Kujdesi pas vjeljes: faktor përcaktues për ruajtjen e cilësisë së frutit të luleshtrydhes

Luleshtrydhja (Fragaria anannassa) është një nga frutat më të kultivuara dhe më të konsumuara në mbarë botën, e njohur për përmbajtje të lartë lëndëve ushqyese dhe e pasur me polifenole me aktivitet antioksidant, të njohura si promovuese tëshëndetit.

Vlerësohet gjerësisht për aromën karakteristike, ngjyrën e kuqe intensive, ëmbëlsinë, strukturën e lëngshme etj. Pas vjeljes luleshtrydhet kanë një jetë të shkurtër, e cila ndikohet nga faktorët e pas vjeljes. Për të zgjatur jetëgjatësinë e luleshtrydheve mund të përdoren teknika të ndryshme, si ruajtja në atmosferë të kontrolluar, paketimi në atmosferë të modifikuar, rrezatimi i jonizuar, paketimi aktiv, trajtimet kimike, etj.

Ngjyra është një karakteristikë sensoriale shumë e rëndësishme për pranueshmërinë e konsumatorit të frutave dhe produkteve të tyre. Ngjyra e kuqe intensive e frutit të luleshtrydhes i atribuohetpranisë së pigmenteve të antocianeve.

Në operacionet e pas vjeljes, pra gjatë përpunimit dhe ruajtjes, mund të ndodhë degradimi dhe humbja e intesitetit tëantocianeve, pasi ndikohet nga disa faktorë, si struktura kimike epigmentit, temperatura, drita, aktiviteti i enzimave, humbja e ujit, aktiviteti i ujit, kushtet e ruajtjes me lagështi relative të lartë, etj.

Për të ndihmuar në ruajtjen e ngjyrës, këshillohet që gjatë transportit dhe shitjes të bëhen trajtimet e duhura pas vjeljes, si p.sh. paraftohja e shpejtë, paketimi i përshtatshëm, ruajtja në temperaturë dhe lagështi relative optimale, etj.

Ndërsa, konsumatori para konsumit të frutave duhet t’i heqë nga kontenieri fillestar, t’i pastrojë, t’i lajë vetëm për pak minuta,duke i zhytur në një enë me ujë të pastër (mund të shtohen edhe sasi të vogla të uthullës, kripës ose sodës së bukës), vijohet me shpëlarjen me ujë të rrjedhshëm dhe tharjen plotësisht të tyre.

Konsumatori duhet të bëjë kujdes pasi një ekspozim i gjatë ndaj lagështisë, apo qëndrimi në ujë për një periudhë kohore të gjatë ndikon në çngjyrimin e sipërfaqes së frutit, për shkak tëtretshmërisë që kanë antocianet (fenole), të cilat janë pigmente vakuolare të tretshme në ujë. Përveç kësaj, favorizohet kalbëzimi apo zhvillimi i mykut.