RitaE - www.pixabay.com

Çrregullimet e të ushqyerit gjatë pandemisë së Covid-19

Çrregullimet e të ushqyerit në dy dekadat e fundit kanë ngjallur interes të madh në media dhe në  mbarë popullsinë botërore edhe pse në Shqipëri pak njihen e trajtohen. Studimi i shkaqeve të tyre vazhdon të jetë në fokus të vëmendjes së studiuesve dhe një sfidë e përditshme e specialistëve të përfshirë në trajtimin e tyre.

Gjithsesi, ndërveprimi kompleks i faktorëve biologjikë, psikologjikë dhe socialë duket se luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e çrregullimeve të të ngrënit. Ato karakterizohen nga një çrregullim i vazhdueshëm i ngrënies ose nga sjellje të lidhura me ushqyerjen, të cilat rezultojnë në konsum ose përthithje jo të rregullt të ushqimit.

Këto çrregullime përbëjnë  gjendje të mirëfillta patologjike që ndikojnë në  zhvillimin e trupit, shëndetin fizik e mendor dhe mund të rezultojnë  në komplikacione akute dhe kronike. Të tilla çrregullime janë veçanërisht të përhapura në gjininë femërore, në adoleshencë dhe në gratë e reja, kryesisht në moshat 12 deri në 35 vjeç, por mund të prekin edhe meshkujt e të gjitha grupmoshave. Në pjesën më të madhe të rasteve është i vështirë  identifikimi i simptomave të para sepse shpesh ata që preken nga të tilla çrregullime, priren të fshehin sjelljet e sëmundjes.

Përsa i përket klasifikimit të tyre, ‘’American Psychiatric Association’’ njeh tri çrregullime kryesore të ushqyerjes; anoreksinë nervore, buliminë nervore, çrregullimin nga ngrënia e pakontrolluar si dhe një grup çrregullimesh të tjera të të ushqyerit. Në Shqipëri aktualisht nuk ka të  dhëna statistikore të mjaftueshme rreth popullatës dhe grupmoshave të prekura nga të tilla çrregullime.

Anoreksia nervore fillon kryesisht në adoleshencë duke ndjekur një dietë të rreptë dhe me pak kalori, e cila rezulton në humbje të theksuar të peshës. Përveç rënies në peshë, anoreksia nervore shoqërohet me frikën për të fituar kile të tepërta dhe me vlerësimin e gabuar e të tepruar të peshës dhe formave trupore. Rënia në peshë mund të arrihet edhe duke kryer një aktivitet fizik të tepruar dhe të detyruar, duke nxitur të vjella ose duke përdorur në mënyrë jo të duhur laksativë ose diuretikë.

Bulimia nervore zakonisht fillon me një dietë ekstreme e të rreptë. Rreth një e katërta e të prekurve ka një periudhë gjatë së cilës plotëson kriteret diagnostike të anoreksisë nervore. Pas një periudhe të caktuar, ngrënia e tepërt e sasive të mëdha të ushqimit ndërpret dietën ekstreme. Shumica e episodeve bulimike ndiqet nga sjelljet eleminuese kompensuese, të tilla si të vjellat e induktuara, përdorimi jo i duhur i laksativëve dhe /ose diuretikëve ose nga sjelljet kompensuese jo eliminuese, të tilla si kufizimet ekstreme dietike ose aktiviteti fizik i tepruar dhe i detyruar. Edhe në buliminë nervore është i pranishëm vlerësimi i tepruar e i gabuar i peshës dhe formave të  trupit, ideja e perfeksionit dhe vetëvlerësimi i ulët.

Çrregullimi nga ngrënia e pakontrolluar (çrregullimi binge-eating) megjithëse ka të përbashkët episodet bulimike me buliminë nervore, paraqet disa ndryshime; episodet bulimike nuk ndiqen nga ushtrimi i rregullt i sjelljes kompensuese dhe këto episode ndodhin në situata kur ekziston një tendencë e përgjithshme për mbingopje më shumë sesa për kufizime dietetike. Një gjë e tillë shpjegon lidhjen e fortë të këtij çrregullimi me mbipeshën dhe obezitetin; është e zakonshme edhe tek burrat. Në çrregullimin ‘’binge-eating’’, ngrënia e tepërt dhe e sasive të mëdha të ushqimit nuk ndiqet nga ushtrimi sistematik i sjelljeve të kompensimit.

Deri më sot janë identifikuar edhe një sërë çrregullimesh të tjera të cilat e bëjnë diagnostikimin e tyre të  vështirë dhe kompleks. Trajtimi i këtyre çrregullimeve kërkon ndërhyrje multisektoriale dhe të  specialistëve të fushave të ndryshme si të psikologut, nutricionistit/dietologut dhe mjekëve të  specialiteteve të ndryshme, ashtu siç është shumë e rëndësishme edhe përfshirja e familjes dhe e shoqërisë.

Këto çrregullime mbeten dhe sot në fokus të vëmendjes për shkak të pandemisë aktuale që ka pushtuar mbarë botën.  Emergjenca shëndetësore, shkaktuar nga përhapja e koronavirusit SARS-CoV-2 (COVID-19), përcaktoi në shkallë globale një ndërprerje të praktikave të jetës së përditshme, për shkak të masave kufizuese dhe izoluese që qeveritë e vendeve të ndryshme miratuan për të parandaluar përhapjen e këtij virusi.

Masat kryesisht përkonin me reduktimin drastik të lëvizjes së njerëzve, të lejuara vetëm në raste nevoje dhe ushtrimin gjithnjë e më masiv të smartëorking. Kjo solli një ndryshim të pashmangshëm të stilit të jetesës, sidomos në lidhje me mundësinë e praktikimit të aktivitetit fizik, por edhe në lidhje me zakonet ushqimore dhe manaxhimin e kohës së lirë.

Personat me çrregullime të të ushqyerit paraqitën një përkeqësim të simptomave, shkaktuar kryesisht nga faktorë si ndërprerja e rutinës ditore, mungesa e aktiviteteve jashtë dhe atyre sociale, ekspozimi ndaj përmbajtjes ankth-provokuese dhe induktuese ndaj çrregullimeve të të ngrënit në mediat sociale, shqetësimi emocional i shkaktuar nga frika e infektimit me COVID-19 etj. Si rrjedhojë distancimi social, mungesa e kontaktit shoqëror dhe izolimi në shtëpi u reflektuan në vështirësi në rregullimin dhe qëndrueshmërinë emocionale, sfidë e shtuar për personat me anoreksi nervore, bulimi nervore dhe me çrregullim nga ngrënia e pakontrolluar.

Raste të tjera si për shembull, stoku i kufizuar i ushqimeve në fillimet e pandemisë, mund të ketë ndikuar në qasjen e këtyre pacientëve ndaj ushqimeve të përshtatshme. Nga ana tjetër, mungesa e ushqimit mund të ketë shkaktuar ndjenjën e fajit gjatë blerjeve të ushqimit nga pacientët me anoreksi nervore, të cilëve u rekomandohen dieta hiperkalorike. ‘’British Broadcasting Corporation Neës’’ intervistoi një grua të shtruar më parë në spital për anoreksi nervore e cila deklaroi: “Kam frikë nga sasia e njerëzve në dyqanet ushqimore, nga fakti që ushqimet e përshtatshme për mua nuk janë në dispozicion apo kur mendoj se ky ushqim mund t’i nevojitet dikujt tjetër’’.

Edhe koha e lirë e tepërt në shtëpi, në kombinim me bollëkun e ushqimit, mund të shkaktojë dhe të shërbejë si shtysë për çrregullimin nga ngrënia e pakontrolluar. Gjithsesi deri më sot, studimet dhe kërkimet për vlerësimin e ndikimit të pandemisë COVID-19 mbi çrregullimet e të ngrënit, janë ende shumë të pakta. Kërkohet hulumtim i mëtejshëm për të forcuar qasjet e bazuara në evidenca për menaxhimin e çrregullimeve të të ushqyerit gjatë krizës aktuale të shkaktuar nga COVID-19.

 

Sanije Zejnelhoxha
PhD Candidate in International PhD in Agricultural Technologies and Biotechnology, University of Molise, Italy.

Na Ndiqni në: