Rektori i UBT-së takim me stafin akademik për aktivitetin 1- vjeçar 2020-21, sfidat, objektivat dhe masat e ndërmara për vitin e ri akademik 2021-2022.

Ndërsa kanë mbetur vetëm pak ditë nga fillimi i vitit të ri akademik 2021-2022 në mbarë vendin, Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës zhvilloi sot një takim me stafin mësimdhënës dhe administrativ me të cilët ndau jo vetëm problematikat e hasura gjatë pandemisë dhe mësimit online por edhe sfidat që e presin këtë universitet, me fokusin kryesor të UBT-së gjatë këtij viti e përgjatë 10-vjeçarit që do të pasojë, me masat që janë marrë dhe ato që do të ndërmerren për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe jo vetëm, me aktivitetet e realizuara deri tani dhe ato që priten të zhvillohen për të rritur edhe më tej kredibilitetin dhe standartet e synuara të UBT, etj.

Regjistrimi i studentëve të rinj ishte një ndër pikat e rëndësishme të diskutuara gjatë takimit të sotshëm ndërsa Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku vuri theksin se duhet të punohet më tepër për informimin e gjimnazistëve dhe se duhen bërë vazhdimisht përpjekje për të promovuar programet e ndryshme që ofron ky universitet.

Për këtë problematikë, Prof. Sallaku përcolli edhe sugjerimet përkatëse të menduara si zgjidhje konkrete të tilla si: kontaktet me drejtues të shkollave të mesme profesionale, ofrimin e kurseve trainuese falas për mësues e nxënës të këtyre shkollave etj.

Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, zgjodhi të bëjë publike disa konstatime dhe fakte të vërejtuara gjatë procesit mësimor në periudhën e pandemisë, me qëllimin për të përmirësuar në këtë vit të ri akademik, gjithçka që lidhet me procesin mësimor duke përmendur këtu përdorimin me efikasitet të laboratorëve ekzistentë dhe atyre që do të ndërtohen, përditësimin e programeve mësimore, motivimin e studenteve/ëve, vlerësimin më efikas për këta të fundit, përmirësimin e e marrëdhënieve mësues-studentë etj.

Sipas Prof. Sallakut, ashtu siç ai e ka theksuar edhe herë të tjera, një ndër shtyllat kryesore të UBT-së është edhe aktiviteti kërkimor-shkencor, ndaj kjo çështje zuri një hapësirë të konsiderueshme në takimin e zhvilluar në UBT.

Në këtë kuadër ai përmendi faktin është i domosdoshëm rishikimi i koeficientëve/indekseve të performancës të lidhura me kontributet akademike dhe kërkimin shkencor (në nivel UBT), raportim individual i bilancit vjetor të punës sipas zërave të parashikuar në ngarkesën akademike, riorganizim të laboratorëve të dedikuar për kërkimin shkencor etj.

Marrëdhëniet me publikun dhe institucionet, një tjetër sektor i rëndësishëm dhe ambicioz për Rektorin Sallaku në lidhje me UBT-në, gjithashtu u trajtua në takim ndërsa u vu theksi tek një sërë risish të arritura në këtë drejtim gjatë vitit të fundit.

Përsa i përket aktiviteteve të parashikuara për 2020-2021,një pjesë e të cilave kanë nisur tashmë jetësimin e tyre, Rektori i UBT-së nuk mund të mos përmendtte ndërkombëtarizimin e programeve mësimore (cikli i dytë), bashkëpunimin shumë të rëndësishëm me universitetin BOKU të Vjenës, për të cilin qeveria shqiptare e mbështet fort UBT-në; marrëveshjen me universitetin e Viterbos, Itali; planin strategjik 2021-2030; hapjen e Qendrës Goethe në UBT për gjuhën gjermane, mundësimin e dhënies në këtë universitet të testit APTIS për gjuhën angleze; hapjen e shkollës së doktoraturës; ndërtimin e laboratorit për paralajmërimin e hershëm të COVID 19; organizimin e konferencës ICOALS3 dhe kremtimet me rastin e 70-vjetorit të UBT-së; një sërë projektesh të fituara e të tjera

Në prezantimin e tij,Prof. Sallaku nuk la pa përmendur edhe punën e mirë të bërë deri tani në FDE (Fermën Eksperimentale Didaktike) në Valias të Tiranës dhe atë në IRGJB, Bankën e Resurseve Gjenetike në vend, si asete mjaft të rëndësishme për Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Një sërë investimesh infrastrukturore dhe jo vetëm kanë nisur të kryhen dhe do të ndërmerren edhe në të ardhmen në UBT për t’i ndryshuar qasjen këtij universiteti me një potencial të jashtëzakonshëm ekspertësh e profesionistësh në disa sektorë vitalë për të gjithë, duke përmendur për shembull rindërtimin e godinës së FBU apo rikonstruktsionin e FBM, ngritjen e disa laboratorëve mësimorë, etj, ndaj këto dhe të tjera çështje u sollën në vëmendjen e të gjithëve nga Prof. Sallaku.

Ashtu siç edhe është parashikuar nga autoritetet shtetërore për prezencë fizike të studenteve/ëve në këtë fillim të këtij viti të ri akademik, mësimi do të zhvillohet në klasa e auditore sipas rregullave gjithashtu të përcaktuara nga ministria e Arsimit në koordinim me udhëzimet e ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që nënkupton edhe vaksinimin e të gjithë stafit mësimdhënës dhe atij ndihmës, por edhe të të gjithë studenteve/ëve. Për këtë arsye Rektori i UBT-së u kërkoi të gjithë kolegëve që të kontaktojnë me të rinjtë, t’i ftojnë dhe t’i nxisin ata të bëhen pjesë e fushatës së vaksinimit masiv të nisur në të gjithë vendin, për të garantuar mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Me një sërë sfidash duket se do të përballet ky vit i ri akademik i cili pason një periudhë të gjatë mësimdhënieje online dhe jo fort të zakonshme për shkak të kushteve të diktuara nga pandemia COVID-19 ndaj për këtë arsye, Rektori i UBT-së kërkoi mirëkuptimin e gjithësekujt në UBT, kërkoi bashkëpunim më të frytshëm me stafin akademik dhe atë adminstrativ si një proces që nuk mund të kuptohet si i tillë pa të kontributin e të gjithë aktorëve.

Na Ndiqni në: