Përfitimet nga konsumimi i shegës dhe përdorime të ndryshme të saj

Përfitimet nga konsumimi i shegës dhe përdorime të ndryshme të saj

Për vlerat e saj shumë të mira për trupin e njeriut, për vetitë që ka fruti i shegës ashtu edhe lëngu i saj, prej shumë kohësh ky frut ka tërhequr vëmendjen e amvisave, të kuzhinierëve, të pastiçierëve dhe të dietologëve në gatime nga më të larmishmet.

Përdorimi i shegës është i ndryshëm në kuzhinë dhe varion nga pjatat e kripura e deri tek ato të pastiçerisë. Në disa vende ky frut shoqëron shpesh një salcë të përbërë nga kërpudha, vaji, kripa dhe piperi. Fetat e bukës të prera hollë, të lyera me lëng shege, mbushen me këtë lloj salce mbështillen dhe pastaj futen në furrë për tu pjekur. Shega gjen përdorim të shumëllojshëm edhe tek tortat, reçelrat, akulloret dhe marmelatat e ndryshme. Gjithashtu përdoret në përbërje të materialeve për brusketat, ashtu edhe për zbukurimin e pjatave. Njihuni në vijim me disa prej recetave që përgatiten në kuzhinën shqiptare:

 

Çorba me shegë

Përbërësit: Oriz 1 filxhan çaji, gjalp 3-4 lugë gjelle, copa dhjami 1 filxhan kafeje, piper i zi 1 lugë kafeje, gres – lëng shege 100 gr, lëng mishi 1.5 kg.

Përgatitja: Është mjaft i njohur gatimi që në popull quhet çorbë. Në gatimin e saj përzihen një sërë perimesh dhe përgjithësisht në të shtohet edhe mish (i prerë në copa të vogla). Kjo është e njohur, por vetëm pak vetë e dinë që një recetë e vërtetë çorbe, përmban patjetër edhe shegën. Është pikërisht lëngu i shegës ai që i jep veçantinë çorbës dhe që e bën atë një gatim mjaft interesant. Pasi e kemi pastruar orizin, e shtypim dhe e bëjmë si miell, pastaj e vëmë të ziejë në lëngun e mishit. Pasi ka zier, i shtojmë kripë, hedhim lëngun e shegës, i hedhim edhe copat e dhjamit të grira hollë apo në kubikë të vegjël. E lëmë në zjarr derisa të trashet çorba, pastaj i hedhim gjalp dhe piper të shtypur sipas dëshirës.

 

Puding me shegë

Përbërësit: 50 gr gjalp, 50 gr miell, 100 gr sheqer, 0.8 litër qumësht, 100 gr kakao, 100-150 gr salcë portokalli, 150 gr biskota, lëng shege të trashë 4 vezë, 300 gr sheqer për karamelizim.

Përgatitja: Në një tenxhere me bisht ose në një tigan të thellë, hedhim sheqerin me pak ujë dhe e ziejmë derisa të karamelizohet. E shtojmë nëpër forma. Në një tenxhere tjetër hedhim gjalpin, miellin të cilin e skuqim pak dhe i shtojmë qumështin duke e gatuar në formë beshameli. E heqim nga zjarri dhe i shtojmë kakaon, sheqerin dhe biskotat e thërmuara. E përziejmë duke i shtuar edhe vezët dhe e ndajmë nëpër forma. E fusim në furrë për rreth 30 minuta me temperature 180 gradë. Pas kësaj, e lëmë të ftohet, pregatisim pak salcë me portokalle dhe shegë të shtrydhura. I shtojmë pak sheqer dhe mund ta trashim sipas dëshirës me niseshte. E vendosim në pjatë duke e dekoruar sipas fantazisë.

Lëngu i shegës mund të përdoret në sorbeto, ëmbëlsira dhe mbi mollët e pjekura.

 

Ashure me shegë. Përbërësit: 2 gota grurë, 100 gr sheqer, por mund të përdorim edhe sheqerin ngjyrë kafe që është më i lehtë, fruta të thata sipas dëshirës, 100-150 gr fiq të thatë të ndarë në copëza, 100-150 gr rrush i thatë, kanellë dhe pak kokrra shegë.

Përgatitja: Në një tenxhere me ujë të bollshëm hedhim grurin e larë dhe e lëmë të marrë disa valë. Më pas derdhim këtë ujë dhe i hedhim brenda gjithë përbërësit e tjerë dhe aty shtojmë edhe 2 -3 litra ujë. E lëmë të ziejë mirë duke e përzierë herë pas here derisa gruri të jetë gatuar mirë. Kur gruri të jetë i përtypshëm lehtësisht dhe lëngu të ketë arritur trashësinë e duhur, e heqim nga zjarri dhe e hedhim nëpër gota të cilat i spërkasim me kanellë, arra, por edhe kokrra shege dhe fruta të thata që dëshirojmë. Natyrisht që për tu gatuar mirë, duhet të përdoret zjarri i ëmbël (i butë).

 

Panakota me shegë

Përbërësit: 500 gr pana e ëmbël pastiçerie, 500 ml qumësht, 100 gr sheqer, 14 gr xhelatinë pluhur, 300 ml lëng shege, 50 gr sheqer, disa kokrra shege dhe 1 lugë gjelle niseshte.

Përgatitja: Vendosim në zjarr në një enë panën, qumështin dhe sheqerin derisa të ngrohen mirë por jo të marrin valë. Në një tas të vogël hedhim 100 ml ujë të ftohtë dhe xhelatinën që të zbutet për rreth 15 minuta. Më pas e shtojmë tek pana me qumështin dhe e përziejmë mirë. E ndajmë nëpër forma dhe me pas e fusim në frigorifer, dhe e lëmë aty për më se 3 orë. Ndërkohë lëngun e shegës me 50 gr sheqer e ngrohim deri në vlim dhe e trashim me niseshten e tretur në 4-5 lugë ujë të ftohtë. E lëmë dhe këtë të ftohet dhe me të shërbejmë panakotën duke i shtuar dhe disa kokrra shegë dhe nëse kemi dhe ndonjë biskotë.

 

Zhele me shegë

Përbërësit: 1 litër lëng shege, 200 gr sheqer, 18-22 gr xhelatinë pluhur (në varësi të preferencës nëse e duam të fortë apo jo si masë).

Përgatitja: Vendosim në zjarr 800 ml lëng shege me sheqerin dhe e çojmë deri afër vlimit (rreth 900C), por jo ta lëmë të valojë. Ndërkohë me 200 ml lëng, zbusim xhelatinën dhe më pas ia shtojmë lëngut të ngrohtë dhe e përziejmë mirë. E ndajmë në forma të vogla ose nëse kemi një formë të madhe enkas për zhele, e hedhim të gjithë në të. E lëmë të mpikset në frigorifer dhe e shërbejmë të ftohtë. Gjatë shërbimit mund ta shoqërojmë dhe me kokrra shege.

 

Brusketa

Fetat e bukës të prera hollë, të lyera me lëng shege, mbushen me ndonjë lloj salce të përgatitur më parë, mbështillen dhe pastaj futen në furrë për tu pjekur. Mundet që në vend të lëngut të zakonshëm të shegës të përdoret xhelatina e shegës e përgatitur më parë.

 

Sallatë frutash

 Përbërësit: 200 gr kokrra shege, 200 gr luleshtrydhe, 200 gr mjedra, 300 gr shalqi, 200 gr boronica, 1 lugë gjelle sheqer, 1 lugë gjelle lëng limoni, 50 ml verë e bardhë.

Përgatitja: Pastrohen frutat mirë dhe lahen me kujdes. Pritet shalqini në copa relativisht sa një kokërr ulliri. I hedhim të gjitha frutat në një tas dhe më pas shtojmë sheqerin, limonin, dhe verën. I përziejmë me kujdes dhe i mbulojmë. Ruhen në frigorifer për 2 orë dhe kjo sallatë shërbehet e ftohtë.

Githashtu shega përdoret gjërësisht dhe në sallata të tjera, sidomos në ato të cilat përmbajnë gjethe të gjelbëra si spinaqi, rukola, marulja dhe në kombinime të ndryshme, të cilat kanë nevojë për aciditet. Ky aciditet gjendet tek shega më së miri dhe kjo na jep një kombinim shijesh shumë të këndshëm gjatë stinës së verës dhe vjeshtës. Lëngun e shegës mund dhe ta ziejmë ngadalë, duke i shtuar pak sheqer, jo ta valojmë derisa të trashet dhe të kthehet në një lëng të përqëndruar. Kësisoj mund ta ruajmë përgjatë dimrit. Këtë mund ta përdorim në gjellë të yndyrshme me mish të trashë, mund ta hollojmë dhe t’a konsumojmë si limonatë, mund të shoqërojmë dhe me djathëra të ndryshëm.

 

Çaji me lule shege

Për këtë çaj nevojiten 25 gr lule shege, futen në një litër ujë dhe zien 20 minuta në zjarr të ngadalshëm. Nga ky çaj pihet 3 herë në ditë nga një filxhan. Konsumi i këtij çaji që shërben edhe sikurë, vazhdon 2 ditë dhe pastaj ndërpritet për një javë. Lëvozhgat e frutave të shegës kanë veti regjëse. Lëvozhgat, sidomos ato të thatat, para përdorimit, futen në ujë të vakët që të zbuten.

 

Çaji me lëvore shege

Merren 45 gr lëvozhga frutash dhe ziejnë për 30 minuta me 200 ml ujë. Më pas çaji përdoret njëlloj si ai i përgatitur nga lulet, i cili përdoret për dhembjet e barkut dhe hemorroidet, kundër krimbave apo parazitëve të zorrëve dhe shërimin e diarresë, sidomos tek fëmijët.

Për luftimin e parazitëve të zorrëve (amebave) merren lëvozhgat e një shege dhe vendosen në një vorbë prej balte me gjysmë litri ujë dhe valohen gjatë deri sa të mbetet gjysmë litri çaj. Pas ftohjes, kullohet dhe pihen 2 gota çaji në ditë, para mëngjesit dhe para ushqimit të darkës. Kjo kurë vazhdon 15 ditë por pa përdorur ilaçe të tjera dhe organizmi do të lirohet nga amebat e dëmshme.

Çaji me rrënjët e shegës

Çaji i përgatitur nga rrënjët e shegës zhduk shiritat e rrezikshëm në zorrë. Për ta përgatitur, merren 60 gr nga rrënjët e shegëve (mundësisht nga shega e egër), lahen e pastrohen dhe zihen gjysmë ore me 200 ml ujë. Çaji pihet menjëherë në mëngjes esëll. Në kohën pas pirjes së këtij çaji, nëse i sëmuri ka turbullira të mëdha në bark, menjëherë duhet t’i jepet një gotë qumësht ose të konsultohet me mjekun për ndonjë qetësues.

 

Çaji i lëvozhgave të shegës

 Edhe lëvozhga e frutave të shegës ka veti regjëse pasi në përbërjen e saj ka shumë taninë. Lëvozhga e thatë, para se të përdoret, duhet të vihet në ujë për disa orë që të zbutet. Çaji i lëvozhgave të shegës përdoret kundër diaresë, si dhe për luftimin e krimbave parazitarë të zorrëve. Lëvozhga e frutave të shegës lufton me sukses amebat, të cilat e dobësojnë shumë organizmin, e veçanërisht te fëmijët. Për këtë merren lëvozhgat e dy kokrrave të shegës, vendosen në një enë prej balte dhe zihen në një litër ujë derisa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Pasi ftohet lëngu, pihen dy lugë çaji (për të vegjlit) dhe dy lugë gjelle (për të rriturit) në ditë, një në mëngjes e një në darkë, gjithmonë para buke, për 10-15 ditë.

 

Përzierja magjike

Lëng shege me kivi. Përzierje fantastike, antikancerogjene dhe energjike. Si shega ashtu edhe kivi, përmbajnë sasi të konsiderueshme të vitaminës C, ndaj kombinimi i tyre shikohet si përzierje me mjaft vlera. Merren 20-30 gramë lule shege në një litër ujë dhe vihen të zihen për gjysmë ore. Nga ky çaj merren 2-3 gota çaji në ditë, deri në gjysëm me këtë çaj dhe gjysma tjetër me lëng kivi. Edhe lëvozhga e frutave të shegës ka veti të përmirësojë gjendjen e florës bakteriale të zorrëve. Ndaj çaji i tyre mund të përzihet me lëngun e shegës dhe të kivit dhe të pihet dy herë në ditë.

Lëvore e shegës me mjaltë

Nëse përziejmë mjaltin me lëvoren e shegës, mund të kurojmë ulçerën e stomakut. Mënyra e përdorimit: merret një lugë të vogël nga përzierja e mjaltit me lëvoren e shegës të bluar (në sasi të barabarta), tre herë në ditë, 15 minuta para ngrënies. Nuk duhet ngrënë përzierja pas shërimit, pasi marrja e kësaj kure për kohë të gjatë, mund të sjellë çrregullime në metabolizëm.

 

Përgatitja e pluhurit të lëkurës së frutit të shegës

 Merren 4-5 fruta shege dhe priten në katër pjesë për së gjati. Hiqen të gjitha kokrrat dhe veçohen lëkurat, më pas çdo lëkurë pritet në dy gjysma. Me një thikë hiqet e pjesa e verdhë e brendshme e lëkurës së frutit, nëse duam të përdorim lëkurën e frutit për qëllime terapeutike. Pjesa e verdhë kur thahet dhe bluhet, ka një shije të hidhur në recetat e përgatitura me të. Megjithatë, nëse përdoret për përdorim të jashtëm, mund të mos hiqet pjesa e verdhë e lëkurës së frutit. Më tej lëvoret e frutit vendosen në një pjatë ose rrobë të thatë, duke bërë kujdes që ato të mos mbivendosen me njëra-tjetrën. Pjata vendoset në kontakt të drejtpërdrejtë me rrezet e diellit dhe lihen aty që thahen. Lëkurat mbahen në diell çdo ditë derisa të bëhen të forta dhe të humbasin të gjithë lagështirën. Pastaj lëkurat e thata bluhen për 2 minuta në një blender të pastër dhe të thatë. Lëkurat e thara dhe të bluara ruhen në një vazo qelqi të mbyllur hermetikisht. Këtë pluhur e përziejmë në raportin 1:1 me mjaltë ose me vaj ulliri dhe mund të përdoret kundër parazitëve, kundër infeksioneve apo inflamacioneve të ndryshme.

Shega dhe mburoja e saj për gratë

 Shega ka përbërje komplekse dhe ka në përmbajtje shumë lëndë të dobishme për njeriun. Studiuesit këshillojnë gratë që të konsumojnë shegë në menopauzë, për të bërë të mundur që gruaja të ketë mbrojtje më të madhe nga sëmundjet e zemrës, arterioskleroza, dobësimi i kockave dhe kanceri i gjirit. Kur femrat kalojnë në menopauzë, mund të komplikohen aspekte të ndryshme fiziologjike në organe të ndryshme të gruas. Ndërkohë, shega ka aftësi të asgjësojë qelizat kanceroze me mënyrën e vetëshkatërrimit të tyre, pa i dëmtuar qelizat e shëndetëshme. Përmbajtja e hekurit që ka shega dhe vitamina C e bën atë forcues të gjakut, e cila mbron nga ulja e tensionit dhe anemia. Sa më shumë të konsumojnë gratë shegë aq më shumë do i ndihmojë ato të jenë më të gjalla dhe më elastike.

Dobitë e shegës për burrat

 Studiuesit zbuluan gjithashtu se shega ka antioksidantë të fuqishëm dhe ndihmon gjithashtu edhe burrat që shfaqin impotencë në shkallë të ndryshme. Për burrat që vuajnë nga impotenca, këshillohet që të konsumojnë nga lëngu i shegës (1/4 deri ½ litër për çdo ditë), për një muaj rresht.

 

Përforcuese e ngjyrës

 Lëngu i përfituar nga zierja e lëkurës së shegës përforcon ngjyrat, sidomos ngjyrosjen natyrale të flokut njësoj si kënaja, ndaj edhe është përdorur gjerësisht krahas me gjethet e arrës dhe ngjyra të tjera natyrore.

 

Hardalli

 Mblidhen shegët e egra pasi të jenë pjekur mirë. Qërohen nga lëvoret, hiqen kokrrat me dorë dhe hidhen në një enë të madhe e cila mirë është të jetë me një rubinet në fund. I shtojmë ujë pa klor në raportin një 1 kg kokrra shege me 10 litra ujë dhe i mbyllim hermetikisht. Një herë në javë hapim kapakun dhe i heqim cipën e bardhë që ka krijuar si edhe kokrrat që dalin në sipërfaqe. Pas një muaji, lëngu i përfituar është gati për t’u konsumuar si pije freskuese por shumë i mirë edhe pas konsumimit të ushqimeve të rënda si mishëra e yndyrëra të tjera. Sipas dëshirës, në fillim të përgatitjes, në enë mund të shtojmë 2-5 kg boronica, po kaq manaferra, mjedrra, dëllinja, apo fruta të tjerë të pyllit apo të kultivuara.

 

Shurup shege me mjaltë dhe raki shege

 Merren shegat e egra (zgjidhen më të mirat dhe më të pjekurat) dhe lahen mirë, u hiqet në mënyrë rrethore një pjesë e hollë bashkë me lulen dhe pjesa e bishtit. Më pas ndahen në katër ose gjashtë pjesë, kjo sipas madhësisë së kokrrës. Hidhen në një enë e cila duhet të jetë me mbyllje të fortë, pra hermetike dhe mundësisht qelqi dhe mbulohen me mjaltë. Lihen në errësirë për dyzet ditë dhe pastaj kullohen me një napë. Lëngu i përfituar është aq i mirë sa ka të gjitha vetitë që thamë më lartë për shegën si frut por edhe lëkura e saj. Por, nuk kemi mbaruar, sepse marrim bërsitë e mbetura dhe pasi ju kemi shtuar ujë ose disa litra hardalli, i hedhim në kazan dhe i ziejm njësoj si bërsitë e rrushit duke i bërë raki shege.

Prof. As. Dr. Zef GJETA

Instituti i Resurseve Gjenetike Bimore

Na Ndiqni në: