Arnaud Jaegers - www.unsplash.com

Votat e komunitetit të fermerëve për qeverisjen e ardhshme në Shqipëri përballë paqartësisë së ofertës politike

Ofertat politike për zhvillimin e sektorit bujqësor ose zonës rurale janë pjesë kryesore e fushatës elektorale të kampeve politike përballë komunitetit të fermerëve, votat e të cilëve janë përcaktuese për qeverisjen e ardhshme të vendit. Si çdo grup interesi edhe fermerët presin nga politika çfarë, kur e sa do të përfitojnë nga qeverisja e ardhshme.

Ofertat politike për fermerët të përcjella nëpërmjet medias duket se janë disi të paqarta. Mund të jetë ky një problem i komunikimit apo mund të themi se politika nguron e do vazhdojë të mbetet “dorështrënguar” ndaj sektorit të bujqësisë i cili i siguron vendit rreth 20% të GDP.

Shumica e sipërmarrësve në sektorin e bujqësisë falë aksesit ndaj informacionit e dinë mirë situatën në vendet fqinje. Fermerët i bëjnë lehtë llogaritë se sa euro për hektarë ose sa euro për kokë bagëti përfiton fermeri fqinj në Prizren, Rahovec ose në Dibër të Madhe. Duke dëgjuar premtimet elektorale, llogaritë e tyre nuk dalin siç duhet, madje nuk janë të qartë në atë se ç’përfiton për xhepin personal secili prej tyre në fund të vitit. Në këtë kontekst ndoshta duhet thjeshtuar gjuha e komunikimit, të jetë më e drejtpërdrejtë, thënë ndryshe “troç fare” siç e flasin apo e kuptojnë ata, ndaj dhe skemat e subvencionit sado të shumta në numër, duhet të jenë të kuptueshme duke u mbështetur tek sipërfaqja e tokës, numri i krerëve ose produkti i fermës.

Pavarësisht specifikave që kanë fermat në Shqipëri, ato i bashkon realiteti i të qënit kultivues të tokës ose mbarështrues të kafshëve bujqësore. Përtej politikave shtetërore për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, natyrshëm, mbështetja dhe përfitimi bazik i fermerëve në Shqipëri, ashtu si edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut etj., duhet të jetë i lidhur qartësisht me mbështetjen e shtetit për sipërfaqen e kultivuar, produktin ose numrin e kafshëve që mbarështrohen. Fermerët e kanë të vështirë të kuptojnë se kush do të përfitojë dhe sa do të jetë përfitimi i tyre kur dëgjojnë se bujqësia do të mbështetet financiarisht për të rritur deri në 1 miliardë euro eksportet (premtimi i PS) ose me financime 100 milionë euro (premtimi i PD). Përfitimet nga ulja e TVSH për inputet bujqësore ose nga subvencionimi i naftës për bujqësinë nuk perceptohen si mbështetje direkte. Në shumë raste këto përfitime nuk janë propocionale për fermerët dhe skemat e zbatimit të tyre shfaqin probleme.

Fakti është se sektori i bujqësisë ka njohur rritje të mbështetjes dhe progres ndër vite. Në Shqipëri toka kultivohet me pasion dhe prodhohet ushqim me cilësi shumë të mirë nga fermat tona për tregun e brendshëm ndërsa ka eksport me një trend rritës çdo vit. Fermat “moderrne” të suksesshme për kultivimin e perimeve, pemëve frutore, agrumeve, vreshtave ose fermat blegtorale gjenden me shumicë nga veriu në jug. Dëshira për të investuar dhe punuar në zonën rurale fatmirësisht egziston, por nuk mjafton përballë konkurencës nga produktet e subvencionuara nga vendet e rajonit ose të BE.

Për të kuptuar një politikë të suksesshme për mbështetjen e bujqësisë mjafton t’i referohemi historisë së Politikës Bujqësore Europiane (Common Agricultural Policy, CAP) e cila na tregon se rruga e vetme për të zhvilluar bujqësinë është mbështetja financiare direkte për fermerin. Pas Luftës II Botërore, Europa u formësua si ‘komunitet’ me mision për të siguruar bashkëjetesën, paqen dhe mirëqënien. Vetëm pak vite pas Traktatit Themeltar të Romës (1957) në vitin 1962, vendet anëtare hartuan politikën e parë të përbashkët, Common Agricultural Policy ose CAP-in e famshëm me objektiv sigurimin e ushqimit për qytetarët përballë konkurencës në tregun global. Vetëm falë politikës mbështetëse financiare mikro-fermat europiane, jo vetëm mbijetuan por u zhvilluan dhe e kthyen Europën nga importues në një nga prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të produkteve ushqimore në rang global. Suksesi u bë i mundur sepse Europa i dedikonte bujqësisë dhe zhvillimit rural 73% të buxhetit të komunitetit deri në vitin 1985 dhe rreth 37 % të buxhetit të unionit në vitin 2017.

Politika e Përbashkët Bujqësore e BE ka qënë e qartë dhe e kuptueshme; “mbështetje direkte financiare” duke u bazuar kryesisht tek sipërfaqja, numri i krerëve ose produkti. Aktualisht, CAP është transformuar dhe vazhdon të zhvillohet në hapsirën e BE si politika më e vjetër e unionit. Suksesi i kësaj politike u bë gur themeli për politikat e tjera të përbashkëta, si ajo për lëvizjen e lirë pa viza e njohur si “Schengen” ose politika financiare për një monedhë të përbashkët (Euro).

Hungaria disa vite para anëtarësimit në BE, përbën shembullin e suksesit duke hartuar dhe zbatuar një politikë kombëtare bujqësore afatgjatë, nëpërmjet një ligji kuadër të aprovuar me konsensus në parlament. Rezultati në afat të mesëm ishte zhvillimi i sektorit dhe përmbysja brenda një dekade e bilancit negativ import/eksport nga 7:1 në 3:1.

Megjithë dëshirën dhe premtimet elektorale, problematika e sektorit bujqësor dhe rural ende nuk është renditur dhe financuar si prioritare. Mbase është koha e duhur që bujqësia të ri-prioritetizohet duke dakortësuar dhe financuar një politikë kombëtare afatgjatë (mini-CAP) të paktën deri në anëtarësimin e vendit në BE. Deri tani oferta politike për fermerët si grup interesi është e paqartë ose e pakuptueshme në nivel ferme. Ndërkohë fermerët shqiptarë janë komunitet përcaktues për qeverisjen e ardhshme. Ata po presin dhe do të dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur.

 

Prof. Dr. Seit Shallari
Përgjegjës i Departamentit të Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: