congerdesign - www.pixabay.com

22 Marsi, Dita Botërore e Ujit

Dita Botërore e Ujit kremtohet çdo 22 mars që prej vitit 1993 dhe sjell në vëmendje rëndësinë që ka uji si dhe rrit ndërgjegjësimin për rreth 2.2 miliardë njerëz që nuk kanë akses për ujë të pijshëm. Kjo ditë ka të bëjë me marrjen e vendimeve konkrete për të luftuar krizën botërore të ujit. Një ndër synimet kryesore të Ditës Botërore të Ujit është që të mbështesë arritjen e Objektivit të 6 të Zhvillimit të Qëndrueshëm: ujë dhe kanalizime për të gjithë deri në 2030.

Këtë vit një sërë aktivitetesh për të festuar Ditën Botërore të Ujit do të zhvillohen online në mbarë botën. Slogani kësaj dite për këtë vit ka të bëjë me vlerësimin e ujit. Vlera e ujit është shumë më e madhe sesa çmimi i tij. Uji ka vlera të mëdha dhe komplekse për familjet tona, ushqimin, kulturën, shëndetin, edukimin, ekonominë dhe integritetin e mjedisit tonë natyror. Nëse anashkalohen këto vlera, atëherë rrezikohet menaxhimi i këtij burimi të fundëm dhe të pazëvendësueshëm, saktësojnë ekspertët.  Pa të kuptuarit gjithëprfshirës për të vërtetën e ujit, për vlerat e tij shumëdimensionale, ne nuk do të mund ta ruajmë dhe ta mbrojmë këtë burim kritik për të mirën e të gjithëve.

Dita Botërore e Ujit ka si qëllim jo vetëm të rrisë vëmendjen mbi rëndësinë që ka uji por edhe të na ndërgjegjësojë për sfidat me ujin me të cilat përballet aktualisht bota. Dëmtimi i mjedisit së bashku me ndryshimet klimaterike po nxitin krizat që lidhen me ujërat, kriza që vihen re në shumë vende të botës. Përmbytjet, thatësirat dhe ndotja e ujit po përkeqësohen gjithnjë e më tepër për një sërë shkaqesh. Abuzimi apo lënia pas dore e ekosistemit vështirëson së tepërmi furnizimin e të gjithëve me ujin që u nevojitet për të mbijetuar.

Na Ndiqni në: