Projekti europian SmartAL, kurorëzohet sukseshëm në UBT

Përmbyllja e projektit europian “SmartAL’’ në UBT bëri bashkë sot në ambientet e këtij universiteti autoritete të larta të misioneve diplomatike europiane në vendin tonë, zv/ministra, rektorë e staf akademik nga IAL të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, përfaqësues të konsorciumit “SmartAL’’, projekt i  Erasmus+; studentë të Masterit Ekzekutiv e të tjerë. Përfundimi me sukses i këtij projekti me partner lider CIHEAM-IAMM në Francë dhe partnerë të tjerë; UBT-në, universitetin Fan S. Noli në Korçë, UET si dhe universitetet europiane të Hohenheim, Gjermani; universitetin Panteion të Shkencave Sociale dhe Politike, Greqi dhe universitetin Paul Valéry Montpellier, Francë, risolli edhe një herë në vemendje domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë brenda dhe jashtë kufijve, fuqizimin e lidhjeve mes tyre dhe institucioneve punëdhënëse në nivel qendror dhe lokal; përmirësimin e njohurive praktike dhe teorike për studentet/ët e nivelit Master përsa i përket administrimit territorial, politikave bujqësore, zhvillimit rural etj; ofrimin e metodave inovative të mësimdhënies për stafet pedagogjike shqiptare dhe jo vetëm etj.

Objektivi kryesor i “SmartAL’’, projekt i financuar nga Bashkimi Europian, ideuar për të sjellë në universitetet shqiptare eksperiencën e partnerëve europianë, ishte adresimi i nevojave të reja të identifikuara në tregun e punës, të prodhuara nga politikat e reja dhe ato publike të ardhshme në Shqipëri.

 Në këtë aspekt, duke falenderuar pjesëmarrësit për praninë në këtë event të rëndësishëm të cilin e cilësoi si një sukses për UBT-në, Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku tha se “SmartAL’’ ka arritur të realizojë të gjithë objektivat e paracaktuar.  Duke e cilësuar ‘’SmartAl’’ si një konsorcium të shkëlqyer, Prof. Sallaku përmendi rolin e rëndësishëm që ka UBT në sektorin e bujqësisë dhe qasjen pozitive që ka ky universitet për të përqafuar idetë më inovative apo për të qenë pjesë e projekteve efikase që lidhen drejtpërdrejtë me këtë sektor dhe jo vetëm.

Fokus i UBT-së- tha ai, përveç mësimdhënies dhe kërkimeve shkencore, janë edhe marrëdhëniet me palët e treta ndaj për këtë arsye prezenca e të pranishmëve në këtë aktivitet është e rëndësishme, shtoi ai.

Ndër të tjera Rektori Sallaku shprehu falenderimet për mbështetjen që qeveria po i jep UBT-së dhe për faktin që ambasadorë të ndryshëm e cilësojnë këtë universitet si një partner strategjik.

I pranishëm në takimin përmbyllës të “SmartAL’’ , zv/ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote, duke vënë në pah rëndësinë e aktivitetit, e nënkuptuar kjo edhe me prezencën e diplomatëve europianë (përfaqësues nga BE, Gjermania, Franca dhe Greqia), tha se ndërsa qeveria ka nisur reformën territoriale-administrative që prej 2014-ës, ka nevojë për UBT-në dhe ekspertizën profesionale që ofron.

“Nuk mund të kuptohet ministria e Bujqësisë pa Universitetin Bujqësor, ndaj dhe kjo ministri ka një marrëdhënie të shkëlqyer me këtë universitet. Për këtë arsye edhe qeveria ka një tjetër qasje ndaj UBT-së, duke e mbështetur atë të përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, në njehësimin e diplomave me universitetet më të mira në botë etj. UBT duhet të jetë një aktor pararojë në këtë drejtim dhe mendoj se fondet e BE-së për projektin “SmartAl” pjesë e të cilit ishte dhe Universiteti Bujqësor, kanë shkuar në drejtimin e duhur’’- tha zv/ministri Kote.

Për rëndësinë e këtij projekti europian foli edhe zv/ministri i Arsimit dhe Sporteve, Oltion Rrumbullaku. Më tej ai shtoi se qeveria ka punuar dhe po punon për të hartuar një strategji e cila synon përmirësimin e mëtejshëm dhe rritjen e standarteve për arsimin e lartë.

Ndërkaq në fjalën përshëndetëse në aktivitetin e organizuar në UBT me rastin e përmbylljes së projektit “SmartAl”, përfaqësues të Bashkimit Europian në vendin tonë theksuan edhe një herë shpirtin bashkëpunues të skuadrës së ERASMUS në përmbushjen me sukses të projekteve të tilla si SmartAL.

‘’Është kënaqësi të bësh bashkë universitete nga disa vende të ndryshme (Greqi, Gjermani, Francë e vende të tjera të BE) pasi secili prej tyre ka se ç’të mësojë nga njëri-tjetri. Projekti SmartAL është një mundësi e mirë për të rinjtë për t’i orientuar ata në tregun e punës dhe jo vetëm. Ky program i shërben ndër të tjera edhe politikëbërësve në hartimin më të mirë të politikave përkatëse për arsimin. ERASMUS është një nga projektet më të mira në BE dhe Shqipëria ka një rol mjaft të rëndësishëm, jo vetëm si përfituese nga këto projekte por si një partnere shumë e rëndësishme”- theksoi Hubert Perr, përfaqësues i misionit të BE në Shqipëri.

Interesante dhe me mjaft interes ishin gjatë takimit të sotëm gjetjet/konkluzionet dhe rekomandimet e paraqitura nga moderatori i eventit, Prof. Fatmir Guri i cili solli në vëmendjen e të gjithëve identifikimin e një sërë çështjeve kyçe që kanë nevojë të përmirësohen të tilla si; mënyrat apo metodologjinë e mësimdhënies, adaptimin e moduleve të ndryshme apo organizimin e klasave, mënyrat e reja të vlerësimit, mënyrën/at se sit ë tejkalohen problemet e hasura gjatë mësimit online e të tjera.

Në vijim të takimit u prezantuan për të pranishmit edhe disa punime të studentëve të Masterit Ekzekutiv.

 

Shto Koment

Na Ndiqni në: