Vlerësimi i variueshmërisë dhe ndikimi i faktorëve mjedisorë në rritjen dytësore të Fagus sylvatica përgjatë një gradienti altitudinal.

Vlerësimi i variueshmërisë dhe ndikimi i faktorëve mjedisorë në rritjen dytësore të Fagus sylvatica përgjatë një gradienti altitudinal.

Në këtë studim u synua të vlerësohet variushmëria dhe ndikimi i faktorëve mjedisorë në rritjen dytësore të ahut (Fagus sylvatica L.) përgjatë një gradienti altitudinal, duke përfshirë dy sipërfaqe që gjenden përkatësisht në Ekonominë Pyjore Tregtan (Liqeni i Kuq) që ndodhet në një lartësi rreth 380 m mbi nivelin e detit dhe në Ekonominë Pyjore Tej Drinit të Bardhë në një lartësi rreth 1200 m mbi nivelin e detit, në bashkinë Has. Qëllimi i këtij studimi ishte që nëpërmjet vlerësimit të rritjes dytësore të ahut, ndikimit të faktorëve mjedisorë në rritjen dytësore të tij, si dhe duke bërë krahasimin e vlerave të rritjes ndërmjet dy sipërfaqeve studimore të mund të nxjerrim përfundime mbi variueshmërinë e rritjes dytësore të ahut në këto zona lidhur me ndikimin e faktorëve mjedisorë.

Grumbullimi i të dhënave, matja e drurëve dhe marrja e mostrave të rritjes dytësore të species Fagus sylvatica në sipërfaqet e studimit u bë në mënyrë të rastësishme. Fillimisht, nëpërmjet GPS u rregjistruan kordinatat gjeografike të sipërfaqes provë dhe lartësia mbi nivelin e detit, kundrejtimi (me busull) dhe pjerrësia e terrenit (me hipsometer Blume Leiss). Për çdo dru të zgjedhur në mënyrë të rastësishme u krye matja e diametrit në lartësinë e gjoksit (d1.3m) dhe u morën me turjelë Pressler, në lartësinë e gjoksit, dy mostra të rritjes dytësore për të përcaktuar variueshmërinë vjetore (gjerësia e rrethit vjetor) të rritjes në diametër.

Mostrat e marra nga çdo dru brenda sipërfaqeve provë u ngjitën në mbajtëse druri dhe u lëmuan me qëllim që rrathët vjetorë të ishin plotësisht të dukshëm. Të gjitha mostrat iu nënshtruan fillimisht datimit të kryqëzuar vizual, e cila është një proçedurë që garanton saktësi në caktimin e vitit në të cilin janë formuar rrathët e rritjes vjetore dytësore. Më pas puna vijoi me matjen e gjerësisë së rrathëve vjetorë (GjRV) duke përdorur pajisjen LINTAB (Rinntech, Germany) dhe programin TSAP me një saktësi deri në 0.001 mm. Cilësia e datimit të kryqëzuar vizual u verifikua nëpërmjet përdorimit të programit COFECHA (Holmes 1983).

Bazuar në rezultatet e arritura në këtë studimit, u arrit në përfundimet:

  • Diametrat e drurëve të ahut ndërmjet sipërfaqeve nuk shfaqën ndryshime statistikisht domethënëse, ndryshe nga sa u vu re në rastin e moshës (më e madhe në S1) dhe të gjerësisë së rrethit vjetor (më e madhe në S2) ku u vunë re ndryshime statistikisht domethënëse.
  • Në sipërfaqen e Liqenit të Kuq (S1) drurët e ahut nuk shfaqën ndikim domethënës të temperaturave gjatë muajve të verës, por që shfrytëzojnë reshjet e rëna gjatë kësaj periudhe për rritjen dytësore, që nënkupton që kjo specie është përshtatur me kushtet stacionale dhe përballon temperaturat e larta gjatë muajve më të nxehtë. Kjo vihet re edhe në rezultatin e ndikimit pozitiv të reshjeve dhe negativ të temperaturave të muajit maj në gjerësinë e rrethit vjetor, duke shprehur një reagim më të hershëm të kësaj specieje në këtë sipërfaqe krahasuar me arealin e përhapjes në vendin tonë.
  • Në sipërfaqen e Tej Drinit të Bardhë (S2) gjerësia e rrethit vjetor u ndikua pozitivisht nga reshjet dhe negativisht nga temperaturat e larta gjatë muajve të verës, që përkon me studime të kryera mbi këtë specie si në vendin tonë ashtu edhe në rajonin e Mesdheut apo dhe më gjerë. 

    Pergatiti :Visar Mataj

    Fakulteti I Pyjeve

     

    Udhëheqës: Prof. Asoc. Dr Arben Alla

Na Ndiqni në: