Bujqësia Organike dhe roli i saj në zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike

Pa dyshim që një nga problemet më të mëdha sot në botë janëndryshimet klimatike. Ndryshimet klimatike gjithnjë e më shumë po shfaqin ndikimin e tyre në të gjitha sistemet ekologjike me pasoja të mëdha jo vetëm mjedisore, por dhe ekonomike e sociale. Tashmë është e qartë që klima e Tokës po ndryshon si pasojë e lëshimeve të gazeve serrë në atmosferë. Djegia e lëndëve djegëse fosile, industria, transporti, prodhimi i energjisë, shpyllëzimi, bujqësia etj., janë kontribuesit kryesorë të lëshimeve të gazeve serrë.

Këto gaze duke u bashkuar me gazet natyore në atmosferë kanë rritur më tej efektin serrë, duke akumuluar më shumë energji brenda atmosferës tokësore dhe duke shkaktuar një rritje të temperaturës mesatare vjetore të Tokës (ngrohjen globale) dhe ndryshime të klimës.

Ndërmjet sektorëve ekonomikë, bujqësia sipas studimeve më të fundit (IPCC, Climate Change and Land), nëpërmjet modelit tëmenaxhimit bujqësor dhe pyjor kontribuon me rreth 24% të lëshimeve të gazeve serrë.

Sipas IPCC (2014), bujqësia tradicionale prodhon 11% të totalit të gazeve serrë, të cilave në qoftë se ju shtojmë dhe lëshimet nga shpyllëzimet dhe bujqësia intensive arrijnë në rreth 25% të lëshimeve total.

Të tjera studime sjellin në vëmëndje që bujqësia në të gjithëbotën kontribuon me 19 deri 29 % të lëshimeve antropogjenike të gazeve serrë. Në BE vlerësohet që bujqësia është përgjegjëse për rreth 10% të sasisë totale të lëshimeve të gazeve serrë.

Lëshimet globale nga bujqësia janë rritur nga 4.7 miliardë ton ekuivalent CO2 në 2001 në më shumë se 5.3 miliardë në 2011, pra me një rritje prej më shumë se 14%, e cila vazhdon akoma më tej në ditët e sotme.

Në veçanti bujqësia, përveç dioksidit të karbonit (CO2), lëshon sasi të mëdha gazi metan (CH4) nga mbarështrimi blegtoral dhe oksid azoti (N2O) nga përdorimi i plehërave kimike sintetike;gaze këto të cilat kanë një ndikim shumë të fuqishëm në efektin serrë, shumë herë më të lartë se sa dioksidi i karbonit (CO2). Gazi metan ka një potencial ngrohje të atmosferës 25-36 herë më të madh se dioksidi i karbonit dhe oksidi i azotit një potencial ngrohje rreth 310 herë më të madh, d.m.th., ndikimi i 1 kg oksid azoti është rreth 310 herë më i madh se ndikimi i 1 kg dioksid karboni.

Këto të dhëna evidentojnë faktin që bujqësia është një nga kontribuesit kryesorë në ndryshimet klimatike.

Kështu që në sektorin e bujqësisë, për të reduktuar lëshimet e gazeve serrë është e nevojshme, në përputhje me drejtimet e strategjive zbutëse, të përshtasim sistemet bujqësore sipas parimeve agroekologjike dhe të modifikojmë praktikat bujqësore që zbatojmë në ferma. Praktikat e reja bujqësore që duhet të ndjekim nga njëra anë reduktojnë gazet serrë që vijnë nga bujqësia si dioksidi i karbonit (CO2), gazi metan (CH4) dhe oksidi i azotit (N2O) dhe, nga ana tjetër, krijojnë mundësinë për një sekuestrim të karbonit në tokë si një nga vend-depozitimet kryesore të tij.

Strategjitë e zbutjes parashikojnë ndërhyrje në të gjithë sektorët ekonomikë, por në mënyrë të veçantë në bujqësi me qëllim reduktimin e lëshimeve të gazeve me efekt serrë në atmosferë.

Pjesë e rëndësishme e strategjive zbutëse e përshtatëse në bujqësi është zbatimi i Bujqësisë Organike, praktikat bujqësore të së cilës krijojnë mundësinë për reduktimin e lëshimeve të gazeve serrë, për sekuestrimin e karbonit në tokë dhe për një përshtatje më të mirë ndaj ndryshimeve klimatike nëpërmjet ruajtjes së tokës, fuqizimit të biodiversitetit dhe duke i bërëfermat organike më reziliente (me një shkallë të lartë elasticiteti dhe mundësi më të mëdha përshtatje).

Sot ka shumë të dhëna që vijnë nga kërkimi shkencor në ferma që bujqësia organike ka një potencial të madh për të reduktuar lëshimet e gazeve serrë.

Praktikat agronomike si qarkullimet e bimëve, bashkëshoqërimet, ndalimi i përdorimit të plehërave sintetikë e pesticideve, përdorimi i bimëve bishtajore, ruajtja e biodiversitetit, ruajtja e ujit, ruajtja e tokës, konsumi i ulët idjegësve fosilë, përdorimi i energjive të rinovushme, administrimi i livadheve, kullotave e mbarështrimit shtazor dhe shumë praktika të tjera agroekologjike ndikojnë në këtë drejtim.

Këto praktika të bujqësisë organike kanë një rol të rëndësishëm në reduktimin e lëshimeve të gazeve serrë.  Kështu, sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë (World Meteorological Organization, WMO) tokat që administrohen e metodën organike dhe që përdorin mesatarisht 45 % më pak energji, lëshojnë 40% më pak gaze serrë dhe mund të absorbojnë tëpaktën 0.5-ton karbon/hektar/vit.

Bujqësia organike me anë të praktikave që zbaton, ka gjithashtu një potencial të madh të sekuestrimit të karbonit në tokë.

Sekuestrimi i karbonit në tokë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në reduktimin e efektit serrë, duke qënë se sasi të mëdha të karbonit depozitohen në tokë dhe nuk shkojnë në atmosferë. Në një tokëtë shëndetshme, sipas FAO-s (2020), magazinohet më shumëkarbon se ai që gjendet në atmosferë dhe në vegjetacion sëbashku. Pratikat e bujqësisë organike krijojnë kushte për një tokë më të shëndetshme e cila sekuestron më shumë karbon duke e bërë fermën organike më reziliente ndaj ndryshimeve klimatike.

Praktikat bujqësore dhe mënyrat e përdorimit të tokës, përfshi këtu dhe pyjet dhe administrimin e lagunave, mund të rrisin këtë rezervë të karbonit në tokë dhe në bimë ose mund të bëjnë që ai të çlirohet më shumë në atmosferë.

Praktikat e zakonshme të bujqësisë organike si qarkullimet e bimëve, bashkëshoqërimet, përdorimi i bimëve bishtajore në qarkullim, mbulimi i tokës më bimësi, punimet minimale, plehërimi organik dhe plehërimi i gjelbër, kompostimi i mbetjeve bimore e shtazore etj., krijojnë mundësinë për të rritur rikthimin e karbonit organik në tokë. Këto praktika bëjnë që sasi të mëdha të karbonit që gjenden në bimë dhe në mbetjet shtazore të kthehen në tokë.

Menaxhimi i plehut organik dhe mbetjeve bimore reduktojnë lëshimin e gazit metan ndërsa përdorimi i bimëve bishtajore në qarkullim redukton plehërimin azotik, për pasojë lëshimin e oksidit të azotit.

Nga ana tjetër bujqësia organike ka nivel të ulët të përdorimit të energjisë nga djegësit fosilë dhe nuk përdor inpute si plehrat kimike e pesticidet që kontribuojnë në lëshimin e gazeve serrë.

Këto praktika të bujqësisë organike janë krejt të ndryshme nga ato që përdoren në bujqësinë konvencionale. Sipas një studimi (Gattinger et al. 2012), në tokat e administruara me metodën organike ka 0.2% lëndë organike më shumë se sa në tokat e administruara me metodën konvencionale.

Por sa më shumë karbon të kthejmë në mjedisin tokësor aq më pak karbon do të çlirohet në atmosferë.

Të dhënat e kërkimeve të kryera evidentojnë faktin se bujqësia organike me praktikat që zbaton rrit pjellorinë e tokës nëpërmjet rritjes së sasisë së lëndës organike në tokë, gjë e cila do të thotë që sekuestron më shumë karbon organik (CO) në tokë. Sipas një studimi (Krausset al., 2014), në tokat e kultivuara me metodën organike, akumulimi vjetor i CO në tokë është 3.5 ton/hektar, në tokat e papunuara është 1.98 ton/hektar.

Bujqësia organike si një qasje e re agroekologjike me praktikat e saj krijon një sistem rezilient i cili krijon më shumë mundësi përshtatje të bujqësisë ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike.

Ndryshimet klimatike si rritja e temperaturës, ndryshimet në modelet e rreshjeve, dukuritë ekstreme klimatike si valët e të nxehtit, thatësirat e përmbytjet kanë ndikimin e tyre mbi prodhimin bujqësor e ushqimor.

Modelet e menaxhimit agroekologjik, ku bujqësia organike ështënjë prej tyre, i përgjigjet më mirë dukurive klimatike tëmësipërme. Modeli agroekologjik i bujqësisë organike i cili siguron një përmbajtje të lartë të lëndës organike në tokë e bën këtë sistem bujqësor më rezilient ndaj thatësirave, përmbytjeve, degradimit të tokës, shfaqjes së sëmundjeve e dëmtuesve të rinj, efekte këto të ndryshimit të klimës.

Dhe këtë gjë mund ta bëjë bujqësia organike duke qënë se elementët që përbëjnë këtë sistem bujqësor bëjnë të mundur të krijohet një sistem agroekologjik dhe rezilient. Bujqësia organike si një sistem agroekologjik përbën një sistem rezilient me një shkallë të lartë përshtatje ndaj dukurive ekstreme klimatike si valët e të nxehtit, thatësirat e përmbytjet.

Strategjitë dhe masat përshtatëse janë të ndryshme, ato nuk mund të jenë të njëjta në çdo zonë klimatike dhe ndryshojnë nga një zonë në një tjetër në varësi të frekuencës së shfaqjes dhe ndryshimit të këtyre dukurive klimatike.

Dhe ajo që mund të bëjnë fermerët në zonat ku gjendet ferma e tyre është që të zbatojnë praktikat organike, të përdorin lloje rezistente dhe lloje autoktone, të menaxhojnë mirë tokën, pjellorinë dhe shëndetin e saj, të menaxhojnë me efiçensë ujin, të menaxhojnë blegtorinë dhe mbetjet blegtorale, të përdorin energjitë e rinovueshme në fermë, të mbrojnë pyjet dhe kullotat.

Ajo që është e rëndësishme për fermerët është fakti që rezultatet e kërkimeve të kryera për këtë qëllim tu transmetohen atyre nëpërmjet sistemeve të këshillimit (ekstensionit bujqësor) në mënyrë që ata të reagojnë dhe të krijojnë sisteme të fermaveorganike reziliente ndaj ndryshimeve të klimës.

Këto argumenta lidhur me bujqësinë organike mbështeten nga një literaturë e gjërë shkencore e cila evidenton rolin e bujqësisëorganike për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Prof.Dr. Albert Kopali

Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore

Na Ndiqni në: