Përgatitja, mbjellja dhe shërbimet e para për bimët bostanore të hershme

Të nderuar fermerë të zonës së ulët e bregdetare, që ushtroni aktivitetin e kultivimit dhe prodhimit të bimëve bostanore (shalqirit, pjeprit dhe kungullit) të hershëm (kultivuar nëntunele plastike), për treg dhe eksport:

Java e fundit e muajit Shkurt e deri në javën e parë të Marsit, është periudha optimale për mbjelljen e fidanëve të bimëve bostanore (veçanërisht shalqirit) në tunele të ulët plastike. Për këtë:
Përgatiteni tokën mirë;
Merrni masa kullimi;
Ndërtoni dhe mbuloni lehët (mulҫeroni) me fletë plastike të zezë;
Formoni tunelet me plastmasë transparent, me gjerësi 80-100 cm dhe lartësi 60-70 cm, mbështetur në harqe plastike ose thupra druri/kallami;
Prisni pak ditë të ngrohet toka, pastaj mbillni;
Siguroni diversitet kultivarësh, 2-3 kultivarë të hershëm, të përshtatshëm për zonën tuaj dhe që kërkohen nga tregu;
Para mbjelljes, për 2-3 ditë kalitini fidanët;
Pas mbjelljes, ndërhyni me 3-5 ushqime të njëpasnjëshme tëbimëve me NPK: 10-40-10 të tretur në ujë, sepse shpejton zhvillimin e sistemit rrënjor dhe lidhjen e fidanit me tokën,  e bënë bimën të fort për të përballuar streset e stinës;
Në ditë, e orë të ngrohta të ditës, hapni dritare dhe grykat e tuneleve për ajrim;
Futini bimët sa më parë në lulëzim, luftoni lidhen dhe të mbahen frutat e para, sepse ata janë prodhimi, hershmëria dhe paraja juaj.
Ujitini dhe ushqejini bimët në mënyrë të balancuar, duke njohur me pare pjellorinë e tokës, kështu do të siguroni sasinë dhe cilësinë e prodhimit.
Kushtoni kujdesin e duhur zhvillimit të bimëve dhe mos neglizhoni kontrollin e sëmundjeve dhe dëmtuesve.

Specialistët, shoqëria, institucionet shtetërore qendrore dhe lokale të kontribuojnë më shumë për të mbështetur fermerët e prodhimit të bostanoreve të hershme, sepse prodhimi tyre jo vetëm qe plotëson mirë kërkesat e tregut te brendshëm, por artikull bazë dhe me interes për eksportin, siguron të ardhura të larta për fermerët dhe shoqërinë tonë.

Prof. Dr. Sokrat Jani,

Specialist i perimeve

Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve

Universiteti Bujqësor i Tiranës

Na Ndiqni në: