Photo by Ales Maze on Unsplash

Si të kujdesemi për hardhinë

Hardhia është një bimë shumëvjeçare që kërkon kujdes gjatë gjithë vitit. Për të siguruar bimë të shëndetshme, prodhim të bollshëm, cilësor dhe të përvitshëm, është e rëndësishme që hardhive t’ju shërbejmë në mënyrën dhe në kohën e duhur. Çdo vit është e domosdoshme që bimët të krasiten, të lidhen, të ushqehen, të ujiten dhe të spërkaten për t’i mbrojtur nga sëmundjet dhe dëmtuesit.

Gjatë muajve dhjetor- shkurt, në periudhën e qetësisë relative dhe në ditë me diell e pa ngrica duhet të kryejmë krasitjen dimërore, e cila siguron dhënien e një forme të caktuar hardhisë dhe vendosjen e ekuilibrit midis masës vegjetative dhe asaj prodhuese. Riparimet e sistemit mbështetës dhe lidhjet e thata kryhen menjëherë pas krasitjes. Pasi pastrohet terreni nga mbeturinat e krasitjes vijohet me spërkatjen dimërore që është një masë shumë e rëndësishme për të mbrojtur hardhinë.

Gjatë periudhës nëntor- shkurt, kryhet punimi i tokës dhe plehërimi bazë, në mënyrë që t’i sigurojmë kushte sa më të përshtatshme bimës me ushqim dhe lagështi. Toka është e domosdoshme të punohet çdo vit, në 20-25 cm thellësi, në mënyrë që të sigurojmë ajrimin, shkriftërimin, përmbysjen e bimësisë, shkatërrimin e barërave të këqija si dhe përmbysjen e plehrave organike e minerale. Ky proces që kryhet në periudhën nga rënia e gjetheve deri në fillimin e fenofazës së qarjes, i siguron kushte të përshtatshme bimës me ushqim dhe lagështi.

Gjatë gjithë periudhës vegjetative (mars- tetor), pra nga momenti që çel hardhia deri në vjelje,  vëmendja fokusohet në mbajtjen pastër të tokës nga barërat e këqija dhe ushqimin e hardhive sipas moshës, sipas dendësisë së mbjelljes dhe gjendjes së elementëve ushqyes në tokë, duke kryer plehërime plotësuese.

Ujitja kryhet në varësi të klimës. Bimët e reja e kanë të domosdoshme ujitjen në kushte thatësie.  Nevojat më të mëdha për ujë tek hardhia janë në kohën e rritjes intensive të kokrrës, që përkon  shpesh dhe me mungesën e reshjeve në vendin tonë. Por kujdes, teprica e ujit gjatë pjekjes së kokrrës dëmton cilësinë, prandaj dy javë para vjeljes ndërpritet ujitja.

Një kujdes i veçantë gjatë vegjetacionit i kushtohet operacioneve të gjelbëra, si largimi i thithakëve, rrallimi i lastarëve të panevojshëm që dendësojnë vegjetacionin, këputjes së majës së lastarëve frutor, shkurtimeve të sqetullorëve ose largimit të tyre, rrallimit të gjetheve në bimët e fuqishme si dhe lidhjeve të gjelbra, në mënyrë që të sigurohet ajrimi, diellëzimi dhe shmangia e infeksioneve por edhe korrigjimi i ndonjë gabimi të mundshëm të kryer në krasitjen dimërore.

Trajtimet fitosanitare në varësi të varietetit, të pranisë së infeksioneve dhe të kushteve të motit janë operacione të domosdoshme për  të siguruar bimë e prodhime të shëndetshme.

 

Prof. Assoc. Frida Çarka
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.

Na Ndiqni në: