Përse janë të rëndësishme pyjet?

Dhjetori (i quajtur më parë me të drejtë si ‘muaji i pyllëzimeve’) kaloi thuajse në heshtje të plotë, pa ndonjë aktivitet domethënës lidhur me realizimin e pyllëzimeve masive (aq të nevojshme për vendin). Nëse dikur mburreshim me mijëra hektarë të mbjellë (ekuivalente me dhjetëra miliona fidanë), tashmë kënaqemi pa arsye me 1/2000 e asaj që bëhej për pyllëzimin e vendit. Kësisoj sot na kushton më shumë se sa fidanët e mbjellë apo puna e bërë, rruga për të vajtur e mbjellur ato pak fidanë, reklama e ekzagjeruar që bëhet për tu dukur se çfarë u bë, dreka që merr më shumë kohë se sa vetë mbjellja etj etj. I vetmi sinjal pozitiv aktualisht mbetet nisma vullnetare nga qytetarë/organizata të ndryshme në këtë drejtim.

Por le të paraqesim se përse e gjithë bota e qytetëruar (përfshirë edhe vendet diktatoriale e ato të varfra madje), i kanë kushtuar dhe vazhdojnë ti kushtojnë rëndësi kaq të madhe pyjeve, parqeve të qyteteve dhe rolit të drurëve e pemëve në jetesën dhe prosperitetitn e komuniteteve.

Këtu por rendisim disa nga vlerat kryesore që ofrojnë drurët, pemët nëpër qytetet tona dhe ekosistemet pyjore;

1. Pyjet luftojme ndryshimin e klimës. Dioksidi i karbonit (CO2) në atmosferën tonë përthithet vetëm prej biomasës (pyje, drurë, pemë, parqe të gjelbër etj), duke kontribuar direkt tek zbutja e efekteve të ndryshimeve klimatike. Pyjet thithin CO2, duke e kthyer atë në biomasë ndërsa lëshojnë oksigjenin (bazë për jetën në planet) në ajër. Në një vit, një hektar me pyje thith të njëjtën sasi të CO2 që prodhohet kur përshkojmë me makinë një distancë prej rreth 42,000 km (thuajse një xhiro të plotë rreth Ekuatorit të planetit tonë). Pyjet janë zgjidhje efektive për të luftuar efektet negative të ndryshimeve klimatike, të tilla si nxehtësia ekstreme, thatësirat dhe përmbytjet.

2. Pastrojne ajrin. Pemët thithin gazet ndotës (CO2, oksidet e azotit etj) dhe filtrojnë grimcat nga ajri duke i bllokuar ato në gjethet dhe lëvoren e tyre.

3. Prodhojnë oksigjenin. Në një vit, një hektar me pyje mund të sigurojë oksigjen të mjaftueshëm për 45 njerëz.

4. Ulin temperaturën. Drurët arrijnë të ulin temperatuart me deri -12°C, duke hijezuar shtëpitë dhe rrugët tona, duke fragmentuar “ishujt e nxehtësisë” urbane (pa vegjetacion) dhe duke lëshuar avujt e ujit në ajër përmes gjetheve të tyre.

5. Kursejnë energjinë. Tre-katër pemë të vendosura në mënyrë strategjike rreth një shtëpie të vetme mund të shkurtojnë kerkesat gjate verës për ajër të kondicionuar deri në 50%. Duke reduktuar kërkesën për energji për ftohjen e shtëpive tona, ne reduktojmë dioksidin e karbonit dhe emetimet e tjera të ndotjes nga burimet nga sigurohet energjia.

6. Ruajnë ujin. Hija që krijohet nga pemët ngadalëson avullimin e ujit nga toka. Ndërsa pemët rriten, ato rrisin lagështinë atmosferike.

7. Ndihmojnë në mbrojtjen e burimeve ujore nga ndotja. Pyjet reduktojnë rrjedhjen sipërfaqësore të ujit nga reshjet, dhe duke lejuar kështu që uji të rrjedhë poshtë pemëve nëpër rrënjet e tyre. Kjo parandalon që uji i reshjeve të sjellë ndotje në burimet tona ujore (lumenj, liqene, dete). Lëgusha dhe humusi i pyjeve veprojnë si një sfungjer që filtron këtë ujë në mënyrë natyrale dhe e përdor atë për të rimbushur burimet e ujërave nëntokësore.

8. Ndalojnë erozionin e tokës. Në shpatet e kodrave ose në shpatet e përrenjve, pyjet ngadalësojnë rrjedhjen dhe mbajnë tokën në vend. Në një sipërfaqe pyjore erozioni është rreth 50 herë më i ulët se në një sipërfaqe të ngjashme, pa pyje.

9. Mbrojnë fëmijët nga rrezet ultra violet. Kanceri i lëkurës është forma më e zakonshme e kancerit në botë. Pemët reduktojnë ekspozimin ndaj rrezeve ultra-violet me rreth 50 për qind, duke siguruar kështu mbrojtje për fëmijët në kampuset e shkollave dhe këndet e lojërave – aty ku fëmijët kalojnë orë të tëra jashtë.

10. Japin ushqim. Një numër i madh llojesh (gështenja, arra, lajthia etj) mund të ofrojnë sasi të konsiderueshme ushqimi. Përveç frutave për njerëzit, pemët ofrojnë ushqim për zogjtë dhe kafshët e egra.

11. Shërojnë. Studimet kanë treguar se pacientët me pamje nga pemët/pyjet/parqet nga dritaret e tyre shërohen më shpejt dhe me më pak komplikime. Po ashtu, fëmijët me ADHD shfaqin më pak simptoma kur kanë qasje në natyrë. Ekspozimi ndaj pemëve dhe natyrës ndihmon përqendrimin duke reduktuar lodhjen mendore.

12. Përmirësojnë jetën tonë. Përveçse duke ofruar oksigjenin e tyre dhe pamjen çlodhëse, pyjet dhe peizazhi i gjelbër ndihmojnë në uljen e nivelit të frikës, stresit dhe ankthit.

13. Pemët bëjnë stinët. Është dimër, pranverë, verë apo vjeshtë? Shikoni pemët.

14. Krijojnë mundësi ekonomike. Fruta, gjethet, lëvoret, bisqet, rrënjtët etj. janë përveçse të ardhura direkte, ofrojnë dhe mundësinë për përpunimin e tyre duke nxjerrë nën-produkte e duke ofruar gjithnjë e më shumë të ardhura.

15. Janë ‘mësuesit’ e njerëzimit. Pyjet kanë ofruar një mjedis të rëndësishëm për tërheqjen e njerëzve gjatë gjithë epokave të njerëzimit.

16. Bashkojnë njerëzit. Mbjelljet e pemëve ofrojnë një mundësi për përfshirje dhe fuqizim të komunitetit që përmirëson cilësinë e jetës në lagjet tona. Të gjitha kulturat, moshat dhe gjinitë kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në mbjelljen ose kujdesin ndaj pemëve.

17. Rrisin shëndetin e tokës. Tokat e shëndetshme janë kritike për rritjen e vegjetacionit natyror. Një sipërfaqe pyjore prodhon sasi të mëdha të ‘ushqyesve organikë’ të cilët rrisin pjellorinë dhe shëndetin e tokës.

18. Ushqim dhe strehim për jetën e egër. Lloje të ndryshme pyjore si psh. Ahu dhe dushqet janë ndër speciet e shumta urbane që ofrojnë ‘shtëpi’ të shkëlqyera urbane për zogjtë, bletët, ketrat, qukapikët etj.

19. Zbukurojnë tokën. Pemët mund të maskojnë mure a struktura betoni me pamje të shëmtuara. Ata zbusin zhurmat nga rrugët dhe autostradat dhe krijojnë një mjedis të gjelbër dhe shumë qetësues për sytë. Pyjet gjithashtu reduktojnë rrezatimin diellor mbi tokë.

20. Zbusin thatesirën. Sistemi rrënjor i një druri është përgjegjës për thithjen e lëndëve ushqyese dhe të ujit. Duke përdorur rrënjët si sensorë për të zbuluar kushtet e mungesës së ujit, ato dërgojnë sinjale tek pemët mbi tokë që të përshtasin procesin e tyre fiziologjik.

21. Ndihmojnë në kapjen e reshjeve të shiut. Kurorat e pemëve janë një qasje e bazuar në natyrë ndaj përmbytjeve gjithnjë e më prezente. Kurorat e drureve pyjorë rrisin sipërfaqen ku bien ujërat e reshjeve, duke ulur sasinë e rrjedhjes së tyre në tokë. Sistemet rrënjësore shërbejnë si zona ujëmbledhëse që nxisin infiltrimin. Një sipërfaqe pyjore kufizon me rreth 40% rrjedhjen e ujrave sipërfaqësore.

22. I bëjnë njerëzit më aktivë. Studimet tregojnë se sa më shumë pemë dhe peizazhe të ketë një qytet, aq më shumë njerëz dalin për aktivitete fizike në natyrë dhe rekreacion.

23. Rrisin vlerën e pronës. Një pronë e gjelbëruar me drurë, pemë a pyje ka kushtuar dhe do të kushtojë gjithmonë e më shumë se sa një pronë pa gjelbërim.

24. Janë streha më e madhe e biodiversitetit (florës dhe faunës) në planet.

Ka dhe plot të tjera….

Abdulla DIKU

Na Ndiqni në: