Pasioni i njeriut pas natyrës, pas bimëve të rralla dhe veçanërisht pas bimëve aromatike dhe mjekësore po shtohet dita ditës. Gjatë katër stinëve të vitit në zona të ndryshme të vendit mund të shohësh bimë aromatike dhe mjekësore të majave me borë, të pyjeve halorë e të përzierë, që lulëzojnë në të çarat e shkëmbinjve, të kullotave; mund të shohësh bimë të rralla dhe endemike, që natyra i ka krijuar prej mijëra e miliona vjetësh… Brenda kësaj larmie të madhe të llojeve dhe habitateve të bimëve, njerëzit për mijëra vjet kanë siguruar ushqimin, strehimin, mjekimin dhe plot nevoja të tjera të jetës së tyre.
Shqipëria përfaqëson një vend me biodiversitet të lartë dhe kjo e ka burimin në larmishmërinë klimatiko-tokësore kushtëzuar nga pozicioni gjeografik, nga lartësitë mbi nivelin e detit dhe ortografia e saj. Falë larmisë së madhe të formave të relievit, të klimës me ndryshime të theksuara në një territor krahasimisht të vogël, Shqipëria zotëron një bimësi të shumëllojshme duke e bërë atë një nga vendet ballkanike dhe evropiane me pasuri bimore të veçantë.
Për një florë mjaft të pasur të Shqipërisë flet dhe fakti se në vend rriten rreth 3300 specie bimore enësore, që përbëjnë rreth 30% të të gjithë florës së Evropës. Nga kjo bimësi kaq e larmishme, mbi 350 lloje janë bimë aromatike dhe mjekësore, të cilat përbëjnë një burim ekonomik natyror të rëndësishëm, ende të pashfrytëzuar plotësisht dhe në mënyrën e duhur. Bimët etero-vajore dhe mjekësore konsiderohen si një nga potencialet kryesore të ripërtëritshme për zhvillimin social-ekonomik të vendit në tërësi dhe të zonave rurale në veçanti.
Bimët aromatike dhe mjekësore në Shqipëri dallohen jo vetëm nga një variacion relativisht i gjerë i formave dhe llojeve, por edhe për përmbajtjen e lartë të lëndëve aromatizuese dhe farmakologjike. Si një vend mesdhetar, në speciet bimore aromatike-mjekësore në Shqipëri, më të shfrytëzuarat gjatë e gjashtëdhjetë viteve të fundit janë speciet e familjes Lamiaceae. Ato dallohen edhe për një biodiversitet të gjerë dhe përbëjnë një burim ekonomik natyror të rëndësishëm. Renditja e tyre ndër speciet aromatiko-mjekësore me vlerë të madhe ekonomike shkon paralelisht me faktin se ndërkohë ato klasifikohen edhe si bimë të rrezikuara.
Ndër bimët aromatiko-mjekësore që kanë pasur dhe kanë një peshë të madhe në prodhimin kombëtar konsiderohen; sherebela (Salvia officinalis L.), rigoni i bardhë (Origanum vulgare ssp.hirtum L), trumza e maleve (Satureja montana L.), dëllenja e zezë (Juniperus communis L.), mërsina (Myrtus communis L.), lulebasani (Hypericum perforatum L.), molla e egër (Malus sylvestris Miller), trëndafili i egër (Rosa canina L.) dhe murrizi njëbërthamësh (Crataegus monogyna Jacq.).
Prof. Dr. Alban Ibraliu
Pedagog në Departamentin e Shkencave Agronomike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.
Shume korekt pershkrimi.