Në kuadrin e 6 kategorive të Zonave të Mbrojtura të vendit tonë, Parqet Kombëtare që renditen në kategorinë e dytë të Zonave të Mbrojtura sipas IUCN-së (Bashkimit Botëror të Ruajtjes së Natyrës), janë pjesa më e rëndësishme e Zonave të Mbrojtura, si për numrin e madh të tyre ( 14 parqe) ashtu edhe për faktin që janë zona të gjera që ruhen dhe menaxhohen për mbrojtjen e ekosistemeve, për edukim dhe rekreacion (shlodhje dhe argëtim). Si përfaqësues të kësaj kategorie do të trajtojmë në vijim Parkun Kombëtar të Thethit, si një ndër dy parqet më veriore të vendit tonë, bashkë me Parkun e Valbonës që ndodhen në zonën e Alpeve.
Parku i Thethit, i shpallur si i tillë qysh në vitin 1996, ka një sipërfaqe prej 4.782,5 ha. Ai ndodhet në Qarkun e Shkodrës dhe administrohet nga bashkia Shkodër. Është një park me vlera të larta të biodiversitetit në lidhje me habitatet, llojet bimore dhe ato shtazore. Përsa i përket drurëve pyjor, në të gjenden pyjet e pishës së zezë (pinus nigra), të robullit (pinus heildreichi), ahut ( fagus sylvatica) dhe bredhit të bardhë (abies alba), etj. Në lartësi më të mëdha gjenden dhe livadhet alpine. Përsa i përket faunës, në veçanti në parkun e Thethit takohen gjitarët e mëdhenj (të ashtuquajtur big game ) ku përmendim ariun (ursusarctos), ujkun (canis lupus), dhinë e egër (rupicapra aegagrus), kaprollin (capreoluscapreolus), ndërsa nga shpendët e mëdhenj përmendim shqiponjën (aquila chrysaetos), gjelin e egër (tetraourogallus) si dhe shpendë të tjerë grabitqarë. Parku përshkohet nga përrenj dhe lumenj malorë ku përmenden lumin e Thethit dhe të Shalës, në ujërat e freskëta dhe të pastra të të cilëve takohet lloji globalisht i kërcënuar i faunës ujore, lundërza (lutralutra), apo peshku i përmendur i kësaj zone për shijen e tij të veçantë, është trofta e egër (salmo sp.).
Përveç vlerave të mëdha shkencore, didaktike dhe të peisazhit, ky park mbart potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit, veçanërisht turizmin malor dhe kulturor. Karakteristikë për parkun e Thethit janë bujtinat e ngritura aty që shërbejnë për të pritur dhe akomoduar turistët e huaj dhe ata vendas, të cilët janë shtuar nga viti në vit. Bujtinat janë ndërtuar duke imituar shtëpitë e dikurshme të kësaj zone, me çati të pjerrëta, karakteristike kjo e zonave alpine, për të shmangur depozitimin e dëborës gjatë periudhës së dimrit.
Në këtë park ka disa gjeomonumente si shpella, ujëvara apo kanione që lidhen midis tyre me rrugë këmbësore apo shtigje të ndryshme dhe që janë mjaft tërheqëse për turistët e huaj apo vendas. Përsa i përket aspektit kulturor, këtu veçojmë kishën e vjetër të besimit katolik si dhe kullën e ngujimit që shërbente dikur për ngujimin e personave që kryenin një vrasje, derisa të mblidhej pleqëria e fshatit për të gjykuar për atë që ishte ndodhur dhe për të vendosur për fatin e gjaksit.
Për Parkun Kombëtar të Thethit mund të flitet e të shkruhet shumë më tepër, ndaj nuk do të mjaftonte një artikull i vetëm për të përshkruar bukuritë dhe karakteristikat e kësaj zone, por mund të shijoni një pjesë të këtij parku nëpërmjet fotove që demostrojnë peisazhin, bimësinë dhe gjeomonumentet e tij.
Prof. Dr. Fatmir Laçej
Departamenti Pyjeve, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.