Sfida e vlerësimit të natyralitetit të mjaltit në Shqipëri

Mjalti është një produkt natyral që prodhohet nga bletët si rezultat i mbledhjes së nektarit të luleve, përpunimit të tij dhe shndërrimit në mjaltë. Nga pikëpamja kimike mjalti nuk është gjë tjetër përveçse një solucion sheqeror, ku predominojnë monosaharidet fruktozë (32-40%) dhe glukoza (24-32%), si edhe mjaft sheqerna të tjerë në përmbajtje më të ulët. Përpos sheqernave, në mjalt janë të pranishme edhe substancat minore, në përqëndrim relativisht të ulët si acidet organike, vitaminat, enzimat, mineralet etj.

Përdorimi i mjaltit në mjekësinë tradicionale për luftimin e një sërë sëmundjesh, ka ndikuar që jo vetëm në shoqërinë tonë por edhe në vende të tjera të botës, të quhet apo të emërtohet me termin “ilaç”.

Edhe pse është një produkt që vlerësohet nga konsumatorët, diskutimi në lidhje me natyralitetin e tij (origjinalitetin, vërtetësinë) prevalon në momentin e blerjes. Për t’u evidentuar është fakti që konsumatori gjendet në një situatë konfuze mbi metodat për të vërtetuar apo ato që janë indicie për vlerësimin e natyralitetit të tij, për të cilat mjafton të bësh një kërkim të thjeshtë në internet dhe do të rënditen disa prej tyre, ku tregohen/indikohen metoda të thjeshta për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me produkt të “pastër” , nëse ka shtesa sheqeri apo shurupe të ndryshme.

Sot për sot përgjigja më e mirë që mund t’i jepet çdo konsumatori kur shtrohet pyetja 1 miliondollarëshe: “Si ta vërtetoj/kuptoj që mjalti është natyral/origjinal?”, është kryerja e analizave të caktuara për të vlerësuar natyrën e produktit. Gjithsesi, edhe kur bëhet fjalë për analizim të produktit, gjithmonë duhet të kemi parasysh shkallën e sofistikimit të mashtrimit si edhe të agjentëve që mund të jenë përdorur për të adulteruar (ndryshuar përbërjen natyrale) mjaltin.

Dy përqasjet që përdoren për të vlerësuar natyralitetin e mjaltit në terma të përbërjes së produktit në bazë të analizave janë:

  • Vlerësimi për praninë e përbërësve në mjalt të substancave të shtuara nga bletët (si p.sh prania e aktivitetit enzimatik, pasi enzimat shtohen në mjaltë nga bleta gjatë përpunimit të nektarit).
  • Vlerësimi për substanca që në mënyrë natyrale nuk gjenden në mjalt (si p.sh prania e disa sheqernave si manozë apo disa enzima të huaja; që janë prezent në shurupe të përgatitura në rrugë industriale).

Duhet sjellë në vëmendje që praktika e ushqyerjes së kolonisë së bletës nga bletarët me shërbet apo shurupe të ndryshme gjatë kullotës së nektarit kryesor (fillim pranvere, verë), duhet eliminuar, pasi produkti i përftuar, duke marrë parasysh edhe rregulloren/standardin e mjaltit, nuk lë vend që një produkt i tillë të quhet ‹‹mjaltë››.

Kryesisht vlerat ushqyese që i atribuohen mjaltit, e kanë prejardhjen nga substancat minore që gjenden në mjalt si rezultat i pranisë në nektarin e luleve që bletët grumbullojnë.

Nuk duhet harruar pa përmendur që kristalizimi i mjaltit është një fenomen krejt natyral, i cili ndikohet nga raportet e sheqernave kryesorë të pranishëm (fruktozë/glukozë) si edhe raportit glukozë/ujë, që janë tipike për bimën nga e cila është marrë nektari.

Si përfundim, mund të thuhet që njohja personale me bletarin dhe marrëdhënia reciproke e besimit, është garancia më e mirë momentale për të patur një produkt sa më afër atij “të pastër/genuin”.

Dr. Fatjon HOXHA
Departamenti i Teknologjisë Agroushqimore, Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT.

Na Ndiqni në: