Ruby Roman’, rrushi më i shtrenjtë në botë

A ju ka shkuar ndonjëherë në mendje t’i dhuroni dikujt nje bistak rrushi? Ndoshta tani është koha ta konsideroni një gjë të tillë pasi të mësoni sesa i veçantë është Ruby Roman. Ruby Roman, i cili ka ngjyrën e gurit të çmuar me të njëjtin emër, është një varietet rrushi i rritur vetëm në provincën Ishawaka në Japoni. Ky varietet është pothuajse katër herë më i madh se lloji mesatar i rrushit por edhe çmimi i tij është gjithashtu shumë i lartë. Madhësia, ngjyra dhe mënyra e prodhimit e bëjnë këtë rrush kaq të shtrenjtë. Ruby Roman është i rrallë dhe për të ardhur në formën që është sot, janë dashur rreth 15 vite. Ai kërkon kushte specifike klimaterike, drite dhe temperature në mënyrë që të duket dhe shijojë perfekt, prandaj prodhohet vetëm në sera ku fermerët mund të kontrollojnë të gjithë proçesin e rritjes.

Në vitin 2020 janë shitur vetëm 25,000 bistakë rrushi. Një tufë Ruby Roman mund të shitet deri në 450 USD. Sipas një raporti në Business Insider, nëse ngjyra e frutave përputhet me atë të një palete ngjyrash të miratuar, atëherë një tufë e vetme mund të shitet në rangun e çmimeve nga 90 deri në 450 USD. Megjithatë, nuk është vetëm madhësia e tyre dhe diapazoni i çmimeve që e bëjnë këtë rrush kaq të famshëm. Çdo tufë e rrushit unik Ruby Roman inspektohet nga afër përpara se të miratohet për shitje. Tufat zgjidhen në bazë të madhësisë së tyre të pazakontë, ngjyrës uniforme dhe shijes. Hiroshi Isu, një studiues në universitetin e provincës Ishikawa në Japoni, tha për Business Insider se nuk ka asnjë varietet tjetër në botë aq të madh dhe të kuq sa Ruby Roman, prandaj frutat janë kaq të shtrenjtë dhe të veçantë. Fermerët japonezë përdorin kritere shumë specifike për të shqyrtuar çdo bistak që rritet në sera. E para është ngjyra e Ruby Roman. E dyta është madhësia e kokrrave. Çdo rrush duhet të jetë së paku 20 gram dhe së paku 30 milimetra në madhësi. Edhe përmbajtja e sheqerit është e matur dhe duhet të jetë mbi 18%.

Rrushi Ruby Roman ndahet në tri kategori, përkatësisht rrush superior, rrush special superior dhe premium. Ndërsa kokrra normale e rrushit Ruby Roman është rreth 20 gram, premium duhet të jetë mbi 30. Vetëm një ose dy tufa kualifikohen si premium. Megjithëse rrushi ndahet në tre kategori, të gjithë bistakët Ruby Roman kanë një aromë unike të ëmbël.

 

Fermerët synojnë të shesin një tufë rrushi premium për mbi 1000 dollarë. Ndërsa dy tufa u klasifikuan si premium këtë vit, në 2020 dhe 2019, asnjë rrush nuk u kualifikua i tillë. Për më tepër, një tufë e vetme rrushi Ruby Roman u shit për 12,000 dollarë në ankand në vitin 2020.

Çmimi i këtij lloj rrushi ka shkaktuar një mori reagimesh në internet. Ndërsa shumë janë të shokuar, të tjerë janë kuriozë të dinë se si shijon ai.

Burimi: Business Insider Për më shumë informacion klikoni linkun https://www.youtube.çom/watch?v=EE7NqzhMDms

Pranvera Troka

Departamenti i Drejtimit të Agrobiznesit, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT

Na Ndiqni në: