Photo Credit - www.bioone.org

Gështenja përballë një kërcënimi serioz nga paraziti grerëza galëformuese

1. Identifikimi i llojit të parazitit, analizimi i faktorëve që ndikojnë në zhvillimin e tij

Insekti (Dryocosmus kuriphilus, Yusamatsu) është një pjesëtar i rendit Hymenopthera dhe i familjes Cynipidae. Në shqip këto insekte të vogla njihen ose thirren me emrin ‘‘grerëza‘‘.

Grerëza e gështenjës konsiderohet si një ndër insektet më dëmprurëse në plantacionet e gështenjave. Një gjë e tillë pohohet nga shumë studiues, entomologë, biologë dhe inxhinierë të pylltarisë.

Insekti prek pothuajse të gjitha speciet e gështenjave të shtrira në të gjithë botën që nga Kina, Japonia, SHBA dhe në Europë, sipas të dhënave të EPPO (Organizata Europiane për Mbrojtjen e Bimëve). Po sipas këtij burimi, kjo grerëz konsiderohet dëmtuesi numër një në plantacionet e gështenjave.

Komuniteti Europian ka një direktivë që i kushtohet masave komplekse për mbrojtjen e gështenjës nga grerëza galëformuese (Dryocosmus kuriphilus). Kjo direktivë detyron çdo vend të marrë masat mbrojtëse kundër grerëzës së gështenjës.

Shenjat e dëmit

Insekti formon gungëza/gale/fryrje me madhësi 5 – 20 mm në lastarët e rinj të gështenjës. Gungëzat me kohë thahen bashkë me një pjesë të lastarit. Kur gungëzat në pemë janë me shumicë, bima prodhon më pak sepse thahen degët prodhuese dhe në prekje të rënda rrezikon edhe tharjen e një pjese të kurorës ose krejt kurorën e gështenjës.

Formimi i galeve në degëzat e reja dëmton frutifikimin. Në rastet e prekjeve të rënda, prodhimi dëmtohet deri në kufijtë 50 – 70%. Në këto raste rrezikohet edhe vetë ekzistenca e pemëve të gështenjës. Ato gradualisht shkojnë drejt tharjes. (Dixon et al, 1986).

Përshkrimi morfologjik i insektit

Insekti femër i grerëzës (D. kuriphilus) ka një madhësi 2,5 – 3 mm dhe ngjyrë të trupit të zezë. Këmbët, antenat e mandibullat janë në ngjyrë të verdhë dhe antenat kanë 14 segmente. Veza është ovale, ka ngjyrë të bardhë dhe gjatësi 0,1 – 0,2 mm. Ndërkaq larva me rritje të plotë e D. kuriphilus ka një gjatësi 2,5 mm me ngjyrë të bardhë si qumësht. Meqenëse ushqehet në brendësi të gungëzës/galës/fryerjes, larva nuk ka as këmbë dhe as sy sepse ushqimin e ka pranë në gale.

Pupa e D. kuriphilus ka një madhësi prej 2,5 mm gjatësi. Fillimisht ngjyra është e verdhë dhe më vonë para se prej saj të dalë grerëza e rritur, ngjyra e pupës është e zezë.

Në fotot e mëposhtme shihen shenjat e dëmit dhe insekti i rritur (grerëza) si dhe larvat brenda galave mbi degëzat e gështenjës.

Mënyra e jetesës (Biologjia)

Grerëza  e vogël galëformuese e gështenjës i lëshon vezët në gjethet dhe në sythat lulorë herët në verë. Vezët çelin shpejt por nuk shkaktojnë ndonjë shenjë deri në pranverën tjetër. Me shpërthimin e sythave, larvat shkaktojnë shqetësime gjatë zhvillimit duke formuar gungëza të rrumbullakta në gjethe dhe degëza. Këto gungëza jeshile shpesh kanë edhe ngjyra pjesërisht të kuqe. Brenda këtyre gungëzave ndodhet larva që ushqehet për disa javë. Pasi rritet plotësisht, larva kalon në stadin e pupës nga e cila del grerëza e rritur që përkon me periudhën e verës. Është interesant fakti se grerëzat e gështenjave janë të gjitha individë femra dhe çelin larva pa pasur nevojën e kopulimit me individët meshkuj.

2. Përcaktimi i mënyrave se si ky parazit mund të luftohet duke ofruar zgjidhje për situatën e krijuar

Mbrojtja më e suksesshme e gështenjës nga grerëza (Dryocomus kuriphilus) është kompleksi i masave mbrojtëse, ndër të cilat edhe masat agronomike.

Prerja e gungëzave/galeve të grerëzës dhe djegia e tyre është një ndër këto masa sepse galet kanë në brendësi larvat ose pupat e grerëzës. Kjo, sidomos kur janë gunga jeshile dhe të kuqe, pra të freskëta. Mbjella e fidanëve të pastër nga gungëzat/galet e prekura nga grerëza është gjithashtu një masë agronomike që duhet ndërmarrë sepse kështu përhapet infeksioni edhe në zonat e tjera. Është e rëndësishme që procesi i djegies së drurëve të gështenjës të bëhet me kujdes që të mos mbeten pa djegur grerëzat  dhe galet e grerëzës.

Ndërkaq mbrojtja kimike me insekticide është një metodë e cila nuk rekomandohet. Mbrojtja me metoda biologjike kryhet me anë të insekteve që parazitojnë mbi larvat, nimfat dhe pupat e grerëzës D. kuriphilus. Kjo është metoda më e pranuar nga të gjithë e cila ka efektivitet më të lartë dhe nuk ka rreziqe ekologjike.

Nga institucione të ndryshme shkencore botërore janë përcaktuar disa parazitë që ushqehen mbi stadet larvare të D. kuriphilus. Shumica e shkencëtarëve me studimet e tyre kanë dëshmuar se insekti i dobishëm që ka efektivitetin më të lartë në parazitimin e D. kuriphilus, është Torymus Sinensis.  Eric Gehering, Gioovanni Bosio, Ambra Quacchia dhe Marco Conedera në studimin e tyre raportojnë se paraziti (Torymus sinensis) është shumë i suksesshëm në reduktimin e popullatës së D. kuriphilus.

Kur flasim për kushtet e Shqipërisë kjo metodë mbrojtjeje duhet të kalojë në disa faza: Njohja e momenteve kryesore të biologjisë së grerëzës së gështenjës (Dryocosmus kuriphilus). Krahas kësaj duhet përpunuar metoda e vrojtimit fushor për të përcaktuar si shkallën e dëmit ashtu edhe strukturën e stadeve të zhvillimit (larvat e reja, larvat e rritura, pupat).

Kjo praktikë pune është e domosdoshme, sepse duhet gjetur koha e saktë e hedhjes së parazitit të grerëzës (Torymus sinensis) në bllokun e gështenjave. Gjithashtu duhet të përkojë stadi i larvave të grerëzës me kohën kur paraziti kërkon për të lëshuar vezët mbi këto larva. Paraziti prodhohet nga biofabrikat e disa vendeve europiane.

Është kërkesë e domosdoshme teknike që transportimi për sjelljen e entomofagut, parazitit Torymus sinensis, të realizohet me ambalazhe të standartizuara (insektarë, etj), sipas kërkesave të përcaktuara bazuar në parametrat biologjikë të Torymus sinensis. E rëndësishme gjithashtu është të garantohet specia ose ekotipi realisht aktiv ndaj grerëzës galëformuese (Dryocosmus kuriphilus) pas introduktimit në ambient të hapur, duke respektuar në mënyrë të përpiktë etiketën e biofabrikantit.

Biologjia e parazitit të grerëzës galëformuese të gështenjës (Torymus sinensis)


Insektet e parazitit (Torymus sinensis) gati për t‘u hedhur në bllokun e gështenjave

Paraziti Torymus sinensis duke lëshuar vezën në larvën e grerëzës (D. kuriphilus) që ndodhet brenda gungëzës.

3. Përcaktimi i kohës së përshtatshme për lëshimin e parazitoidit për kontrollin e dëmtuesit

Metodologjia në këtë aspekt përfshin metodën biologjike e cila kryhet me anën e insekteve që parazitojnë mbi larvat, nimfat dhe pupat e grerëzës D. kuriphilus. Kjo është metoda më e pranuar nga të gjithë, ka efektivitet më të lartë dhe nuk ka rreziqe ekologjike. Nga institucione të ndryshme shkencore botërore janë përcaktuar disa parazitë që ushqehen mbi stadet larvare të D. kuriphilus. Shumica e shkencëtarëve me studimet e tyre kanë dëshmuar se insekti i dobishëm që ka efektivitetin më të lartë në parazitimin e D. kuriphilus, është Torymus sinensis.

Vrojtimi në terren është një tjetër metodologji për përcaktimin e kohës së përshtatshme për lëshimin e parazitoidit për kontrollin e dëmtuesit. Grerëza e vogël galëformuese e gështenjës i lëshon vezët në gjethet dhe në sythat lulorë herët në verë. Vezët çelin shpejt por nuk shkaktojnë ndonjë shenjë deri në pranverën tjetër.

Me shpërthimin e sythave, larvat shkaktojnë shqetësime gjatë zhvillimit duke formuar gungëza të rrumbullakta në gjethe dhe degëza. Këto gungëza jeshile shpesh kanë edhe ngjyrë pjesërisht të kuqe. Brenda këtyre gungëzave ndodhet larva që ushqehet për disa javë. Pasi rritet plotësisht, larva kalon në stadin e pupës nga e cila del grerëza e rritur që përkon me periudhën e verës.

Nisur nga fakti që kontrolli biologjik është një formë e menaxhimit të popullatës duke përdorur organizma të gjalla kundër organizmave të gjalla dhe në rastin konkret duke përdorur grerëzën parazitoide Torymus sinensis kundër grerëzës galëformuese të gështenjës Dryocosmus kuriphilus, si një alternativë e re dhe për herë të parë në kushtet e vendit tonë, është mëse i justifikueshëm informimi paraprak i banorëve në zonën e prekur nëpëmjet trajnimeve sensibilizuese për avantazhet që paraqet kjo metodë për mbrojtjen e gështenjës nga grerëza galëformuese Dryocosmus kuriphilus.

Përdorimi i metodës biologjike të mbrojtjes së gështenjës nga grerëza D. kuriphilus me anën e parazitit (Torymus sinensis), bazohet në zbatimin e një strategjie ku efiçienca e së cilës varet nga koha e lëshimit të parazitit dhe dendësia e individëve të tij. Koha më e përshtatshme për të lëshuar parazitoidin Torymus sinensis është periudha prill – maj dhe kjo në varësi të zhvillimit vegjetativ të bimës së gështenjës.

Duhet që lëshimi i parazitoidit të realizohet në kushtet e një moti të mirë, pa erë, pa rreshje dhe veçanërisht duke shmangur mundësinë e zjarreve, të cilët ndikojnë në shkatërrimin e kolonizimit të parazitoidit (Torymus sinensis) të introduktuar si dhe në shkatërrimin e bujtësit.

Numri i individëve të cilët do të lëshohen në masivet pyjore të gështenjave ka një raport  që varion në 110/120 individë femra dhe 70/80 individë meshkuj, të cilët janë përgjegjës për një sipërfaqe prej 5000 metër katrorë ose gjysmë hektari. Duhet theksuar se për të patur një efektivitet sa më të lartë, insektet duhet të lëshohen kur gungat janë me përmasa nga 1 – 3 cm.

Vlen të theksohe se lëshimi i parazitoidëve duhet të kryhet nga një staf me eksperiencë në këtë fushë, duke zbatuar në mënyrë sa më korrekte kushtet e transportit në temperaturat e lejuara si dhe të gjithë parametrat teknike të rekomanduara nga fabrikanti. Kjo strategji kalon nëpër disa faza dhe zgjat 4 – 5 vjet por edhe më shumë.

Dryocosmos kuriphilus u shtua në 2003 në listën e veprimeve EPPO A2 dhe vendet anëtare të EPPO kanë rekomanduar që ta klasifikojnë atë si një dëmtues karantinor.

Pas listimit si parazit karantinor në EPPO, vendet anëtare të BE-së kanë marrë masat paraprake duke parandaluar importin e bimëve të gështenjës nga vendet e treta ku ky parazit është njohur të jetë hasur.

4. Identifikimi i zonës së prekur

Bazuar në punën monitoruese për evidentimin e pranisë së dëmtuesit të gështenjës Dryocosmus kuriphilus, punë e kryer mbi bazën e simptomave që shfaq prekja nga ky dëmtues, të cilat janë gungëzat/galet dhe kryer në qarqet Shkodër, Kukës dhe Tropojë, gjendja e prekjes nga dëmtuesi i lartpërmendur rezulton si më poshtë:

Tabela 1. Sipërfaqja me gështenjë dhe sipërfaqja e prekur nga D. kuriphilus në Qarkun Shkodër:

Tabela 2. Sipërfaqja me gështenjë dhe sipërfaqja e prekur nga D. kuriphilus në Qarkun Tropojë:

Edhe në qarkun e Kukësit nuk janë evidentuar prekje nga D. kuriphilus në kulturën e gështenjës. Bazuar në të dhënat e mësipërme të marra nga puna monitoruese, implementimi i metodës biologjike për kontrollin e grerëzës së gështenjës, Dryocosmus kuriphilus, mund të kryhet në qarkun e Shkodrës.

Rezultatet e pritshme

Reduktimi i popullatës së grerëzës galëformuese të gështenjës, D. kuriphilus, për një periudhë 4 – 5 vjeçare;
Mbrojtja e kulturës së gështenjës dhe reduktimi i humbjes së prodhimit nga shkaku i prekjes nga ky dëmtues;
Mospërdorimi i alternativës kimike për kontrollin e këtij dëmtuesi duke garantuar jo vetëm mbrojtjen e prodhimit por edhe ruajtjen e mjedisit.

 

Prof. Dr. Shpend Shahini
Përgjegjës i Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: