Efekti serë

Kushtet e motit ndryshojnë nga dita në ditë e nga viti në vit por në përgjithësi qëndrojnë në parametra të caktuara për një kohë të gjatë. Këto parametra quhen ose emërtohen “klimë”. Kur mendojmë në lidhje më problemet e ndryshimeve klimatike, shpeshherë i referohemi termit “Greenhouse effect” ose Efekti serë. Ky efekt ka të bëjë me ngritjen e temperaturës në sipërfaqen e tokës si rezultat i eneregjisë së nxehtë të mbyllur mes gazrash në hapësirë. Kur rrezet e diellit kalojnë përmes atmosferës së tokës, një pjesë e energjisë pengohet por ama një pjesë tjetër kalon nëpërmjet atmosferës. Historikisht, përqëndrimet natyrore të gazeve serë kanë mbajtur Tokën në një nivel të ngohjes që na lejon të ruajmë jetën siç e njohim.

Efekti serë është një fenomen pa të cilin jeta nuk do të ishte e mundur. Ky proçes konsiston në ngrohjen e planetit nga veprime të ashtuquajtura gazra serë, të cilët janë të pranishëm në ajër me përqëndrime relativisht të ulta. Gazrat serë lejojnë që rrezatimi diellor të kalojë nëpër atmosferë por duke penguar kthimin në hapësirë të një pjese të rrezatimit infra të kuq që vjen nga sipërfaqja e Tokës. Në praktikë ata sillen si xhamat në një serë (prandaj janë quajtur efekti serë) dhe favorizojnë rregullimin dhe mbajtjen e temperaturës së tokës në vlera të caktuara.

Efekti serë është krijuar nga një seri fenomenesh që ndërveprojnë me njëra-tjetrën vazhdimisht duke rregulluar përmbajtjen e gazeve serë në atmosferën e Tokës dhe në sajë të efektit serë është i mundur zhvillimi i jetës në tokë.

Sidoqoftë problemi qëndron në faktin se po ndryshohen elementët e efektit serë.

Efekti serë zhvillohet kur gazrat atmosferikë rreth tokës lejojnë që të marrim më tepër ngrohtësi nga dielli sesa ajo pjesë ngrohtësie që humbet në hapësirë. Kjo e bën sipërfaqen e tokës më të ngrohtë sesa duhet të jetë faktikisht, gjë që e kthen atë në një planet të papërshtatëshm për njeriun. Problemi është se niveli i gazrave që kryejnë efektin serë janë në ndryshim e sipër. Evidencat mund të shihet në ngritjen e temperaturës globale. Kjo ka sjellë si rrjedhim shkrirjen e akujve dhe hollimin e shtresave të dëborës.

Efekti serë ka ekzistuar gjithmonë duke qënë përgjegjës për mbajtjen e temperaturës së sipërfaqes së tokës. Mund të ketë pasur kohëra tepër të nxehta miliona vite më parë, por kjo është ngritja më e shpejtë e temperaturës që nga epoka e akullit.

Rritja e temperaturës së Tokës ka efekte potencalisht katastrofike, si rritja e nivelit të detit, zhvendosja e zonave të prodhimit bujqësor, rendimentet më të ulëta bujqësore, dëmtime të ekosistemeve natyrale, futjen e ujërave të kripura në banesat nëntokësore të ujrave të ëmbla, ndryshime të pakthyeshme të klimës, ndryshime në sasinë dhe modelin e reshjeve, etj.

Duke përdorur potencialin ndaj efektit serë të gazeve së bashku me përqëndrimet e pritshme të tyre, rezulton skenari i ndryshimeve klimaterike për njëqindvjeçarin tjetër, periudhë që paraqet gjithmonë e më shumë interes për shkenctarët dhe politikanët në të gjithë botën.

Konkluzionet janë se dioksidi i karbonit CO2, kontribuon në ndryshimet më të mëdha në rritjen e sasive të gazrave serë. Të tjera gazra me potencial shumë të lartë në ngrohjen globale janë me përmbajtje fluori që përdoren në teknikat e ftohjes sic janë klorofluorkarbonet (CFC-të), hidroklorofluorkarbonet HCFC-të, hidrofluorkarbonet HFC-te etj)

Zhvillimet e mëdha të industrisë, transportit, energjitikës dhe sektorëve të tjera të ekonomisë kanë arritur në menyrë të ndjeshme sasinë e gazrave serës që çlirohen nga djegia e lëndëve djegëse si naftë, gaz, benzinë, përdorimi i gjerë i gazrave që përdoren në sistemet ftohëse etj. Këto janë arsye pse Komuniteti Ndërkombëtar ka vendosur të kontrollojë emetimin e gazrave që ndikojnë në mjedis, nëpërmjet marëveshjeve ndërkombëtare, siç janë Protokolli i Kyotos, nënshkruar në vitin 1997 dhe që hyri në fuqi në vitin 2005, si dhe protokolle dhe amendamente të tjera nga të cilat mund të përmendim protokollin e Montrealit dhe amendamentin e Kigal-it. Në to janë vendosur norma për pakësimin e shkarkimeve të gazrave serë.

 

 

 

MSc. Teuta Halilaj

Departamenti i Fizikës dhe Shkencave të Aplikuara, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.

Na Ndiqni në: