pixel2013 - www.pixabay.com

Kivi, fruti me vlerë të madhe ushqyese.

Kivi është njohur ndryshe me emrin Actinidia. Ai është fruti që ka përhapje tregëtare në të gjithë botën, është mjaft i kërkuar dhe i klasifikuar si mbreti i frutave pasi ka përmbajtje të vitaminës C në nivele më të larta se frutat e tjera. Ky frut ka vlera të mëdha për shëndetin. Kivi është frut që gjendet tashmë edhe në vendin tonë. Pas viteve 1990 hyri fillimisht në tregun shqiptar dhe gjatë 10-vjeçaritë të fundit disa fermerë kanë mundur ta kultivojnë atë dhe ta nxjerrin në treg. Zonat ku kultivohet kivi në vendin tonë janë Shkodra, Tirana, Fieri dhe  Lushnja. Gjatë viteve 1986-1988 u eksperimentua kultivimi i këtij fruti në ish- Institutin e Pemëtarisë dhe Vreshtarisë, Tiranë por nuk pati rezultat. Teknologjia që u zbatua ishte e njëjtë por nuk u zbatuan shërbimet agroteknike me rigorozitet, pasi kivi është frut me biologji të veçantë dhe kërkesa të veçanta.

Origjinën e kivit është nga Kina qendrore dhe lindore. Të dhënat e para për të, datojnë që në shekullin e XII-të. Kultivari i kivit u përhap nga Kina në shekullin XX në Zelanden e Re. Fruti u popullarizua në Angli dhe Amerikë gjatë luftës së dytë botërore. Në Zelandën e Re gjatë viteve 1940-1950, filloi të gjejë zhvillim bujqësor dhe tregëtar më të madh.

Varietetet e para të kivit të përshkruara në të dhënat e hershme si masa, shija e pjekja datojnë që prej vitit 1904. Në 1962, kultivuesit në Zelandën e Re e quajtën “Kivifrut”, në 1974 u adaptua si produkt për në treg dhe së bashku me Australinë, duke iu referuar zogut kivi, e quajtën atë Kivifrut. Në vitet që do të pasonin, kultivuesit e këtij fruti ranë dakort ta quanin atë actinidia. Ka disa varietete të këtij kultivari.

Vlerat ushqimore dhe përdorimi i frutave

Ajo që e bën aktiniden me vlerë ushqyese të madhe është sasia e lartë e vitaminës C, 140 mg/100 gr/tul; prania e sheqernave, 11.20 mg/100 gr/tul dhe kaloritë, 48 mg/100 gr/tul. Nga lëndët minerale evidentohen; përmbajtja e mirë e kripërave të potasit që ka 226 mg/100 gr/tul; ajo e fosforit, 42.10 mg/100 gr/tul dhe kalciumit, 30.30 mg/100 gr/tul. Është i dobishëm për tretjen, për zemrën, për uljën e tensionit, për ripërtëritjen e indeve të organizmit.

Kivi është quajtur aleat i zemrës dhe i tretjes, ka dy herë më shumë vitamina C se portokalli. Një arsye pse kivi është një nga frutat më të mira, ka të bëjë me faktn se është i pasur me antioksidantë. Duke qenë se ka përqindje të vitaminës C më të lartë se portokalli, e bën atë frut me komponent të fortë për uljen e kolesterolit. Përmbajta e vitaminës C dhe E në të, shpejtojnë përgjigjen e sistemit imunitar. Polisakaridet në kivi janë në gjendje të dyfishojnë sintezën e kolagjenit në trup. Fruti ndihmon në përmirësimin e frymëmarrjes. Kivi ka një furnizim të madh me karotenoid dhe vitamin A, e cila siç dihet është mjaft e dobishme për shëndetin e syve.

Nga studimet është parë që kivi ndikon shumë në tretje, përmirëson ndjeshëm funksionin e tretjes. Ai ndihmon në shëndetin e zemrës dhe ul presionin e gjakut për shkak të vitaminës K që përmban. Pema e Actinidies është përdorur në Kinë dhe sipas të dhënave, janë përdorur si bimë medicinale. Ato kanë aftësi antifungale dhe antibakteriale. Tashmë ky frut jo vetëm eksportohet por dhe prodhohet nga kultivuesit në vendin tonë, on farm.

 

Prof. Ass. Dr. Tatjana Koka
Përgjegjëse për pemët frutore, farore dhe sub-tropikale, Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.

Na Ndiqni në: