Perikarditi traumatik në lopë. Në përgjigje të interesit për të ditur më shumë nga fermerët dhe specialistët

Ç’farë përfaqëson Perikarditi traumatik në lope dhe sishkaktohet?  

Perikarditi traumatik është pezmatimi i perikardit që në përgjithësi ka karakter eksudativ dhe rezulton me grumbullimin e eksudatit midis perikardit visceral dhe atij parietal. Perikarditi traumatik shkaktohet nga depërtimi në perikard i trupave të huaj metalikë migrues me origjinë nga retikuli. Perikarditi në kafshë shfaqet në forma të ndryshme klinike. Ai mund të jetë akut(pericarditis acuta) dhe kronik (pericarditis chronica). Perikarditi, klinikisht mund të takohet në formë të lokalizuar(pericarditis circumscripta) dhe të përhapur (pericarditis diffusa).

Perikarditi traumatik në shumicën e rasteve, konsiderohet si ndërlikim i retikulitit apo retikuloperitonitit traumatik, i shkaktuar nga trupa të huaj të mprehtë dhe me majë. Takikardia, gjendja me ethe, zmadhimi i venave jugulare, dobësia progresive, hidrotoraksi, ashiti dhe çrregullimet e punës së zemrës që shoqërohen me zhurma karakteristike, përbëjnë veçoritë diagnostike të sëmundjes.

Cilat kafshë dhe mosha preken shumë nga Perikardititraumatik?

Midis kafshëve bujqësore denduri më të madhe perikarditi traumatik ka në kafshët ripërtypëse dhe sidomos në gjedhë, e më rrallë në bagëtitë e imta. Perikarditi traumatik ndeshet më shpesh në lopë e sidomos në ato të moshës 4 – 6-të vjeçare e me prodhimtari të lartë. Incidenca është më e lartë gjatë tre muajve të fundit të barrsërisë dhe në kohën e pjelljes sesa në çdo periudhë tjetër.  

Sëmundja ndeshet si në kafshë me regjim kullosor edhe në ato me regjim mbarështimi stallor e sidomos në lopë me prodhimtari të lartë. Në lopë me regjim mbarështimi stallor, perikarditi është vërejtur më shumë në periudhën e dimrit dhe të pranverës. Në këto periudha (më shumë se në periudha të tjera) përdoren si ushqim mbeturina industriale (koncentrate, bërsi), ushqime të konservuara (silazh, senazh) në të cilat mund të jenë të pranishëm trupa të huaj metalikë.

Pse lopët ndonjëherë duket sikur kërkojnë marrin trupa huaj edhe metalikë?

Në lopë shpesh herë zhvillohen e shfaqen devijime të metabolizmit të lëndëve. Devijimet e metabolizmit të proteinave, kripërave minerale dhe vitaminave, kanë meslidhje të ngushtë dhe manifestohen me dukurinë e allotriofagisë (që ndeshet më shumë në lopët me prodhimtari të lartë). Lopë të tilla së bashku me ushqimin “kërkojnë” e marrin edhe sende të tjera, midis të cilëve edhe trupat e huaj metalikë.

Cilat janë shenjat klinike karakteristike të Perikarditittraumatik në lopë?

Manifestimet klinike të perikarditit traumatik ndryshojnëvarësisht nga shkaku, nga volumi e shkalla e zhvillimit të transudim-eksudimit. Shenjat klinike të perikarditit, mund të grupohen në ndryshime të sjelljes së kafshës, ndryshime në madhësinë e në funksionin (në tonet) e zemrës, ndryshime në puls, ndryshime në shfaqjet e jashtme të insufiçiencës kardiake dhe ndryshime në elementët qelizorë të gjakut.

Shenjat klinike jospecifike si gjendja me ethe dhe depresion, anoreksia dhe humbja e peshës trupore, janë ankesat kryesore të pronarit. Shpesh në ankesat e rastit mund të përfshihen dhe dukuritë e edemave periferike, zmadhimi dhe pulsimi i venave jugulare, vështirësia në frymëmarrje, lodhja e shpejtë, etj.

Lopët mund të manifestojnë dhimbje abdominale, qëndrim jonormal me gjymtyrët e para të spostuara anash, rënkime spontane dhe mungesë dëshire për të lëvizur. Në fazat e para të zhvillimit të procesit kafsha i mban të larguara pak bërrylat anash dhe gjatë uljeve dhe ngritjeve rënkon dhe kërcet dhëmbët. Në rajonin e shpatullave konstatohen dridhje të shpeshta e ritmike të muskulaturës. Kafsha e sëmurë e mban shpinën e harkuar nga sipër dhe gjymtyrët e pasme i fut pak nën bark. Grumbullimi i eksudatit në qeskën perikardiale zhduk dhimbjen. Me avancimin e procesit kafsha e sëmurë shfaq shenja karavatjeje, gjendje frenimi, qëndrim me sy gjysëm të mbyllur ose të mbyllur dhe ka reagim të dobët ndaj ngacmuesve të ndryshëm.

Sëmundja në fillim shoqërohet me temperaturë të lartë (40 – 41 °C). Në format nënakute dhe kronike të perikarditit, që shoqërohen me grumbullimin e eksudatit qelbëzor temperatura mund të qëndojë midis shifrave 39 – 39.8 °C. Frymëmarrja është e shpeshtë dhe sipërfaqësore. Kafsha e sëmurë ka dispnoe, mukoza të kongjestionuara deri cianotike dhe kohë të zgjatur të rimbushjes kapilare. Në raste të veçanta, në fazat e avancuara të shfaqjes së insufiçiencës kardiake te kafsha e sëmurë vërehen edhe shenja të hiperemisë dhe edemës pulmonare.

Foto 1: Lopë me perikardit traumatik (edemë në gjoks).

Në palpim të rajonit kardiak kafsha ndjen dhimbje. Në rastet e grumbullimit me shumicë të eksudatit në qeskën perikardiale në palpim nuk konstatohet dhimbje, madje kafsha nuk reagon edhe ndaj goditjeve që i bëhen.

Ndryshime që i referohen stadeve të zhvillimit të procesit eksudativ në perikard pëson edhe pulsi. Në fillim pulsi arterial është i lartë, i shpejtë, i fortë dhe më pas gradualisht dobësohet.Enët arteriale të gjakut mbushen gjithnjë e më pak me gjak e për këtë shkak pulsi arterial fillon e bëhet i vogël dhe në vazhdim filiform. Denduria e pulsit arrin 100 – 120 (në disa raste edhe më shumë) pulsacione në një minutë. Ndodh që pulsi bëhet aq i vogël e i shpejtë, sa që vështirë se mund të palpohet dhe numërohet.

Në perkutim të zemrës konstatohet zmadhim i zonës së shurdhësisë absolute në një sipërfaqe që shtrihet nga interkostalja e parë deri në të shtatën. Perkutimi i toraksit në pjesën ventrale përfton tinguj të zhurdhër, por ndodh që të përfitohet tingull timpanik, nga prania e gazeve. Tingulli timpanik në rajonin e zemës është indikator i prognozës së keqe.

Auskultimi i toraksit në perikardit jep të dhëna të rëndësishme dhe mundëson gjetje diagnostike. Gjetjet më konsistente gjatë auskultimit përfshijnë takikardinë, zhurmat e zemrës dhe mungesën e dëgjimit të zhurmave të frymëmarrjes në pjesën ventrale të toraksit. Tonet e zemrës fillimisht janë të lartë, trokitës dhe së bashku me ta dëgjohen edhe zhurma fërkimi të fletëve perikardiale që shoqërojnë tonet e zemrës. Disa ditë më vonë (me grumbullimin e eksuda,tit në qeskën e perikardit), zhurmat e fërkimit zhduken dhe zhurmat e zemrës tani bëhen gurgulluese, llokoçitëse. Në lopë, zhurmat llokoçitëse zakonisht dëgjohen në gjithë zonën e auskultimit të zemrës. Në kafshët me perikardit dëgjohet dhe ritmi i galopit. Zhurmat e fërkimit rishfaqen vetëm në perikarditin e thatë fibrinoz.

Me avancimin e sëmundjes gjendja shëndetësore e kafshës si dhe gjithë treguesit klinikë përkeqësohen. Karakteristikë është gjendja e depresionit dhe më pas edemat.

A mund dyshohet më herët për dëmtime nga trupa huajmetalikë në lopë nga vetë fermerët?

Po është e mundur. Duke qenë ndërlikim i retikulitit, fillimisht te kafsha vërehen simptoma të retikulitit dhe kryesisht çrregullime të aparatit tretës e të parastomakëve. Kafsha e sëmurë manifeston gjendje depresioni, ulje graduale të oreksit, hipotoni të rumenit (me pasoja timpaninë periodike), çrregullime të defekimit, dhimbje në rajonin e retikulit dhe pakësim të prodhimit ditor të qumështit. Kafsha e sëmurë bën lëvizje të kujdesshme e të ngathëta. Në vendet e pjerrëta lëviz me vështirësi dhe ngre kurrizin sipas atakeve të dhimbjes. Kur është ulur çohet me vështirësi.

Foto 2: Lopë me perikardit traumatik (edemë në hapësirën e nofullës së poshtme).

A ka raste vështira diagnostikimin dhe trajtimin e lopëve me Perikardit traumatik?

Po. Raste të vështira ka gjithmonë. Në disa raste kafsha duket e sëmurë për disa javë, me edema që zhvillohen ngadalë, në raste të tjera edemat zhvillohen dhe përhapen brenda 2 – 3 ditësh. Zhvillimi i shpejtë i edemave tregon se ngordhja e pacientit do jetë e afërt. Nëse kafsha mbijeton dhe zhvillohet perikarditi kronik, vërehet vështirësi e theksuar në punën e zemrës për shkak të aderencave të perikardit me miokardin. Në raste të tjera ndodh që direkt pas depërtimit të trupit të huaj, rupturë e arteries koronare ose e murit ventrikular me pasojë ngordhjen e menjëherëshme të pacientit.

Sa shanse për shërim ka një lope me perikardit traumatik?

Shumica e kafshëve të prekura nga retikuliti traumatik vdesin brenda 1 – 2 javësh. Një pjesë shumë e vogël mbijeton me formën kronike të perikarditit. Shenjat klinike më karakteristike të stadeve të avancuara (terminale) të sëmundjes përfshijnë edemat, dispnenë, diarrenë e rëndë ujore, depresionin, qëndrimin shtrirë dhe anoreksinë totale. Vdekja zakonisht vjen nga asfiksia dhe toksemia.

Kafshët që kapërcejnë stadin e hershëm perikarditit (1 – 3 %), vuajnë nga forma kronike e sëmundjes. Kondicioni trupor është i dobët, anoreksia (apetiti) e variueshme, ndërsa mënyra e të sjellurit është normale. Kafshët duken vigjilente, e të gjallëruara. Në formën kronike edemat nuk janë të dukshme por vërehet zmadhimi i venave jugulare. Zhurmat e zemrës janë të “mbytura”. Zhurmat e përplasjes së lëngjeve (llokoçitëse) dëgjohen vetëm në një zonë shumë të vogël. Denduria kardiake edhe në formën kronike është e lartë (90 – 110 rrahje në min) dhe pulsi ka amplitudë të ulët.

Me cilin duhet kontaktoni nëse lopa juaj dyshoni se vuannga Perikarditi traumatik?

Nëse ka dyshime për praninë e sëmundjes së perikarditit traumatik te lopa, duhet të kontaktohet mjeku veteriner. Në të gjitha rastet duhet respektuar rregulli për lajmërimin e shpejtë të mjekut veteriner. Rastet mundet që nëpërmjet mjekut veteriner të konsultohen dhe me pedagogët në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare.  

Si mund trajtohen kafshët me Perikardit traumatik?

Duhet ditur se trajtimi i perikarditit traumatik në lopë nuk është shpërblyes dhe zakonisht ndërmerret vetëm në rastet kur kërkohet të përftohet viçi. Shfaqja e menjëherëshme e edemave të përhapura paraqet një prognozë të pafavorshme. Megjithatë, në rastet e përballjes me pacientë me perikardit traumatik ata veçohen dhe vendosen në vende të qeta dhe të ajrosura mirë. Nëse te ato ruhet oreksi, i jepet ushqim me porcione të vogla dhe në përbërje të racionit ushqimor nuk përfshihen ushqimet voluminoze. Sasia ditore e ujit pakësohet.

Trajtimi i pacientëve mundet të bëhet në rrugë operative dhe konservative. Në rastet kur krijohet siguria se procesi ndodhet në fillim, rekomandohet të kryhet rumenotomia e cila siguron largimin (heqjen) e trupit të huaj, kur një pjesë e tij ndodhet akoma në retikul. Në gjedhët me edema ventrale të mëdha dhe insufiçiencë të dukshme të zemrës nuk rekomandohet ndërhyrja kirurgjikale. Perikardiocentezis në brinjën e katërt, lavazhi dhe drenimi i perikardit përmirëson përkohësisht edemat dhe procesin e frymëmarrjes, por procesi përsëritet pas disa ditësh. Perikardiocentezis dhe perikardiotomia janë masa që mundësojnë përkohësisht mbijetesën e pacientit, por rikuperimi total dhe prognoza mbetet e keqe, sepse pamjaftueshmëria kongjestive kardiake si ndodhi pasuese nuk përfshin vetëm perikardin por edhe epikardin dhe miokardin.  

Foto 3: Pamje në procesin e perikardocentezis.    

Në fazat e para të zhvillimit të perikarditit traumatik mundet të përdoren antibiotikë me spektër të gjerë veprimi, ose terapi e kombinuar me antibiotikë dhe sulfamide. Rezultatet e trajtimit nuk janë të kënaqëshme por shpëtimi momental i mbi 50 % e kafshëve të prekura mund të arrihet duke përdorur antibiotikë me spektër të gjerë veprimi. Antibiotikët, anti-inflamatorët josteroidalë dhe diuretikët janë preparate të cilat rekomandohen në trajtimin e patologjisë në fjalë. Rekomandohet të përdoret kombinimi i penicilinës me gentamicinë, penicilinës me streptomicinë, etj. Mjekimi mund të kombinohet edhe me preparate sulfamidike. Njëkohësisht ndihmohet puna e zemrës. Kafshët e sëmura trajtohen edhe me diuretikë.

Kur sëmundja ka avancuar shumë dhe gjendja e përgjithshme e kafshës nuk ka përmirësime, ose kur që në momentin e paraqitjes për vizitë është e keqe, kafsha rekomandohet të theret. Në rast se kafsha është barse e rëndë, bëhen përpjekje për ta mjekuar deri në realizimin e operacionit Çezarian, për të përfituar viçin.

A mundet parandalohet zhvillimi i perikarditit traumatik lopë?

Për parandalimin e perikarditit traumatik është e domosdoshme të bëhet kujdes për kontrollin në mënyrë të vazhdueshme të ushqimeve të koncentruara me anën e shoshjes dhe me përdorimin e shufrave magnetike. Dengjet e kashtës, barit, asnjëherë nuk duhet të lidhen me tel. Kujdes i veçantë duhet të tregohet sidomos në periudhën e dimrit kur për shtresë përdoret tallashi i sharës. Ky duhet të kontrollohet mirë me magnete para përdorimit. Kullotat duhet të kontrollohen mirë për mbetje metalike përpara se lopët të dalin në kullotë.  

Në kushtet e mbarështimit intensiv rëndësi të madhe parandaluese paraqesin masat për përmirësimin e proceseve metabolike me përdorimin e ushqimeve me racione të plotësuara proteina, kripëra minerale, vitamina e mikroelementë.

Masë e rëndësishme për ruajtjen e lopëve nga perikarditi traumatik është dhe përdorimi në kohë i magnetëve profilaktikë. Në çdo rast të diagnostikimit të një lopë barrëse, duhet patjetër të kontrollohet për praninë e magnetit në retikul. Nuk rekomandohet t’i jepet kafshës më shumë se një magnet.

Shënim: Informacione të mëtejshme dhe ose konsultime do të gjeni në çdo kohë Fakultetin e Mjekësisë veterinare.

Prof. asc. Dr. Ilirjan BAKIASI
Departamenti i Lëndëve Klinike

Shto Koment

Na Ndiqni në: