ISO-n ose (ekzistencën e) Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Konsumatorët me arsim të lartë priren të kenë më shumë njohuri për AKU-në dhe certifikimet.

Shumica e konsumatorëve pohojnë se kontrollojnë rregullisht datën e skadimit, përpara se të blejnë produkte ushqimore. Konsumatorët e arsimuar i kushtojnë më shumë vëmendje informacionit të datës të skadimit dhe informacionit të etiketës. Konsumatorët të gjinisë femërore dhe ata me arsim të lartë rezultojnë të kenë një ndërgjegjësim më të lartë në lidhje me sigurinë e ushqimit. Të rinjtë e arsimuar i kushtojnë më shumë vëmendje informacionit të etiketave. Të rinjtë e arsimuar janë më të vetëdijshëm se çfarë “ata konsumojnë” dhe për ndikimin e ushqimit në shëndetin e tyre, në krahasim me më të moshuarit.

Foto: lanutrition.fr

Ndërsa ka nevojë për të edukuar apo ndërgjegjësuar konsumatorët në lidhje më cilësinë, sigurinë dhe standardet e ushqimit, sepse kjo ka të bëjë me shëndetin, ekziston një domosdoshmëri për të përmirësuar përmbajtjen e informacionit të etiketës. Hartuesit e politikave dhe palët e interesit mund të përqendrohen veçanërisht tek konsumatorët me arsim të ulët për të zvogëluar boshllëqet e tyre me informacion dhe ndërgjegjësim në lidhje me sigurinë ushqimore. Gjithashtu hartuesit e politikave dhe ndërmarrjet ushqimore duhet të përmirësojnë nivelin e besimit tek institucionet publike / private për garantimin e sigurisë së ushqimit.

Interesante, ndërsa shumica e konsumatorëve duket se nuk kanë qenë në dijeni gjatë vitit 2012 (kur është kryer vrojtimi) për ekzistencën e AKU-së, një studim më i fundit, i botuar në 2019, tregon se më shumë se 4/5 e konsumatorëve të anketuar në Tiranë janë të vetëdijshëm për AKU-në. Kështu, me kalimin e viteve, rezulton që roli dhe prania e AKU-së ka marrë vëmendje më të lartë ndër konsumatorët.

 

Prof. As. Dr. Drini Imami
Pedagog në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Departamenti i Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural, UBT.

koment

  • Jam teje i surprizuar me metoden pyetjet, numri i te kampionuarve, lidhja midis qellimit dhe rezultatit, koha ku i referohet, referenca ndaj standarteve dhe lidhja e njohjes se tyre dhe AKU-se me ndergjegjsimin e konsumatorit per sigurine ushqimore.

    Do isha kurioz te shikoja rezultatin e nese do zhvillohej ne nje vend tjeter europian?

Na Ndiqni në: