Finalizohet projekti europian “SmartAl’’

U zhvillua sot në ambientet e UBT-së takimi me temë “Ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë; një pasaportë evropiane për tregun shqiptar të punës?” në kuadër të organizimit të aktiviteteve finale të projektit SmartAL.

Qendra Ndërkombëtare për Studime të Avancuara Agronomike Mesdhetare -Instituti Agronomik Mesdhetar i Montpellier (Ciheam – IAMM), koordinator i projektit SmartAl,  organizoi Komitetin Drejtues Final të Projektit, në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, Universitetin Evropian të Tiranës, universitetin Fan S. Noli, Korçë dhe universitetet evropiane në vijim: Universitetin Hohenheim, Gjermani; Universitetin Panteion të Shkencave Sociale dhe Politike, Greqi dhe Universitin Paul Valéry Montpellier, Francë.

Takimi mjaft i rëndësishëm që startoi sot dhe që gjeneroi diskutime të larmishme përsa i përket ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, mënyrës së mësimdhënies etj, do të finalizohet nesër po në ambientet e UBT-së me një panel të nivelit të lartë të të ftuarve të tillë si ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca; Luigi Soreca, ambasador i BE në Shqipëri; Elisabeth Barsacq, ambasadorja franceze në Shqipëri; Sofia Philippidou, ambasadorja greke në Shqipëri;  Martin Karl Zickendraht nga ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë, Tiranë etj.

Sipas Ciheam – IAMM, koordinator i projektit SmartAL në event do të marrin pjesë rreth 50 persona që përfaqësojnë autoritetet europiane, kombëtare dhe lokale, institucione të arsimit të lartë, konsorciumin SmartAL dhe studentë të Masterit Ekzekutiv.

Dita e nesërme ka të parashikuar edhe një tryezë të rrumbullakët bisedimi e cila do të ofrojë mundësinë për të diskutuar mbi “Ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë: një mënyrë për të zgjeruar përshtatshmërinë e të diplomuarve në tregun shqiptar të punës”. Të pranishëm në të do të jenë; Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku; përfaqësues të ministrisë së Arsimit; Prof. Assoc. Dr. Selami Xhepa, UET; Prof. Asc. Dr. Gjergji Mero, dekan i Fakultetit të Bujqësisë, Universiteti Fan S. Noli, Korçë; përfaqësues të Universitetit Hohenheim; përfaqësues i Universitetit Panteion të Shkencave Sociale dhe Politike, Z. Thierry Dupeuble, Drejtor i CIHEAM-IAMM dhe Ada Ramaj, Koordinatore Kombëtare e Zyrës Erasmus+ në Shqipëri.

Projekti  europian “Smart Al” , pjesë e  Erasmus+, një program i BE, mbështetur nga kjo e fundit ka për qëllim rritjen e aftësive, punësimin, modernizimin e sistemit arsimor, trajnimin dhe punën e të rinjve.

Na Ndiqni në: