Nis Konferenca Ndërkombëtare për Bujqësinë dhe Shkencat e Jetës ICOALS 3

Nisi sot punimet Konferenca e 3-të Ndërkombëtare për Bujqësinë dhe Shkencat e Jetës ICOALS 3, organizuar nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Me mbështetjen dhe financimin e GIZ Albania, konferenca ka parashikuar në dy ditët e zhvillimit të dhjetëra sesioneve të saj, pjesëmarrjen e më shumë se 300 personave, ndër të cilët profesorë, eksperte/ë, specialistë nga fusha të ndryshme të bujqësisë, vendas e të huaj që do të mund të prezantojnë një sërë punimesh shkencore, studime, gjetje e konkluzione për tematika të ndryshme.

Sesioni i parë i konferencës ishte “E ardhmja e bujqësisë në Shqipëri, perspektiva dhe sfidat”.  Në të mori pjesë zv/ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici; ekspertja e GIF-GFA Birgit Schafer, zv/rektorja e UBT-së për Shkencën dhe Projektet, Erinda Lika; Rektori Fatbardh Sallaku; Steffen Nolepa nga HFFA, Berlin; Evelina Hazizaj, koordinatore kombëtare e Rrjetit Kombëtar për Zhvillimin Rural dhe sipërmarrësi privat Ruzhdi Koni.

Sesioni i dytë  me temë “Transformimi i gjelbër i Ballkanit Perëndimor përmes bashkëpunimit, inovacionit dhe transferimi i njohurive – një qasje rajonale” mblodhi gjithashtu në një panel ekspertësh, vendas e të huaj ndër të cilët profesorë italianë nga Universiteti i Molisses, përfaqësues nga SËG, Prof. Endrit Kullaj- UBT, përfaqësues nga IPARD si dhe administratorja e përgjithshme e “Subashi Olive Oil”.

Pas prezantimeve të kryera nga disa prej të ftuarve specialë në sesionet përkatëse u zhvilluan edhe seanca të posaçme për pyetje dhe përgjigje nga të pranishmit.

Në kuadër të festimeve me rastin e 70-vjetorit të UBT-së, universiteti kishte planifikuar gjithashtu pas përfundimit të ditës së parë të ICOALS 3 edhe një festë për të gjithë stafin dhe të ftuarit e tjerë, festë gjatë së cilës u shpërndanë edhe disa çertifikata nderi e mirënjohjeje për pedagoge/ë të UBT për kontributin, punën e palodhur dhe përkushtimin e dhënë ndër vite në/për UBT-në dhe jo vetëm.

Na Ndiqni në: