Shërbimet e ekosistemit nën skenarë të ndryshëm menaxhimi në AL-Prespa

Në këtë material jepen rezultatet e marra nga një studim të realizuar në pjesën Shqiptare
të Parkut Prespa (AL-Prespa) që kishte për objektiv kryesor të vlerësonte shërbimet e
ekosistemit nën skenarë të ndryshëm përdorimi dhe menaxhimi të tyre. Rezultatet e marra
janë përmbledhur shkurtimisht në paragrafët e mëposhtëm.
Tipologjia e shërbimeve të ekosistemit në AL-Prespa
Përfitimet që siguron njerëzimi nga një shumicë burimesh dhe procesesh që ofrojnë
ekosistemet natyrore quhen shërbime të ekosistemit. Vlerësimi i Mileniumit të Ekosistemeve
(2005), i ndan shërbimet e ekosistemit në katër kategori dhe konkretisht në: 1. Shërbime
furnizimi: produkte që sigurohen dhe merren nga ekosistemi; 2. Shërbime rregullimi:
përfitime jo materiale që merren nga rregullimi i proceseve të ekosistemit; 3. Shërbime
mbështetëse: shërbime të ekosistemit që janë të nevojshme për prodhimin e të gjitha
shërbimeve të tjera të ekosistemit; 4. Shërbime kulturore: përfitime jo materiale që marrin
njerëzit nga ekosistemet.
Në AL-Prespa janë prezent një varg i gjerë shërbimesh të ekosistemit. Në këtë studim, u
identifikuan ato shërbime të ekosistemit që ndryshonin si pasojë e zbatimit të një skenari të
dhënë përdorimi toke dhe aktivitetesh. Për këtë qëllim u realizua një workshop, me takime
dhe diskutime me grupe lokale interesi dhe idividë të ndryshëm. Në fund, u identifikuan dhe
vlerësuan dhjetë shërbime kryesore të ekosistemit (a. Menaxhimi i lëndës ushqyese, b.
Rregullimi i klimës, c. Vlera estetike, d. Furnizimi i burimeve gjenetike, e. Biodiversiteti, f.
Mirëmbajta e shëndetshme e tokës, g. Shëndeti i liqeneve, h. Kontrolli i sedimentimit dhe i
erozionit, i. Trajtimi i mbeturinave të ngurta dhe të lëngëta dhe j. Cilësia e ujit) përkundrejt
dhjetë grupimeve të përdorimit të tokës dhe të aktiviteteve (1. prodhimi bujqësor; 2.
mbarështrimi blegtorial; 3. kullotja; 4. prerja e druve të zjarrit; 5. prerja e degëve të pemëve
për ushqim për blegtorinë; 6. peshkimi; 7. turizmi; 8. produkte të zonës së mbrojtur; 9. zona
me opsione kulturore dhe historike; 10. tokë e shëndetshme).
Me metodën Delphy me shkallën 5-pikëshe Likert (nga 1 = nuk ndikon fare deri 5 =
ndikon shumë) u vlerësua tipologjia e shërbimeve të ekosistemit. Në këtë studim, u zgjodhën
15 ekspertë për të marrë pjesë në procesin Delphy. Ekspertët vinin nga njësi të ndryshme
menaxhimi të zonës së mbrojtur, nga shoqata jo qeveritare dhe nga fusha akademike. Me
anën e metodës Delphy (procedura e realizimit të së cilës nuk jepet në këtë material) u
përpilua matrica e impaktit ku në rreshta u vendosën shërbimet e ekosistemit dhe në shtylla
përdorimi i tokës dhe aktivitetet. Rezultatet e marra treguan se shërbime të ekosistemit të tilla
si biodiversiteti, mirëmbajta e shëndetshme e tokës dhe cilësia e ujit, janë shërbime me
prioritet të lartë për shumicën e përdorimeve të tokës në kushtet konkrete të AL-Prespa. Disa
shërbime të ekosistemit si p.sh., menaxhimi i lëndës ushqyese janë të rëndësishme për një
kategori përdorimi të tokës, por ato janë me prioritet të lartë vetëm për një ose disa prej tyre.
Vlerësimi i skenarëve për menaxhim të qëndrueshëm të turizmit në AL-Prespa
Për këtë qëllim, u përdor procesi deliberativ i bazuar në Jurinë Qytetare, i kombinuar me
metodën e vlerësimit shumë-kriterial. Juria Qytetare është një grup i zgjedhur nga 10 deri 20
anëtarësh prej një komuniteti, që e përfaqëson atë gjatë një procesi vendim-marrjeje dhe që

bën rekomandime për politikë-bërësit mbi probleme të ndërlikuara pas një periudhe
investigimi dhe debati mbi to. Juria zgjidhet në mënyrë të rastit, duke u bërë kështu
përfaqësuese e popullsisë përkatëse. Zakonisht jurisë i jepet një detyrë specifike dhe koha e
mjaftueshme për të debatuar, për të bërë pyetje dhe për të thirrur “dëshmitarë” (ose
“ekspertë”). Rezultati përfundimtar është zakonisht një pozicion konsensusi i arritur prej saj
dhe zakonisht i dokumentuar në një raport.
Analiza shumë-kriteriale (AShK) është një mjet vendim-marrjeje për probleme të
ndërlikuara dhe ka për qëllim të mbështesë vendim-marrësit që përballen me vlerësime të
shumta dhe ndonjëherë konfliktuale. Ajo ka për qëllim që, duke nënvizuar këto konflikte, të
gjejë një mënyrë për të rënë në një kompromis në një proces transparent.
Një problem vendimi shumë-kriterial kuadratohet sipas mënyrës së mëposhtme:
 Ndërtohet një bashkësi prej m skenarësh (opsionesh, alternativash) dhe një bashkësi tjetër
prej n kriteresh nga të cilët do të gjykohet secili nga skenarët;
 Me këto dy bashkësi, ndërtohet e ashtuquajtura “Matrica e Impaktit”. Secila nga vlerat në
këtë matricë paraqet vlerësimin e skenarit sipas një kriteri specifik;
 Vlerësimi i peshës specifike (peshave) të kritereve. Ka metodologji të ndryshme për të
vlerësuar faktorët e peshimit. Ajo që përdoret më shpesh dhe që u përdor nga ne në këtë
studim, është metoda e Jurisë Qytetare;
 Zgjedhja e skenarit më “të mirë” bazohet në përqasje të ndryshme për trajtimin e vlerës
në matricën e impaktit. Në këtë studim, për këtë qëllim u përdor metoda PROMETHEE II
me software-in kompjuterik Decision Sights (D-Sight).
Hapat praktikë të ndjekur për zbatimin e metodës së vlerësimit shumë-kriterial me
pjesëmarrjen e publikut në zonën e marrë në studim, ishin si më poshtë: 1) zgjedhja e jurisë
së grupeve të interesit, e cila kishte për detyrë arritjen e konsensusit mbi peshat e kritereve; 2)
përzgjedhja e skenarëve, të cilët pasqyrojnë secilin skenar të preferuar nga vendim-marrësit;
3) seleksionimi i kritereve, të cilët përdoren për të krahasuar dhe vlerësuar secilin prej
skenarëve; 5) vlerësimi i peshës specifike të kritereve nga anëtarët e Jurisë Qytetare; 6)
agregimi i kritereve dhe së fundi, 7) përpilimi i matricës së impaktit.
Hapat konkretë, që u ndoqën për zgjedhjen dhe funksionimin e Jurisë Qytetare, ishin
si më poshtë: u zgjodh në mënyrë të rastit një grup prej 11 njerëzish përfaqësues nga
komuniteti lokal, rajonal dhe akademik; u përzgjodh një moderator i pavarur për të drejtuar
procesin e debatit; u instruktuan anëtarët e Jurisë mbi rregullat e veprimeve të tyre; anëtarëve
të Jurisë i’u vu në dispozicion një kohë prej katër ditësh për të realizuar debatin dhe
formuluar rekomandimet; u sigurua dëshmia e ekspertëve dhe u realizua koha e diskutimit të
çështjeve dhe të opsioneve me anëtarët e Jurisë. Në Juri u thirrën ekspertë për të siguruar
informacion mbi kriteret e identifikuara, që kishin dallime të mëdha me prioritetet dhe u
zhvillua një proces deliberativ (me debat), duke i kërkuar edhe vendim-marrësve që të
mbështesin ose të mbronin pozicionet e tyre; u hartua raporti i Jurisë mbi rekomandimet.
Skenarët e menaxhimit dhe kriteret e vlerësimit për secilin prej këtyre skenarëve në këtë
studim u përpiluan në një workshop i organizuar përpara se të mblidhej Juria Qytetare. Gjatë
këtij workshop-i, u përpiluan skenarët e mëposhtëm: Biznesi si zakonisht (Aktual). Ky është
skenari aktual për industrinë e argëtimit dhe të turizmit në rajon; Maksimizimi i përfitimeve të
shërbimeve të ekosistemit (Max ShE); Maksimizimi i përfitimeve sociale (Max S);
Maksimizimi i përfitimeve ekonomike (Max Ek); Turizëm/mjedis/shoqëri e qëndrueshme

(Mix). Ky skenar në thelb përfshin probleme që gjenden në Planin e Veprimit Strategjik të
Parkut Prespa.
Workshop-i i skenarëve, gjithashtu identifikoi kriteret e vlerësimit, të grupuar në tre
rubrika të gjera:
a. Kriteret e shërbimeve të ekosistemit ku u përfshin: Ruajta e cilësisë së ujit; mbrojta e
biodiversitetit/biotës vendase; menaxhimi i lëndës ushqyese/asimilimi i mbeturinave; shëndeti
i liqenit, duke përfshirë edhe zonën bregdetare; mbrojtja e tokës nëpërmjet filtrimit/mbajtjes
së sedimentit; kontrolli i erozionit dhe pamje estetike/piktoreske
b. Kriteret socialë/kulturorë ku u përfshin: Aksesi publik; punësimi; ruajtja e vlerave
kulturore dhe të trashëgimisë dhe edukimi.
c. Kriteret ekonomikë ku u përfshin: Kostot dhe përfitimet.
Zbatimi i software-it D-Sight rankoi në vënd të parë skenarin Mix, ndërsa skenarët e
tjerë u rankuan sipas rradhës Max S, Max ShE, Max Ek dhe në fund, skenari Aktual.
Punimi tregoi sesi përparësitë e analizës shumë-kriteriale mund të kombinohen me
përparësitë e debatit dhe ndërveprimit të grupeve të interesit, e siguruar nga Juria Qytetare,
për të vlerësuar shërbimet e ekosistemit nën skenarë të ndryshëm menaxhimi.
Studimi demonstron sesi, duke filluar nga një diversitet i ideve dhe interesave ndërmjet
pjesëmarrësve, mund të gjenerohet një dialog sistematik dhe të mësuarit reciprok, që çon në
identifikimin e s1kenarëve për praktika menaxhuese të qëndrueshme dhe integruese, ku
koncepti i “shërbimeve të ekosistemit” përdoret si një mjet integrimi ndërmjet disiplinave dhe
perspektivave të komunitetit, koncepti i skenarit për të inkurajuar mendimin e fokusuar në të
ardhmen e pjesëmarrësve, ndërsa ideja e “jurisë qytetare” për të promovuar debatin.

Prof. Asoc. Dr. Dorina Grazhdani
Departamenti Drejtim Agrobzinesi, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

Na Ndiqni në: