Në një atmosferë entuziasmuese u zhvillua sot në kampusin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, ceremonia e diplomimit për studentët e vitit akademik 2021-2022. Me një pjesëmarrje masive të studenteve/ëve, prindërve e familjarëve të tjerë të tyre, anëtarëve të stafit akademik të universitetit, ceremonia mirëpriti si të ftuar të nderit edhe ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.
‘’Me kapelet që hodhën drejt qiellit sot, 1577 studentet/ët e Universitetit Bujqësor të Tiranës nga 5 fakultetet e tij, ai i Bujqësisë dhe Mjedisit, Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Bioteknologjisë dhe Ushqimit, Mjekësisë Veterinare dhe fakultetit të Shkencave Pyjore, ata nuk mbyllën sot një cikël të jetës, por nisën një rrugë të re, një rrugë që do t’i çojë në fakt drejt një destinacioni, atë të lumturisë të të kontribuuarit në sisteme të qëndrueshme dhe në zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë së vendit’’- tha ndër të tjera ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit në fjalën e saj të përshëndetjes.
Më mjaft emocione u përcollën edhe fjalimet e përgatitura me këtë rast nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku i cili përveç urimit për të rinjtë e sapodiplomuar, i inkurajoi ata të ndjekin ëndrrat e tyre dhe se derën e UBT-së do ta gjejnë gjithmonë të hapur si edhe fjalimet përshëndetëse të mbajtura nga dekanët e të gjithë fakulteteve të universitetit.
Ky vit akademik listoi 1577 studente/ë të diplomuar në rreth 60 degët e studimit në UBT. Për disa prej tyre u shpërndanë në ceremoninë e organizuar përveç diplomave përkatëse, edhe çmime vlerësuese për arritjet e shkëlqyera. Rektori i UBT-së dhe ministrja Krifca shpërndanë çertifikatat për studentet/ët me medalje ari dhe studentet/ët ekselentë.
Zhvillimi i ceremonisë së diplomimit të studenteve/ëve të UBT-së organizuar gjithashtu në kuadër të ditëve akademike me rastin e 70-vjetorit të universitetit, vijoi me një atmosferë elektrizuese dhe tepër festive për të rinjtë të cilët shijuan përveç ritmeve muzikore edhe ushqime e pije të ndryshme. Festës së pagëzuar me emrin “Natë e Bardhë” iu bashkuan edhe anëtarë të stafit akademik e atij administrativ të universitetit.