Photo: news.berkeley.edu

Përdorimi i teknikave të “Remote Sensing’’ dhe “GIS’’ për vlerësimin e impaktit të zjarreve në ekosistemet pyjore

Ekosistemet pyjore mbartin vlera ekonomike, mjedisore, rekreative dhe turistike. Këto ekosisteme kërcenohen në mënyrë serioze dhe të vazhdueshme nga zjarret në pyje duke sjellë pasoja të mëdha negative të tilla si shkretëtirëzimi, erozioni i tokës, humbja e furnizimit me ujë, humbja e biodiversitetit, humbja e funksioneve biologjike të cilat pasohen me humbje të mëdha social-ekonomike. Përcaktimi i shkallës së dëmtimit të pyjeve nga zjarret lehtëson proçesin e analizimit dhe vlerësimit të ndikimit të zjarrit dhe ndihmon proçesin e vendimmarrjes që synon ripërtëritjen e bimësisë në sipërfaqet e dëmtuara.

Rritja e frekuencës dhe intensitetit të zjarreve në pyje, sidomos në dekadat e fundit, ka çuar në një rritje të nevojës për të monitoruar zjarret por edhe për të vlerësuar sipërfaqet e dëmtuara nga zjarret nëpërmjet teknikave të Remote Sensing dhe GIS. Remote Sensing përbën një alternativë të besueshme dhe të aplikueshme për vlerësimin e dëmtimit të pyjeve nga zjarret pasi mundëson rezultate të shpejta dhe të sakta bazuar në të dhëna jo të kushtueshme, të shpeshta në kohë dhe të marra nga burime të ndryshme satelitore dhe ajrore për vlerësimin e sipërfaqeve të djegura. Indekset e derivuar nga bandat spektrale të imazheve satelitore përdoren gjerësisht për të përcaktuar vendndodhjen, shtrirjen në hapësirë të sipërfaqeve të djegura dhe për të vlerësuar shkallën e prekjes së pyjeve nga zjarret. Indekse të tilla shërbejnë edhe për monitorimin objektiv dhe sistematik të gjendjes së vegjetacionit pasi mundësojnë hartografimin, analizimin dhe vlerësimin e aktivitetit fotosintetik/rigjenerimin e vegjetacionit në sipërfaqet e djegura.

Të dhënat e siguruara nga përpunimi i imazheve satelitore janë mjaft të rëndësishme për të kuptuar efektet e zjarreve në ekosistem si dhe ndikimin e ndryshimeve mjedisore në funksionimin ekologjik të ekosistemit. Për më tepër, të dhëna të tilla janë në mbështetje të aktiviteteve të vazhdueshme për mbrojtjen e mjedisit dhe thelbësore në kontekstin e adresimit të sfidave rajonale, kombëtare dhe globale, të tilla si vlerësimi i dëmeve të zjarreve në pyje, planifikimi dhe ripërtëritja në nivel rajonal, etj. Teknologjia e Remote Sensing dhe GIS ka gjetur përdorim të gjerë edhe në vlerësimin e territoreve/sipërfaqeve që paraqesin rrezik të lartë të prekjes nga zjarret duke mundësuar prodhimin e modeleve/hartave të rrezikut nga zjarret të cilat janë mjaft të dobishme për të adresuar, parandaluar ose eleminuar problemet mjedisore, sociale dhe ekonomike të shkaktuara nga zjarri.

Pra hartografimi i saktë dhe i shpejtë i sipërfaqeve të dëmtuara nga zjarret është thelbësor për të mbështetur menaxhimin/rehabilitimin e tyre, për të llogaritur dëmet e shkaktuara në mjedis, për të përcaktuar strategjitë e planifikimit/menaxhimit dhe për të monitoruar ripërtëritjen e vegjetacionit. Duke patur parasysh që zjarret përbëjnë një kërcënim serioz për ekosistemet pyjore në vendin tonë, është domosdoshmëri që institucionet përgjegjëse të cilat kanë nën administrim sipërfaqe pyjore (Bashkitë, ADZM-të, etj), të implementojnë gjerësisht në të ardhmen metoda të bazuara në Remote Sensing dhe GIS për vlerësimin e sipërfaqeve të dëmtuara nga zjarret. Këto metoda u shërbejnë menaxherëve/specialistëve të pyjeve në hartimin e strategjive përkatëse për rehabilitimin sa më të shpejtë të sipërfaqeve pyjore të dëmtuara dhe menaxhimin e përshtatshëm të tyre në të ardhmen. Fakulteti i Shkencave Pyjore disponon burime njerëzore të specializuara në problematikat e monitorimit të mjedisit të lidhura ngushtë me resurset pyjore, të cilët kanë eksperiencën, kapacitetet, aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të trajnuar me sukses stafin e institucioneve të sipërpërmendura jo vetëm lidhur me aplikimin e teknikave të Remote Sensing dhe GIS për vlerësimin e sipërfaqeve pyjore të dëmtuara nga zjarret por edhe për monitorimin e burimeve natyrore në përgjithësi.

 

Prof. Asoc. Edmond Pasho
Fakulteti i Shkencave Pyjore, Departamenti i Pyjeve, UBT.

Na Ndiqni në: