Çfarë duhet të dini mbi aerosolet

Ndotja e grimcave aerosole është një përzierje e grimcave te ngurta mikroskopike dhe piklave të lëngëta pezull në ajër. Kjo ndotje, e njohur si grimcat PM, është e përbërë nga shumë komponentë që përfshijnë acide (të tilla si nitratet dhe sulfatet), kimikate organike, metale, dhera ose pluhura të imta dhe alergene (të tilla si fragmente të polenit ose spore myku) duke përfshirë një gamë të gjerë fenomenesh të tilla si pluhuri, tymi, mjegulla, retë dhe smogu.

Burimet e grimcave mikroskopike pezull në ajër janë të llojeve të ndryshme: grimca të përftuara nga djegia e karburanteve, shkarkimeve nga prodhimi i energjisë, grimcat e formuara fotokimikisht, kristalet e kripës të formuara nga shpërhapja e ujit të deteve dhe oqeaneve si dhe retë atmosferike me avuj uji apo grimca akulli.

Ata variojnë sipas aftësisë së tyre për të ndikuar jo vetëm vizibilitetin dhe klimën, por edhe shëndetin tonë dhe cilësinë e jetës. Këto grimca ajrore janë të gjitha shembuj të aerosoleve. Nje aerosol përcaktohet në formën e tij të thjeshtë si një bashkësi grimcash të ngurta ose të lëngshme pezull në ajër. Aerosolet janë sisteme dyfazore që përbëhen nga grimcat dhe gazi ku qëndrojnë pezull. Termi aerosol është shpikur rreth 1920 si analog i termit hidrosol, grimca të ngurta që qëndrojnë pezull në likuid.

Të kuptuarit e vetive të aerosoleve është me rëndësi të madhe praktike, duke mundësuar të kuptohen proceset e formimit të reve në atmosferë, shumë të rëndësishëm në ciklin hidrologjik. Vetitë e aerosoleve influencojnë përftimin, transportin dhe destinacionin e fundit të grimcave në atmosferë. Matjet dhe kontrolli i lëndës së grimcuar në mjedis kërkojnë aplikimin e këtyre njohurive. Meqenëse toksiciteti i grimcave që depërtojnë në organet e frymëmarrjes varet nga vetitë e tyre fizike dhe kimike, të kuptuarit e vetive të aerosoleve është i nevojshëm për vlerësimin e rrezikut të tyre në shëndet.

Madhësia e grimcave është e lidhur direkt me potencialin e tyre për të shkaktuar probleme shëndetësore. Grimcat e vogla më pak se 10 mikrometra në diametër paraqesin problemet më të mëdha, sepse ato mund të merren thellë në mushkëri dhe disa madje mund të merren edhe në gjak. Ekspozimi ndaj grimcave të tilla mund të ndikojnë në mushkëritë dhe zemrën tonë. Grimcat e mëdha janë një shqetësim më pak edhe pse ata mund të irritojnë sytë, hundën dhe fytin. Grimcat e vogla që përfshijë PM2,5 “grimcat e imëta” (fine particles), të tilla si ato që gjenden në tym dhe mjegullën e dendur, të cilat kanë diametër aerodinamik 2.5μm ose më pak dhe “grimca të trasha” (coarse particles) të tilla si ato që gjenden në pluhurin e ngritur nga era, kanë diametrin ndërmjet 2.5 dhe 10 μm.

Madhësia e grimcave PM është e një rëndësie vendimtare për ndikimet e tyre në shëndetin e njeriut dhe klimës globale. Madhësia e një grimce është faktori kryesor që përcakton se ku një grimcë do të depozitohet në traktin respirator. Grimcat më të mëdha se 5μm së shumti do të depozitojnë në pjesën e hapur të aparatit të frymëmarrjes. Ato ndërmjet 5μm dhe 1μm kryesisht do të depozitojnë në trake dhe bronke. Grimcat me diametër prej 0.5μm ose më të vogla depozitohen kryesisht në zonën alveolare. Ekspozimi ndaj grimcave me përbërje kimike të ndryshme mund të shkaktojë efekte toksikologjike të ndryshme për shëndetin e njeriut. Për shembull, ekspozimi ndaj pluhurit të asbestit mund të shkaktojë asbestozë, ekspozimi ndaj pluhurit të qymyrit mund të shkaktojë sëmundje të mushkërive, etj.

 

Gladiola Malollari
Departamenti i Fizikës dhe Shkencave të Aplikuara,Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.

Na Ndiqni në: