BREZAT PYJOR MBROJTËS DHE GARDHET E GJALLË

Brezat mbrojtës përdoren kryesisht në zonat bujqësore dhe synojnë shtimin e prodhimit bujqësor e blegtoral nëpërmjet ndikimit, që ushtrojnë për pakësimin e efektit negativ të faktorëve klimatikë. Praktikat agropyjore me breza mbrojtës dhe gardhe të gjallë janë të larmishme dhe gjejnë zbatim për mbrojtjen e kulturave bujqësore, për mbrojtjen e kafshëve bujqësore, apo për mbrojtjen e mjediseve të banuara në fermë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës. Përveç kësaj brezat mbrojtës pyjorë gjejnë përdorim të gjerë edhe në mbrojtjen e qëndrave urbane nga erërat e dëmshme, të rrugëve e hekurudhave, etj. dhe ndikojnë në pakësimin e zhurmave, pluhurit, etj. në zonat me qarkullim të madh automjetesh. Synimi kryesor i krijimit të brezave mbrojtës është eliminimi i efekteve negative të erërave të dëmshme nëpërmjet zvogëlimit të shpejtësisë së tyre, por përveç kësaj brezat mbrojtës:
1) Përmirësojnë cilësinë dhe rritin rendimentin e kulturave bujqësore;
2) Përmirësojnë efikasitetin e ujitjes;
3) Pakësojnë humbjen e energjisë nga blegtoria;
4) Zvogëlojnë humbjen e energjisë në mjediset e fermës dhe mbrojnë e përmirësojnë kushtet e jetesës. Brezat mbrojtës pyjorë krijohen vetëm në terrenet fushorë nëpërmjet mbjelljes së drurëve dhe shkurreve, në rreshta të dendur, perpendikular me drejtimin e erërave të dëmshme. Për të siguruar dendësinë e përshtatëshme të kurorave dhe të drurëve brezi pyjor mund të përbëhet nga një rresht i vetëm drurësh, ose nga disa rreshta drurësh e shkurresh. Në sistemin e fermës brezat pyjorë mund të jenë me dy deri në pesë rreshta dhe, në rastin kur si objektiv është prodhimi i lëndës drusore me vlerë të madhe industriale, mund të mbillen tetë rreshta. Për të siguruar një mbrojtje më të mirë brezat pyjorë nuk duhet të jenë plotësisht të mbyllur, por të kenë një dendësi ndërmjet 40-60%. Si bosht kryesor i brezit mbrojtës zgjidhen lloje drusorë me rritje të shpejtë, që arrijnë lartësi të madhe. Llojet me lartësi të vogël mbillen të alternuar me drurët e boshtit kryesor për të penguar depërtimin e erës rrafsh me tokën, ose mund të mbillen në rreshta më vete. Për të patur një efekt mbrojtës maksimal brezi duhet të jetë i gjatë të paktën sa dhjetë fishi i lartësisë së drurëve të boshtit kryesor dhe të mos ketë hapësira boshe, të cilat lejojnë depërtimin erës.
Toka rreth drurëve duhet të mbahet e pastër nga barërat e këqia dhe për 3-5 vitet e para ndalohet kullotja. Brezat pyjorë ndikojnë në pakësimin e shpejtësisë së erës në një largësi nga 10H deri 20H (ku H është lartësia në metra që arrijnë drurët, që formojnë boshtin kryesor të brezit, në moshën 20-30 vjet), prandaj brezi i dytë duhet të mbillet në një largësia jo më të vogël se 10-20H. Në këtë rast parcelat e tokës bujqësore ndërmjet brezave pyjorë zakonisht janë 200-500 m të gjëra. Brezat pyjorë për mbrojtjen e blegtorisë rekomandohet të kenë një largësi 5H brezi nga brezi, ndërsa brezat pyjorë për mbrojtjen e fermës, vendosen në largësi më të vogla (2-5H). Drurët dhe shkurret, që do të zgjidhen për t’u mbjellë në brezin pyjor, duhet të plotësojnë disa kërkesa kryesore si: përshtatja me kushtet ekologjike të zonës, sistemi rrënjor dhe kurora të kenë një zhvillim mesatar për të minimizuar konkurencën me kulturat bashkëshoqëruese, tolerimi ndaj përqëndrimit të azotit dhe fosforit me prejardhje nga plehu organik, rezistenca ndaj sëmundjeve dhe herbicideve, rezistenca ndaj thyerjes së degëve dhe trungut nga era, etj.
Llojet, që përdoren për krijimin e brezave mbrojtës, zakonisht ndahen në tre grupe kryesorë: shkurre, drurë gjetherënës dhe drurë gjethembajtës ( ose përherë të blertë). Shkurret janë pjesë përbërëse e brezave mbrojtës me shumë rreshta dhe përdoren për të plotësuar boshllëqet, që krijohen poshtë kurorave të drurëve. Zakonisht ato mbillen në një rresht të vetëm dhe janë të domosdoshme për të siguruar mbrojtjen e nevojshme për drurët gjethembajtës, që mbillen për krijimin e brezit.Drurët gjetherënës, meqënëse kanë rritje më të shpejtë se drurët gjethembajtës, sigurojnë një mbrojtje më të herëshme të kulturave. Zakonisht ata përdoren në rreshtin e mesit të brezit pyjor, sepse me lartësinë e tyre ata ndikojnë në shtrirjen e efektit mbrojtës në një zonë më të gjerë. Në ato zona ku drurët gjetherënës kanë rritje të kënaqëshme dhe hapësirat për krijimin e brezave janë të kufizuara, ata përdoren zakonisht të kombinuar vetëm me shkurre. Drurët gjethembajtës sigurojnë një mbrojtje uniforme gjatë gjithë vitit dhe duhet të jenë pjesë përbërëse e brezit mbrojtës sa herë që të jetë e mundur.
Në zonat ku llojet gjethmbajtës kanë rritje e zhvillim të kënaqshëm, ata mund të përdoren të pashoqëruar me lloje të tjerë për krijimin e brezave.
AKP Agjencia Kombëtare e Pyjeve

Shto Koment

Na Ndiqni në: