stevepb - www.pixabay.com

Pijet alkoolike dhe efekti i tyre në individët konsumatorë.

Pijet alkoolike janë të shumta dhe dallohen ndërmjet tyre nga lëndët e para të përdorura për prodhimin, kombinimet e shumta që bëhen duke shtuar ekstrakte nga bimët aromatike, trajtimet e mundshme për efekt të proceseve vjetëruese dhe përmirësuese të tyre etj.

Pijet alkoolike janë tretësira ku dominon aroma e etanolit e ndërthurur me aroma të tjera me origjinë nga lëndët e para të përdorura për prodhimin e tyre sikurse janë rrushi, frutat, drithërat dhe bimët. Spektri i aromave është me të vërtetë i gjerë dhe bëhet ftuese për konsum shpeshherë të pakontrolluar.

Etanoli është një produkt ushqimor që nuk kërkon tretje, ai vepron në shumë organe të trupit pa përdorur receptorë qelizorë, pra kalon lirisht në qelizat e trupit të njeriut pa një mekanizëm transporti. Prodhon energji më shpejt se ndonjë ushqim tjetër. Përdorimi i shpeshtë dhe i pakontrolluar i alkoolit mund të shkaktojë varësi fillimisht psikologjike dhe më pas fiziologjike nga alkooli. Sot në botë kjo është edhe një prej  problematikave më të mëdha që sjell pasoja në jetën private, familjare dhe shoqërore të individëve që konsumojnë alkool në mënyrë të vazhdueshme. Alkooli, gjithashtu është bërë i njohur si nxitës i aksidenteve dhe zënkave. Duhet theksuar se jo çdo njeri që shpërdoron alkoolin bëhet i varur prej tij fiziologjikisht, por mund të varet pas tij psikologjikisht duke e detyruar ta konsumojë vazhdimisht dhe kjo mund të çojë në probleme të njëpasnjëshme. Gjithashtu duhet theksuar se konsumi i alkoolit nuk shërben si masë për t’u mbrojtur nga infektimi prej Covid-19.

Vlen të thuhet se alkoolet e tjera të ndryshme nga etanoli ndikojnë në organizëm më negativisht se ai, pasi atyre u duhet më shumë kohë të metabolizohen dhe shpesh metabolizmi i tyre prodhon më shumë substanca toksike. Një ndër alkoolet më problematike të pijeve alkoolike është metanoli që është alkooli bazë i fraksionit të parë të distilaitit alkoolit të cilin duhet ta largojmë nga pija për konsum. Metanoli oksidohet nga enzimat e dehidratuara të alkoolit në mëlçi, duke çuar në verbëri deri në humbje jete.

Disa individë janë më të rrezikuar se të tjerat për t’u bërë të varur nga alkooli. Ky fakt  mund të përshkruhet gjenetikisht si dhe nga faktorët e mjedisit. Është gjithashtu e qartë se njerëzit pa një dobësi të dukshme mund të jenë të varur nga alkooli.

Efekti primar i alkoolit në trup është një veprim depresiv i vazhdueshëm në sistemin nervor qendror, duke nxitur veprime dhe reflekse të pakontrolluara. Gjithashtu nga ndikimi i alkoolit në funksionet e talamusit dhe hipotalamusit, individit konsumator të alkoolit i shfaqen problematika me metabolizmin e yndyrnave dhe nivelin e sheqerit në gjak. Etanoli mund të shfaqë helmim nëse merret në sasi shumë të mëdha.

Mund të thuhet se alkooli arrin të kalojë pengesën pothuajse të papërshkrueshme ndërmjet gjakut dhe trurit, duke ushtruar më pas veprimet e tij në koren cerebrale. Veprimi i tij nuk ka funksion nxitës por qetësues. Pakëson frenimet dhe rrit sigurinë, zëvendëson pakënaqësitë me zbulimet, ndrojtjen me mburrjen dhe frikën me guximin.

Gjatë konsumit të alkoolit nëpërmjet verës, pijeve alkoolike të vjetëruara dhe koktejleve të ndryshme duhet të merren parasysh sasitë e konsumit ditor. Duhet pasur parasysh se konsumi ditor i alkoolit duhet të jetë në proporcion me peshën trupore të individit konsumues. Sa më i madh konsumi ditor aq më i vështirë bëhet kontrolli i lëvizjeve pasi rritja e përqëndrimit të alkoolit në gjak shoqërohet me prekjen e zonave të caktuara të trurit që janë përgjegjëse për komunikimin, lëvizjen, gjykimin dhe kujtesën e individit konsumues të alkoolit.

 

 

Dr. Klotilda Marku
Departamenti i Teknologjisë Agroushqimore, Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT.

Na Ndiqni në: