Christopher Carson - www.unsplash.com

Probiotikët në të ushqyerit e kafshëve

Prej vitesh mbarështimi i kafshëve e sidomos i derrave dhe shpendëve po mbështetet gjithnjë e më shumë në sistemet industriale. Këto sisteme presupozojnë densitet të lartë të kafshëve, prodhimtari intensive, përmirësim gjenetik të specializuar, kushte mjedisore dhe mikroklimatike të artificializuara, ushqim të balancuar, shkëputje të hershme të të vegjëlve nga nëna etj.

Të gjithë këta faktorë ndikojnë mbi organizmin e kafshës dhe për rrjedhojë shkaktojnë shpesh gjendjen e stresit. Çdo prishje e ekuilibrit të këtyre faktorëve çon në çrregullime fiziologjike që shoqërohen me dinamikë të ulët të shtesës së peshës dhe tregues të lartë të konsumit të ushqimit, duke e predispozuar organizmin shtazor ndaj infeksioneve dhe sëmundjeve banale e patogene. Për të kufizuar apo përjashtuar ndikimin e këtyre faktorëve të intensifikimit, vitet e fundit është zgjeruar gama e përdorimit të lëndëve aditive ose atyre shtesë. Një ndër qëllimet e përdorimit të tyre në doza relativisht të vogla, është stimulimi i sistemeve fiziologjike në organizëm, në funksion të mbrojtjes së tij nga faktorët stresantë.

Në grupin e aditivëve që prodhohen dhe përdoren për këtë qëllim veçanërisht gjatë dy 10- vjeçarëve të fundit, përfshihen edhe probiotikët.

Termi “probiotik” vjen nga greqishtja, pro + bios dhe do të thotë “në favor të jetës”, i kundërt me termin antibiotik “kundër jetës”.

Ky term presupozon: “Mikroorganizma të gjalla që përdoren si shtesa ushqimore dhe që kanë ndikime pozitive për kafshën, kryesisht për shkak të ruajtjes së ekuilibrit të mikroflorës së zorrëve”.

Për efektet dhe avantazhet e përdorimit të tyre, më optimistët dhe propaganduesit kanë qenë ambientalistët dhe prodhuesit duke sfiduar kështu antibiotikët, të përdorur për një kohë të gjatë për të njëjtat qëllime. Përdorimi i probiotikëve në fermat e kafshëve e sidomos të shpendëve dhe derrave, bazohet në faktin që mikroflora e gypit tretës të këtyre kafshëve është përfshirë në mekanizmat e mbrojtjes imunitare.

Nga ana tjetër, përdorimi i probiotikëve bazohet në të dhënat shkencore sipas të cilave ato duhet të përdoren në kushte stresante dhe të disfavorshme, që tek kafshët e reja sjellin ndryshime në përbërjen ose aktivitetin e mikroflorës së gypit tretës. Suplementimi me probiotikë përpiqet të mënjanojë këto ndryshime duke stimuluar aktivitetin e mikroflorës autoktone tretëse, sidomos në rastin e kafshëve që mbarështohen në rrugë intensive.

Photo: www.lallemand.com

Rezultate dhe fakte nga eksperimentet në vendin tonë, me përdorimin e probiotikëve të kombinuar.

Suplementimi me probiotikun “Seberini suini” ka përmirësuar treguesit e rritjes dhe të harxhimit të ushqimit/ njësi të shtesës së peshës. Niveli 0,10% dhe 0,15% probiotikë në racionin ushqimor, ka rritur shtesën ditore të peshës tek gicat në mëmëzim në masën 34% dhe 18%, krahasuar me grupin e kontrollit. Suplementimi me probiotikë tek gicat pas këputjes në dozat 0,10%, 0,15% dhe 0,20% ka rritur shtesën ditore të peshës përkatësisht 4,9%, 31% dhe 34,1%.

Probiotiku “Seberini suini ” i përdorur te gicat në mëmëzim dhe pas këputjes ka përmirësuar në mënyrë të dukshme harxhimin e ushqimit/ njësi të shtesës së peshës në të gjitha nivelet e përdorimit të tij. Ky përmirësim është më i ulët në kushtet e mbarështimit ekstensiv të derrit (1,8%-7,8%), krahasuar me kushtet e mbarështimit intensiv (8,3%-33,8%).

Suplementimi me probiotikë influencon në mënyrë të dukshme pozitive mbi vitalitetin e gicave në mëmëzim dhe pas këputjes. Ky ndikim është më i dukshëm në kushtet e mbarështimit ekstensiv që shoqërohet me kushte të disfavorshme ambjentale, higjienike dhe disbalanca ushqimore.

 

Prof. Dr. Etleva Delia
Departamenti i Shkencave Zooteknike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Shto Koment

Na Ndiqni në: