geralt - www.pixabay.com

Ministria e Arsimit duhet të mendojë seriozisht për mbështetjen e disa programeve të studimit, dikur të rëndësishme të Universitetit Bujqësor të Tiranës, por që vitet fundit janë tkurrur.

Prof.Dr. Fatmir Laçej

Si një pedagog në Fakultetin e Shkencave Pyjore të Universitetin Bujqësor të Tiranës dua të trajtoj një shqetësim që lidhet me pakësimin e numrit të studentëve në disa programe mësimore, dikur të rëndësishme të këtij universiteti, por që aktualisht po tkurren për shkak të mentalitetit edhe pse ato e kanë akoma funksional tregun e punës dhe janë mjaft të rëndësishme për ekonominë e vendit. Kështu, mund të përmendim në Fakultetin e Shkencave Pyjore programe mësimore që lidhën me inxhinierinë pyjore apo inxhinierinë e përpunimit të drurit; në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, programe mësimore që lidhen me prodhimin bimor (agronominë), akuakulturën dhe menaxhimin e peshkimit, etj; në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit, programe mësimore si ajo vreshtari –enologji etj. Nuk duhet të harrojmë se këto programe studimi janë të lidhura më traditën tonë dhe të ardhmen e zhvillimit ekonomik të vendit.

UBT është ndër universitetet më të vjetër të vendit dhe në nëntor të këtij viti mbush plot 70 vjet. Është një universitet mjaft i rëndësishëm dhe me ‘’emër’’ në vendin tonë, duke marrë parasysh edhe faktin që jemi një vend bujqësor i orientuar drejt një bujqësie organike dhe turizmit të natyrës. Specialistët e dalë nga ky universitet kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e bujqësisë dhe pylltarisë brenda vendit, por ata janë integruar me lehtësi dhe jashtë vendit pas viteve 90, në vendet ku kanë shkuar për arsye emigrimi. Përparësitë e Universitetit Bujqësor mund t’i rendisim si në vijm:

Traditë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor për rreth 7 dekada; Kredibilitet dhe njohje në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar; Universitet publik i akredituar me programe studimi të konsoliduara dhe të akredituara; Universitet me nivel të kënaqshëm të rankimit në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar; Universitet me staf akademik të kualifikuar, me nivel të lartë ekspertize dhe eksperiencë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në universitetet perëndimore; Universitet me programe studimi të konsoliduara dhe diploma të njohura apo lehtësisht të konvertueshme në tregun ndërkombëtar të punës etj.

Për të shpëtuar programet e studimit të lartpërmendura është mëse e vërtetë që ne si staf akademik dhe stafi ndihmës-akademik i UBT-së duhet të bëjmë pjesën që na takon, të punojmë më fort për të krijuar kushte sa më të mira mësimdhënieje dhe akomodimi për studentët e ardhshëm, por kjo nuk mjafton dhe unë kam mendimin se vetëm Ministria e Arsimit me ndihmën e qeverisë mund t’i shpëtojë këto programe mësimore, që vitet e fundit kanë patur kuota minimale të regjistrimit të studentëve. Këtë ndihmesë dhe shpëtim e shikoj nëpërmjet dy mënyrave; Mënyra e parë do të ishte që Ministria e Arsimit të ofrojë një stimul financiar nëpërmjet dhënies së bursave për studentët e programeve mësimore të lartpërmendura. Kjo për faktin së maturantët me mesatare të lartë apo të mesme, sot janë të prirur drejt degëve si mjekësia, juridiku, informatika, menaxhim biznesi (në kuadrin e ekonomikut), etj, për të cilat janë hapur dhe mjaft universitete private. Kam mendimin që aplikimi i bursave nga shteti për degët e lartpërmendura të UBT-së do të bënte që studentët t’i rikthehen këtyre degëve, që për hir të së vërtetës kanë treg pune, por për to ka edhe një mentalitet frenues. Për përparësinë e degëve të lartpërmendura mund tu referohemi konkretisht edhe shifrave që lidhen me Fakultetin e Shkencave Pyjore ku unë aderoj.

Kështu, pyjet dhe kullotat në vendin tonë zënë 65% të sipërfaqes totale të vendit, e shprehur kjo në hektarë, zë rreth 1.700.000 ha, ku vetëm pyjet zënë 46% të sipërfaqes totale, ose rreth 1.300.000 ha. Pra, kemi një sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh dhe kullotash në rang republike, që ka nevojë për specialistët e pyjeve. Gjithashtu mos të harrojmë aktivitetin e rreth 1900 bizneseve për përpunimin e drurit, nga të cilat 40% janë biznese të mëdha dhe 60% biznese të vogla, me teknologji dhe pajisje të reja në këtë sektor, biznese këto që kanë nevojë për specialistë të lartë të përpunimit të drurit. Për këto arsye është absurde që shifrat e studentëve të regjistruar janë ulur 3-4 herë më shumë gjatë dy viteve të fundit si në inxhinieri pyjore ashtu dhe në inxhinierinë e përpunimit të drurit.

Në pamundësi të aplikimit të mënyrës së parë, mënyra e dytë e zgjidhjes së problemit do të ishte ajo e uljes së mesatares së pranimit të studentëve në këto programe mësimore të rëndësishme dhe me treg të sigurtë pune, por me emra jo fort të bukur për kohën. Kjo do të ishte një mënyrë shpëtimi për këto degë, pasi më mirë të kemi disa studentë me mesatare të përzierë, me të cilët stafit akademik i del detyra të punojë më tepër, sesa të kemi fare pak studentë me mesatare të kontrolluar dhe në të ardhmen të kemi mungesë të specialistëve në këto fusha të rëndësishme. E mbështes këtë mendim dhe me një shembull nga puna kërkimore në seleksionimin e fidanëve në fidanishte, ku fillimisht ne zgjedhim për në objekt fidanët me rritje më të mirë gjatë 2-3 viteve të para, por mbjellim për krahasim edhe fidanë të tjerë që mund të kenë rritje më të pakët në vitet e para dhe më vonë mund ta kompensojnë këtë rritje, ku në disa raste këta të dytët i arrijnë dhe i kalojnë moshatarët e tyre.

Gjithashtu vlen të theksohet se shtimit të numrit të studentëve në kampusin e UBT-së dhe akomodimit të tyre në kushte sa më të mira, do t’i shërbejnë edhe ndërtimet e godinave të reja të konvikteve me kushtë cilësore, në vend të atyre të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, që aktualisht po ndërtohen në këtë kampus nga Bashkia e Tiranës dhe që shumë shpejt do të jenë të gatshme të presin studentët tanë.

 

Prof.Dr. Fatmir Laçej
Fakulteti i Shkencave Pyjore, Departamenti i Pyjeve, UBT.

 

Na Ndiqni në: