Couleur - www.pixabay.com

Sektori i agrumeve: prodhimi i mandarinave më i konsoliduari në vend

Shqipëria ka një traditë të konsoliduar në prodhimin e agrumeve (përkatësisht portokalle, limona dhe mandarina), prodhimi i të cilave është i përqëndruar në zonat bregdetare.

Rritjen më të madhe e kanë shënuar mandarinat, produkti më dominues i agrumeve (përbën 2/3 e sasisë së prodhimit të agrumeve). Prodhimi i mandarinave është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit; nga më pak se 100 Ha ose më pak se 1000 tonë në vitin 2005, në 26 000 tonë në vitin 2016 dhe mbi 30 000 në vitin 2017 ndërsa ndiqet pothuajse me të njëjtin trend rritës prodhimi i limonëve dhe portokalleve.

Si rezultat, importi i mandarinave është karakterizuar nga një tkurrje e fortë si pasojë e rritjes së prodhimit vendas (që ka kontribuuar pjesërisht në zëvendësimin e importeve). Gjithashtu, rritje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit ka pasur dhe eksporti i tyre.

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga një studim i kryer nga ekspertë të Programit të Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar (AASF), financuar dhe zhvilluar nga BERZH në bashkëpunim dhe me mbështetje nga qeveria shqiptare, i cili ka nisur në vitin 2016.

Objektivi i këtij studimi është të japë një panoramë të përgjithshme të sektorit të agrumeve në Shqipëri, duke u fokusuar tek mandarinat, duke analizuar zhvillimet e fundit dhe gjendjen aktuale dhe duke përfshirë mundësitë, kufizimet dhe vështirësitë, me fokus të veçantë në nevojat/potencialet për investime.

Ky raport studimor ofron informacione dhe rekomandime që mund të jenë të dobishme për të orientuar strategjitë e hyrjes (ndërhyrjeve) për institucionet financiare ose për përgatitjen e produkteve e shërbimeve financiare.

Ndërkaq qëllimi i këtij programi është të motivojë institucionet financiare shqiptare për të mbështetur një sektor vital të ekonomisë shqiptare me potenciale gjerësisht të pashfrytëzuara – bujqësia dhe agrobiznesi.

Për arritjen e objektivave të studimit janë marrë të dhëna dhe informacione nga burime dytësore dhe parësore; intervista gjysmë të strukturuara me aktorë të zinxhirit të vlerës dhe ekspertë të sektorit janë përdorur si burim parësor për mbledhjen e të dhënave.

Të dhënat janë analizuar duke përdorur teknika të ndryshme, ku përfshihen analiza përshkruese, analiza të trendeve (dinamike), analiza e tekstit dhe strategjia bazuar në analizën SWOT.

Kombinimi i analizës cilësore dhe sasiore kanë qenë thelbësore për të identifikuar/kuptuar tendencat, boshllëqet dhe nevojat për investime.

Në nivelin e konsoliduesve/shitësve me shumicë, institucionet financiare mund të marrin në konsideratë mbështetjen për ambientet e magazinimit; me shumë gjasë kjo është nevoja më e ngutshme për investim.

Ndonëse ruajtja në kushte frigoriferike nuk konsiderohet një nevojë e ngutshme investimi, ekspertët mbështetin mendimin se në rastin e agrumeve/mandarinave ajo është e domosdoshme.

Mandarinat mund të ruhen nga katër deri në gjashtë javë. Investimet në kapacitete magazinuese dhe ambalazhimi përbëjnë gjithashtu një mundësi të mirëfilltë financimi për institucionet financiare.

Konsoliduesit me orientim eksporti në zonën e Konispolit dhe shitësit me shumicë po planifikojnë të investojnë në magazina ambalazhimi (linja seleksionimi, klasifikimi dhe paketimi).

Kjo është veçanërisht e nevojshme në rastet kur synohet të arrihen segmente më tërheqës të tregut të eksportit, që edhe ofrojnë me çmime më të larta.

 

AASF
https://aasf.com.al/

Na Ndiqni në: