Zjarri që dogji dhe shkatërroi kapanonin e kompanisë “Natural Alba” në Ishëm, Durrës, lë të papunë dhjetëra njerëz e shkakton dëme të mëdha financiare për kompaninë e bimëve mjekësore dhe aromatike.

Mjaftoi një shkëndijë elektrike dhe një nga kapanonët e “Natyral Alba”, kompanisë shqiptare që merret me mbledhjen dhe prodhimin e bimëve mjekësore dhe aromatike në Shqipëri, është shkrumbuar tërësisht pak ditë më parë duke shkaktuar dëme të mëdha financiare e infrastrukturore për kompaninë, por edhe probleme për disa familje,  të cilët kanë të punësuar aty anëtarë të tyre.

Një nga kompanitë më efikase në cilësi dhe qëndrueshmëri për prodhimin, përpunimin dhe eksportin e bimëve mjekësore dhe aromatike në vendin tonë, me bazë në Bizë- Ishëm, Durrës është dëmtuar rëndë nga ngjarja e sipërpërmendur duke bërë që në datën 14. 09. 2021 të përfshihej nga flakët kapanoni i “Natural Alba’’ me një sipërfaqe 494 m2; të shkatërrohej plotësisht malli që gjendej aty (bimë mjekësore dhe aromatike, rreth 60 ton); të dalë jashtë funksionit makineria e linjës së procesit, 4 panelet diellore për prodhimin e energjisë dhe një sërë mjetesh të tjera pune.

Për shkak të kësaj situate, jo pak persona të punësuar prej kohësh në këtë kompani, tashmë kanë mbetur të papunë ndaj dhe emergjenca për ‘’Natural Alba’’, sipas edhe themeluesve të kompanisë, është që të munden të rikthejnë në punë pjesëtarë të shumë familjeve, së bashku me fermerët që japin kontributin e tyre në kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike në zonë.

Krijuesit e kësaj shoqërie të prodhimit, përpunimit dhe eksportit të bimëve mjeksëore Sokol Proja e Irene Tosti theksojnë se produktet sigurohen nga mbledhja spontane në zona të ndryshme të Shqipërisë dhe ato të kultivuara në zonën e Ishmit, si të certifikuara nga EU, janë bio dhe të kontraktuara afatgjatë me një shoqëri gjermane. Përsa i përket eksportit, “Natural Alba” ka të garantur tregjet në Europë dhe në Kinë.

Kompania krijuar në 2010 nga Sokol Proja dhe Irene Tosti, mbledh, grumbullon dhe përpunon bimë mjekësore aromatike si në mënyrë organike ashtu edhe konvencionale në të gjithë Shqipërinë. Klientët e saj përfshijnë jo vetëm tregun me shumicë por edhe sektorin e suplementeve, çajrave bimorë dhe industrisë ushqimore dhe që prej 2013-ës, “Natural Alba” është çertifikuar sipas standartit organik të BE-së.

Na Ndiqni në: