Shoqëritë e Kursim Kreditit si “banka” te fshatit në financimin e ekonomive fermere.

( SHKK Fed Invest-alternativa e duhur për financim )

Prof. Drini Salko

 

1.     Hyrje

Mundësitë e prodhuesve bujqësore për burime financiare shtesë kane qene dhe ende  janë mjaft kufizime megjithe efektin pozitiv të tyre në prodhim, ristrukturimin e fermës dhe investimet që duhet të kryhen. Këto kufizime janë rezultat i kombinimit të faktorëve që rrjedhin nga informacioni i kushtueshëm dhe jo i plote në tregjet financiare rurale si dhe i një sërë problemesh specifike që karakterizojnë sektorin rural. Zgjerimi dhe mirë-funksionimi i fermave dhe aktiviteteve të tjera bujqësore, kërkon më shumë se sa burime natyrore, kërkon burime financiare për t’i bërë këto burime natyrore sa më të frytshme. Nga dy burimet kryesore të financimit, të jashtëm e të brendshëm, fondet e brendshme janë komponenti me i rëndësishëm. Në shumicën e vendeve me të ardhura të ulëta, financimi nëpërmjet mikrokredive [2] është dominant në sektorin rural. Mikrokreditë e akorduara në sektorin rural, fillimisht synojnë uljen e varfërisë dhe në një etape të mëvonshme zhvillimin e ekonomive fermerë duke ndikuar në rritjen e te ardhurave nga shitja e produkteve bujqësore dhe blektorale. Në Shqipëri tashme prej shumë vitesh funksionon tregu i mikrokredive në sektorin rural, me një ndikim të dyanshëm social ekonomik; ulje të varfërisë familjeve fermere dhe zhvillimin dhe konsolidimin e ekonomive fermerë. Një ndër burimet kryesore monetare që do të plotësonte një pjese të konsiderueshme të financimeve për bujqësinë, janë dhe kursimet e vetë këtij sektori. Në ketë kontekst në mendojmë se është e rëndësishme që në stadin aktual të zhvillimit në sektorin rural, duhet të synohet transferimi intensiv nga sistemi i mikrokredive në sistemin e mikrofinancës. Mikrofinanca nënkupton  krahas  mikrokredive, edhe realizimin e një sere shërbimesh të tjera  financiare për sektorin rural që kanë të bëjnë me mobilizimin e kursimeve dhe ofrimin e shërbimeve të tjera që karakterizojnë një treg financiar rural. Pra, mikrofinanca mund të përkufizohet si ofrimi i shërbimeve financiare për sipërmarrësit e vegjël në fshat që janë ekonomitë fermerë. Ajo kombinon motivin e kërkimit të fitimit me prioritetet e zhvillimit social ekonomik të këtyre ekonomive.

 

  1. Mikrofinanca në sektorin rural

 

Zhvillimi i sektorit bujqësor në kushtet e ekonomisë së tregut, kërkonte dhe kërkon një mbështetje financiare për të realizuar investime të domosdoshme me qellim ritjen e prodhimit bujqësor e blegtoral në tregun vendas dhe ate te huaj. Kërkesa për kredi nga sektori i bujqësisë ka qene dhe është e lartë. Fermerët individuale kërkojnë mundësi për kredi me qellim që të blejnë inpute, makineri e pajisje, për përballimin e shpenzimeve për krijimin e serave, punishteve përpunuese të prodhimeve bujqësore dhe blegtoralë, ngritjen e vreshtarisë apo blloqeve drufrutore etj. Për plotësimin e  kërkesës për kredi në sektorin rural,  janë tre ofrues kryesor të financimeve; Sistemi Bankar, Institucionet Financiare të  Mikrofinances (IFM) dhe mbështetja buxhetore nëpërmjet skemave tashme te ngritura dhe që po funksionojnë plus fondet e donatoreve. Madhësia e vogël e ekonomive fermerë, nënkupton që ofruesit e financimeve për to, të akordojnë mikrokredi por që shuma mesatare e tyre ka pasur evoluimin  në rritje gjatë më shumë se dy dekadave të fundit. Tashme, kjo shumë mesatare e akorduar për një ekonomi fermerë  luhatet nga  20,000 deri 50,000 lekë në vitet e para të tranzicionit, në 300,000 deri 2,000,000 lekë në vitet e fundit duke  reflektuar edhe kërkesën  për realizimin e investimeve  me synim daljen në treg të këtyre ekonomive.

 

Tregu bankar i mikrokredive. Megjithëse Sistemi Bankar Shqiptar është segmenti me i zhvilluar i Sistemit Financiar të vendit, duhet pranuar se financimi i sektorit rural dhe veçanërisht i ekonomive fermerë ka qenë i ulet apo i papërfillshëm. Nëse  i referohemi treguesit te kredidhënies nga Sistemi Bankar Shqiptar për sektorin rural, ai ka qenë  historikisht në shifrat 0.9 % deri 1,7 %  të tepricës së kredisë së akorduar gjithsej nga ky sistem. Megjithë rritjen e interesimit te disa bankave ( Banka Credins, Raiffeisen, BKT etj) ende kredidhenia nga ky sektor mbetet mjaft e ulët. Ndër shkaqet e mos kreditimit të ekonomive fermerë nga bankat tregtare mund të rendisim:

  • Mungesa e kapacitetit institucional të bankave tregtare, për shkak të kostos së lartë që kanë kreditë e vogla. Bankat tregtare i konsiderojnë veprimtaritë e ekonomive fermerë të vogla dhe për rrjedhojë, huadhënien për to të kushtueshme.
  • Madhësia e vogël e fermave dhe të ardhurat e pamjaftueshme të tyre, pengojnë thithjen e investimeve formale në sektorin e bujqësisë e në sektorë të lidhur me të.
  • Normat relativisht të larta të interesit (për shkak të primit shumë të lartë për rrezikun e kredisë) janë një faktor tjetër pengues. Fermerët e vegjël nuk mund të shlyejnë kredinë me kushtet tregtare që ofron Banka tregtare.
  • Bankat nuk angazhohen në kredidhënien në bujqësi, sepse ato i shohin fermat si aktivitete jo të vazhdueshme dhe jo shumë të qëndrueshme. Kjo është edhe rrjedhojë e tendencës së zhvendosjes së familjeve fshatare drejt zonave urbane.
  • Fermerët e vegjël shpesh kanë mungesë kolaterali për të plotësuar kërkesat e bankës. Mosfunksionimi i tregut të tokës është një pengesë relativisht e madhe për kreditimin, sepse toka ende nuk preferohet të shërbejë si kolateral.
  • Mungesa e infrastrukturës bankare në sektorin rural, që shfaqet në mos shtrirjen e veprimtarisë së bankave në këtë sektor.

 

Bankat janë veçanërisht me aktive në mikrofinancimin në zonat urbane ku veprojnë ekonomi të agrobiznesit të konsoliduar dhe me kapacitete të mëdha që mund të konsiderohen si industri agro-përpunuese..

 

Institucionet Financiare të Mikrofinances. Në Shqipëri prej shume vitesh operojnë një numër institucionet financiare jo-bankare, roli i te cilave është dominant në tregun e mikrokredive. Këto institucione financiare jo-bankare, shpesh e kanë pasur fillesën e tyre nga projekte të donatorëve që kane akorduar fonde për financim në Shqipëri  dhe që më vonë janë transformuar në institucione financiare të mikrofinancës.

Ndryshe nga sektori bankar, sektori jo-bankar dhe ai i mikro kredive, është më i gatshëm për të dhënë kredi te ashtuquajtura te vogla sipërmarrjeve te vegjël, bizneseve të sapo-krijuara si dhe fermerëve si kredi individuale. Kushtet për mikrofinancimet nga ana e këtyre institucioneve vlerësohet të jetë më e lehtë krahasuar me termat e kreditimit të bankave, për bizneset e vogla. Kreditë e ofruara nga ana e këtyre institucioneve janë kryesisht afat-shkurtra, në monedhën vendase dhe mënyra e pagesës së këstit përkon me të ardhurat sezonale e fermerëve / bizneseve rurale. Portofoli i kredisë së këtyre institucioneve ka një shpërndarje të gjerë gjeografike dhe në zonat e thella rurale në sektorin bujqësor dhe blegtoral të ekonomisë lokale.

 

Në Shqipëri, ekzistojnë shumë institucione mikrofinancuese. Sipas klasifikimit të Bankës së Shqipërisë, institucione e mikrofinances mund të klasifikohen sipas aktivitetit ekonomik në: a) Institucione financuese jo- bankare (IFJB) dhe b)Shoqëritë e Kursim dhe Kreditimit (SHKK). Tashme  këto institucione kanë rregulluar politika kredituese  me synim që jo vetëm të mbështesë me kredi në shuma të vogla fermerët, por edhe financimin e sipërmarrjeve të tyre që synojnë daljen në treg me prodhimet e tyre.

Financimi nëpërmjet mbështetjes buxhetore dhe  projekteve të ndryshme me fondet e donatorëve. Një  burim i rëndësishëm financimi për ekonomitë fermere kanë qenë edhe fondet e akorduara nga donator të ndryshëm (Banka Botërore, BERZH, USAID, FAO, GTZ etj). Projekte të shumta me financimin e donatoreve janë realizuar ose si komponentë me vete ose nëpërmjet bashkëpunimit me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit (sot Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave). Mjafton të përmendim projektin e realizuar  nga kjo ministri ai i ”Grandeve me konkurrim“  që financoi mjaft sipërmarrje në bujqësi, efektet e të cilit tashmë kanë filluar të japin frytet e saj. Megjithatë, këto financime kanë qenë të segmentuara dhe jo të koordinuara me të gjitha hallkat e zhvillimit të këtij sektori.

  1. SHKK FED-Invest një institucion i besueshëm në financimin e ekonomive fermere.

SHKK  FED Invest është  bashkimi vullnetar i Shoqërive të Kursim Kreditit, i krijuar më Janar 2002. Shoqëritë Kursim Kredi janë struktura financiare të fshatit të vetë-krijuara, të vetë-administruara dhe të vetë- financuara nga anëtarësia e tyre. Ky institucion mikrofinanciar është ndër strukturat më të hershme dhe lider në financimin e sektorit bujqësor e blegtoral  në vend. Ai është një institucion i veçante në tregun e mikrofinances shqiptare. Klientët e SHKK  FED Invest janë kryesisht banorë të zonave rurale, të cilët njëkohësisht janë edhe anëtarë dhe njëkohësisht pronare të këtij institucioni E veçanta e institucionit është fakti që vetëm anëtaret/pronare te tij marrin shërbimet financiare që ofrohen ku përfshihen krahas financimit nëpërmjet kredive  edhe vendosja e depozitave  apo edhe shërbime te tjera financiare. në thelb ky institucion bazohet në parimet e funksionimit te kooperativave te kreditit te vendeve perëndimore dhe duke pranuar depozita dhe akorduar kredi për fermerët operon si një “banke “ fshati por që ka avantazhet kundrejt bankave tregtare që operojnë në Shqipëri. SHKK Fed Invest nuk ka objektiv fitimin pasi SHKK-të administrohen në mënyrë vullnetare nga vetë anëtarët dhe u mundëson ofrimin e shërbimeve konkurruese për banorët e zonave rurale. FED Invest dhe rrjeti i SHKK-ve ndryshojnë nga institucionet e tjera financiare pasi ofron:

  • Zbatimin e parimit nga institucioni te “antarit në qendër”
  • norma interesi më të ulta të kredive në tregun e mikrokredive,
  • normat me te larta të interesit për depozitat krahasueshmerisht me bankat tregtare
  • procedurat me te thjeshta dhe me te shpejta te miratimit të kreditimit;
  • përvoja gati 28 vjeçare në financimin në nivel fshati dhe në zonat rurale;
  • angazhimi i një stafi me eksperience dhe te kualifikuar në fushën e financimit rural si dhe angazhimin e te zgjedhurve  nga banorët e zonave rurale, fermerët dhe sipërmarrësit ruralë në shqyrtimin dhe aprovimin e kredive
  • sigurimi i asistencës teknike për anëtarët e shoqërive.

SHKK Fed Invest tashme ka një qëndrueshmëri financiare dhe që bazohet në përdorimin me efektivitet te kapitalit te saj që është i formuar nga kuotat e antarësise, te depozitave te fermerëve si dhe të  fondeve nga burime tregtare si një mënyre e forcimit te qëndrueshmërisë se tyre afatgjate.  Ky institucion tashme i nënshtrohen rregullave të licencimit dhe të mbikëqyrjes nga ana e Bankës se Shqipërisë, duke i shërbyer kështu konsolidimit të tij . Në Janar 2016, Banka e Shqipërisë licencoi SHKK “FED Invest në bazë të vendimit të Asamblesë themeluese, e cila miratoi bashkimin me përthithje të SHKK-ve anëtarë të Unionit në një SHKK të re: “FED invest” si një institucion më i konsoliduar në kuadër të projektit të mbështetur dhe financuar nga partnerë strategjikë si Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) dhe RIAS/ Rabobank e Hollandës. Përfshirja se fundi në skemën e sigurimit të depozitave (garantohen nga Agjencia e Sigurimit te Depozitave shuma deri në 2,000,000 leke te vendosura nga antaret)  është  një garanci me shume për klientët/anëtare te këtij institucioni.

Në fund të vitit 2020 SHKK Fed Invest zë pjesën më të madhe të tregut të  mirokredisë në bujqësi. Ky institucion:

  • e shtrin veprimtarinë në 60 degë në gjithë vendin dhe në mbi 2500  fshatra
  • portofoli i kredisë së SHKK Fed Invest  ishte  38  miliardë lekë që përfaqësohen nga mbi 13,000 kredimarres aktiv
  • totali i depozitave të kursimit nga antaret rezultojë rreth 4.4  miliardë lekë.
  • Rreth 60 % e portofolit te huas se akorduar është për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. Pjesa tjetër përfshin kreditimin e aktiviteteve te tregtisë, shërbimeve agrobiznesit etj.
  • Institucioni vazhdon te jete prej shume vitesh me rezultat financiar pozitiv, gjë që reflekton qëndrueshmërinë financiare te tij.

Ndikimi i financimit te veprimtarive ekonomike te fermerëve ka qene  rritja e të  ardhurave te tyre nëpërmjet bizneseve te qëndrueshme . Bazuar në vrojtimin e realizuar me fermerë të zonave ku operon SHKK Fed Invest vërtetohet fakti i rritjes së të ardhurave  nga ekonomitë e tyre si rrjedhoje e financimit nga ky institucion. Gjatë realizimit të intervistimit të fermerëve kredimarrës  ata i lidhnin  rritjen e të ardhurat e tyre me numrin e viteve si anëtare të ASC Unionit. Anëtaret me një histori me te gjate  si huamarrës me SHKK Fed Invest kane siguruar në vite të ardhura më të larta rrjedhoje kjo e investimeve te realizuara. Eksperienca me e gjate e tyre si anëtarë te ASC Union  u ka dhëne mundësi dhe lehtësi në huamarrje pasi kanë fituar besimin e institucionit te tyre. Si rezultat i një anëtarësimi të gjatë ndërtohet një marrëdhënie më e fortë dhe besim më i lartë ndërmjet klientit antar dhe institucionit financiar.

 

Gjithashtu, ekziston një marrëdhënie midis të ardhurave në muaj dhe numrit të huave të marra e cila tregon që me kalimin e viteve, numri i huave të marra rritet duke sjellë të ardhura më të larta dhe mundësi më të mira ekonomike.

Aktualisht SHKK Fed invest për 2-3 vitet e ardhshme synon realizimin e dy objektivave afatshkurtër:

Se pari rritjen e financimit nëpërmjet  kredive me objekt realizimin e investimeve në ekonomitë fermerë që të prodhojnë për treg.

Se dyti institucioni është në fazën e aplikimit te produkteve apo shërbimeve te reja financiare përveç akordimit te kredive dhe marrjes se depozitave te kursimit. Këto  produktet apo shërbime financiare që nuk kane ekzistuar më parë në treg  ose ndryshojnë në mënyre substanciale nga shërbimet ekzistuese i japin mundësinë institucionit jo vetëm që te marre fizionominë e një banke fshati por mundësinë e qëndrueshmërisë dhe konsolidimit financiar. Tashme janë në proces implementimi produkte apo shërbime te reja te tilla si, depozita fleksible, hapja e shërbimit te llogarive, realizimi i pagesave te anëtareve nëpërmjet internet Banking, kryerja e transfertave  mes llogarive te anëtareve etj

Të dy këto drejtime do të bëjnë që natyrshëm të kalohet përfundimisht dhe plotësisht  nga mikrokrediti tek mikrofinanca si instrument që zhvillon me shpejt  sektorin rural. Nga ana tjetër fermerët nëpërmjet anëtarësimit pranë këtij institucioni kane një alternative mjaft të dobishme për të siguruar financimin e nevojshëm te veprimtarisë së tyre me qëllim rritjen e veprimtarisë ekonomike dhe për rrjedhoje edhe të  ardhurave të tyre.

[1] Lektor në “Finance”, Fakulteti i Ekonomise dhe Agrobiznesit, Universiteti Bujqësor, Tiranë

[2] Koncepti i mikrokredisë u zhvillua gjeresisht për herë të parë nga Muhamed Yunus , fitues i çmimit Nobel në ekonomi dhe krijues i Grameen Bank, Bangladesh

Na Ndiqni në: