Photo Credit - Liridon, CC BY-SA 4.0

Thethi, një ndër thesaret e natyrës shqiptare

Shqipëria e vogël në sipërfaqe por tokë e bekuar e bukurive të pafundme. Ndër mjediset natyrore malore përzgjedhja e parë për të vizituar është Parku Kombëtar i Thethit, në zemër të Alpeve. Thethi është një ndër zonat më të veçanta të turizmit malor.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, Nr. 96, datë 21.11.1966, zona malore e Thethit, me sipërfaqe 2 630 ha, është shpallur “Park Kombëtar” .

Parku i Thethit ndodhet në Alpet e Shqipërisë, pranë Bjeshkëve të Nemuna. Thethi është qendra turistike-alpinistike më e rëndësishme e zonës veriore, 70 – 75 km larg qytetit të Shkodrës.

Në bazë të vendimit të KM, Nr. 676, datë 20.12.2002, në park apo në afërsi të tij, janë shpallur monumente natyre:

  • Ujvara e Thethit,
  • Shpella e Thethit,
  • Cirku i gropës së Jezercës,
  • Liqeni i Jezercës,
  • Pisha flamur e qafës së Pejës,
  • Burimet e Okolit,
  • Shpella e majës së Arapit,
  • Kalaja e shtegut të dhenve.

Ai kufizohet nga majat e larta shkëmbore që bien thikë në luginë dhe krijojnë pamje të papërsëritshme të tilla si maja e Radohimës (2568 m), Arapit (2217 m), Paplukës (2569 m), Alijes (2471 m) etj. Në lartësitë 750 – 800 m, poshtë në luginë, shtrihet fshati piktoresk i Thethit prej ku buron lumi i Thethit i cili pasi bashkohet me përroin e Kaprrekut, në fshatin Nderlysaj, formojnë lumin e Shalës që derdhet në Drin.

Lumi i Thethit i kthjellët e i shkumëzuar, me prurje 1000 – 1300 l/sek e temperaturë mesatare uji 70C, është i pasur edhe me troftën e malit. Kanioni në grykën e Shkallës së Thethit, vend i pëllumbave të egër, ka një lartësi prej rreth 40 m e gjerësi 1 m. Ujëvara e Grunasit është piktoreske e mahnitëse, me rënie të ujit mbi 30 m lartësi.

Sipas statistikave bien afro 2400 – 2500 mm shi në vit ndërsa shtresa e dëborës arrin në 1.5 – 2.5 m dhe zgjat 130 – 160 ditë, kurse në disa pika të veçanta të parkut, dëbora është e përhershme, gjë që shton vlerat e zonës për sektorin e turizmit.

Parku është kompleks, me larmi habitatesh dhe tipe vegjetacioni, ku pjesën më të madhe e zënë ato të pyjeve të ahut, por ka edhe formacione shkurrore me mbizotërim boronice apo kullotash sub-alpine që bashkëshoqërohen dhe me shkurre xhuxhe dhe të zonave alpine, etj.

Në këtë park ka rreth 1500 lloje bimësh, që përfaqësojnë gati gjysmën e florës së vendit tonë. Nga bimët, rreth 100 lloje janë bimë mjekësore e tanifere shumë të dobishme. Rreth 70 lloje janë të rrezikuara për zhdukje dhe konsiderohen mjaft të rralla.

Për t’u vlerësuar është prania e drurit relik të tisit (Taxus baccata) brenda katit drunor të pyllit të ahut, megjithëse në ekzemplarë të rrallë, si dhe prania e bimëve endemike (Wlfenia baldaccii; Viola dukagjinica, Lilium albanicum). Bimë sub-endemike janë Aquilegia dinarica dhe Teucrium arduini.

Fauna e parkut është e pasur dhe e larmishme. Ka rreth 20 lloje gjitarësh, 50 lloje shpendësh folenizuese, rreth 10 lloje zvarranikësh e rreth 8 lloje amfibësh. Rendësi paraqesin gjitarët dhe shpendët e lidhur me pyjet e lartë dhe ekosistemet malore e alpine. Ndër gjitarët e mëdhenj të parkut të Thethit përmendim praninë e ariut (Ursus arctos), ujkut (Canis lupus), rrëqebullit (Lynx lynx), dhisë së egër (Rupicapra rupicapra) dhe kaprollit (Capreolus capreolus).

Thethi është vendbanim shumë i hershëm i lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve. Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura ngusht edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Thethi si vend shumë i përshtatshëm për turizëm, krahasohet me viset e bukura të Tirolit, Austri.

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare, lugina me lumin me ujërat e kristalta e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm për natyrën dhe turizmin shqiptar. Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku Kombëtar i Thethit është propozuar që të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur Parku i Paqes, ku të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.

Në 150 vitet e fundit Thethin e kanë vizituar shumë vendas dhe të huaj e ndër ta, alpinistë, shkencëtarë, politikanë, gazetarë, klerikë, etj. Mund të përmendim në këtë kontekst emra e figura ndërkombëtare të tillë si dr. Zhein Sheimer; dr. George; dr. Egen Offmann; prof. dr. Heinerik Sehates; prof. A. Baldacci; prof. Nj.Dolfler; dr. Nopçe;  E.Durham; R. Liej; dr. M. Graff; Jung, etj apo shqiptarë si At Gjeçovin, M. Shala, Rr. Zojzi, G. Uruçi, K. Progni etj.

Fshati Theth është vizituar si qendër pushimi që në vitin 1887 dhe në vitin 1932 në të pushon familja e njohur shkodrane e Kadukëve. Në 1936 Thethi lidhet me rrugë makine me Shkodrën. Në 1966 ndërtohet hidrocentrali dhe në fshati instalohet energjia elektrike.

Në vitin 1956 hapet shtëpia e pushimit me 1000 – 1200 pushues. Në Theth gjendet praktikisht një natyrë ende e virgjër, mund të vizitohen kishat, kullat, shtëpitë  tradicionale dhe mjaft monumente të natyrës. Thethi listohet i pari në dhjetë fshatrat turistikë më të mirë të Shqipërisë i ndjekur nga Voskopoja në Korcë dhe Bënja në Përmet. Ky vlerësim është bërë duke marrë në konsideratë elementë si natyra e ekosistemi, tradita e kulinaria, infrastruktura e mundësitë akomoduese.

 

Gjon Fierza
 Specialist, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Tiranë

Shto Koment

Na Ndiqni në: