Photo: WILL VASSILOPOULOS

Muzeu i parë nënujor i Greqisë hap botën antike për turistët që preferojnë zhytjen

Duke dalë nga ujërat e kristaltë të detit Egje, Hans-Juergen Fercher sapo është kthyer nga zhytja e tij e katërt në vendin ku grumbuj të amforave 2500-vjeçare shënjojnë vendmbytjen e një anijeje të lashtë dhe muzeun e parë nënujor të Greqisë.

“Ky është një kombinim i zhytjes dhe zhytjes arkeologjike. Është zhytje në histori’’, thotë 48 vjeçari me profesion psikiatër.

Muzeu nënujor që ndodhet në dallgët e Peristera-s, një dalje shkëmbore në ishullin e Alonissos, u hap në vitin 2020 por deri pak javë më parë ishte e pamundur të eksplorohej për shkak të kufizimeve të Covid 19.

Greqia inauguroi një vit më parë muzeun e parë nënujor me mbetjet e një anijeje që transportonte mijëra amfora që u fundos në shekullin e V para Krishtit, një thesar i mbytur në Detin Egje por që të apasionuarit e zhytjes tani mund ta eksplorojnë lehtësisht.

Mbetjet e kësaj anijeje ndodhen në 21-28 metra thellësi afër bregdetit të ishullit të Peristeras dhe përmbajnë 3 000 deri në 4 000 amfora.

Zhytës si Fercher apo danezja Lisette Fredelund, janë të gatshëm të paguajnë rreth 95 euro ($110) për një zhytje, rreth 50  përqind më tepër se kosto e një shëtitjeje të rregullt rekreative në zonat arkeologjike.

Kësisoj, ndërsa Greqia hap industrinë e saj vitale të turizmit, ky atraksion i ri ofron një burim të ri dhe më të qëndrueshëm të të ardhurave nga ky sektor.

Për të vizituar këtë muze nënujor ku gjendet anija e mbytur 2500 vjet më parë dhe që transportonte verë, ekziston një rregullore që parashikon se turistët që arrijnë tek anija duhet të mbajnë një distancë prej të paktën dy metrash larg objekteve. Për shkak të thellësisë dhe vështirësisë teknike të zbritjes, vetëm zhytësit e kualifikuar lejohen të vizitojnë rrënojat e anijes.

Burimi: www.msn.com

Na Ndiqni në: