Ndikimi i faktorëve natyrorë në ndryshimet klimatike

Ndikimi i faktorëve natyrorë në ndryshimet klimatike

Të gjithë e dimë se një nga problemet më shqetësuese dhe më të diskutuara sot, për vetë faktin se cënon në mënyrë direkte në shumë aspekte jetën në tokë, janë ndryshimet klimatike.

Ndryshimet klimatike në Tokë kanë ndodhur me cikle të caktuara gjatë gjithë historisë së planetit, përfshirë ardhjen dhe largimin e akullnajave në epokat e ndryshme. Mendohet se që kur toka është krijuar (rreth 4.6 miliardë vjet më parë), ajo ka kaluar rreth 5 epoka akullnajash.

Epoka e fundit akullnajore “Ice Age”(e cila filloi rreth 2.6 milionë vjet më parë), mendohet të jetë e para në të cilën njerëzimi është përfshirë. Gjatë kësaj epoke rritja e akullnajave është ndërprerë nga periudha të ngrohta të quajtura periudha ndër-akullnajore. Analizat e shtresës së akullit në Groenlandë zbulojnë se në epokën e fundit akullnajore kanë ndodhur disa ndryshime të shpejta të klimës, shkaktuar nga ndryshime të mëdha të temperaturës në harkun kohor të disa viteve.

Faktorët që ndikojnë në ndryshimet klimatike janë faktorët natyrorë dhe faktori njeri.

Në faktorët natyrorë kryesorë përmendim:

  • Rrymat oqeanike

Një faktor i rëndësishëm ky në krijimin e klimës globale. Bazohet në ndikimin e dy rrymave të mëdha oqeanike: rryma e Golfstreem-it dhe ajo e Atlantikut Verior në thellësi. Golfstreem-i është rrymë detare e cila krijohet në gjirin e Meksikës dhe përfundon në brigjet perëndimore të Evropës veriore. Ajo vë në lëvizje gati 20 milionë metër kub ujë në sekondë, duke shpjeguar kështu ndikimin e madh të saj. Meqë është rrymë e ngrohtë, ajo ndikon në klimën e zonave ku kalon duke e bërë kështu dimrin në Evropën veriore dhe perëndimore më të butë dhe më të lagësht sesa duhet të jetë realisht në këtë gjerësi gjeografike. Duke rrjedhur drejt veriut, si pasojë e avullimit, rritet kripësia e ujit e si rrjedhojë dhe dendësia e tij. I rëndë dhe i ftohur tashmë nga kontakti me Arktikun, uji zhytet në thellësi duke krijuar kështu rrymën e Atlantikut Verior dhe rrjedh drejt oqeanit Atlantik rreth Afrikës, në oqeanin Indian dhe atë Paqësor.

Analizat e mostrave të mara nga sedimentet detare dhe nga shtresat e akullit në Groenlandë tregojnë se gjatë epokës së fundit akullnajore, këto rryma kanë ndalur dhe rifilluar disa herë. Ngjarje të tilla kanë përkuar me ndryshime të shpejta të klimës. Nëse rrymat e përmendura më lart janë të forta, dimërat në Evropën veriore janë të lagësht dhe të butë, ndërsa kur rrymat dobësohen ose ndalojnë, dimrat janë të ftohtë e të acartë.

Një mekanizëm i cili mund të ndalojë rrymën është fluksi i shtuar i ujit të ëmbël. Me shkrirjen e akullnajave të Groenlandës dhe me shtimin e reshjeve në oqean  shtohet sasia e ujit të ëmbël. Kjo bën që të depërtojë më pak ujë i ftohtë në thellësi, pra rryma amerikane në thellësi humbet fuqinë. Simulimet kompjuterike parashikojnë një ngadalësim të rrymave me rreth 20-40 % gjatë shekullit të 21, lidhur ngushtë kjo me rritjen e përqëndrimit të gazeve serë në atmosferë.

 

  • Pllakat tektonike

Ndryshimet klimatike që ndodhin në miliona vite mund të lidhen me lëvizjen e pllakave tektonike, lidhur kjo me sasinë e CO2 të çliruar në atmosferë. Kështu, gjatë periudhave ku shpejtësia e lëvizjes së këtyre pllakave është më e madhe, një rritje e aktivitetit vullkanik çliron sasi të mëdha dioksid karboni në atmosferë, gjë që rrit efektin serë.

Por, duhet thënë se në ditët e sotme aktiviteti vullkanik emeton më pak se 1% të sasisë së CO2 që sjell aktiviteti njerëzor.

 

  • Ndryshimet në orbitën e tokës

Teoria Milankovitch u atribuon ndyshimeve klimatike ndryshimet në lëvizjen e tokës. Baza e kësaj teorie qëndron në faktin se kombinimi i tre cikleve të lëvizjes së tokës si ekscentriciteti i orbitës së Tokës rreth diellit, precesioni i boshtit të rrotullimit të Tokës, pjerrësia e boshtit të rrotullimit të saj nga rrafshi i orbitës, janë tre faktorë kryesorë që ndikojnë në sasinë e rrezatimit diellor që arrin sipërfaqen e tokës. Këta faktorë astronomikë do të ndikojnë dukshëm në ndryshimet afatgjata klimatike, siç janë epokat akullnajore dhe ndër-akullnajore.

Bazuar në këtë teori (për 100 vitet e ardhëshme), 20 vitet  e para i takojnë periudhës ndër-akullnajore (të ngrohtë) dhe 80 vitet e tjera periudhës së akullnajave (të ftohtë).

 

  • Ndryshimet në energjinë diellore

Shumë teori lidhin ndryshimet në energjinë diellore, si pasojë e aktivitetit të njollave të tij, me ndryshimet klimatike, por nuk janë vërtetuar. Matjet e energjisë diellore tregojnë një ndryshim prej 1% të saj në disa dekada. Në fakt, cikli diellor që arriti kulmin në fillim të viteve 2010 ishte më i dobëti në më shumë se 100 vjet, e megjithatë temperaturat globale vazhduan të rriten.

 

  • Parregullsitë në trajektoren e hënës

Gjatë lëvizjes së hënës vihet re se brenda një periudhe kohore prej 18 vitesh, eklipset hënore dhe diellore përsëriten në të njëjtin rend. Në mes të këtij cikli, baticat janë më ulëta dhe zbaticat më të larta. Në gjysmën tjetër të tij, nivelet e ujit bëhen më ekstreme ndërsa batica bëhet më e lartë dhe zbatica më e ulët. Kur kjo të përsëritet, në vitet 2030 efekti do jetë më shkatërrues nisur nga fakti se niveli i detit do jetë ngritur edhe më shumë.

 

Megjithëse janë faktorë të rëndësishëm, studimet tregojnë se faktorët natyrorë në kohët e sotme mund të kenë ndikuar në uljen e ngrohjes globale, ndryshe nga trendi rritës që në të vërtetë vihet re.

Momentalisht, toka është në një periudhë ndër-akullnajore dhe duke u bazuar në teorinë e Milankovitch-it ajo duhet të jetë duke u ftohur, duke ndjekur kështu një trend ftohës që ka nisur rreth 6000 vjet më parë.

Në të vërtetë, matjet dhe analizat e ndryshme kanë treguar në 120 vitet e fundit një rritje të temperaturës së sipërfaqes së tokës me rreth 10C.

Ai që po ndikon më së shumti në ndryshimin e klimës në kohët e sotme është aktiviteti njerëzor. Ky aktivitet ndikon direkt në rritjen e “efektit serë” të atmosferës dhe kësisoj në rritjen e temperaturës së tokës si rezultat i përthithjes së rrezatimit “infrared” (rrezatimit të rrezeve infra te kuqe) tokësor nga gaze të cilat ndodhen në atmosferë, të ashtuquajtura “gaze serë”.

Rolin kryesor në efektin serë e kanë avujt e ujit 60%, dioksidi i karbonit 26%, metani 7 % dhe gazet e tjera rreth 7%.

Përqëndrimet e CO2 janë rritur së tepërmi. Nivelet e dioksidit të karbonit në atmosferën e Tokës kanë arritur nivelin më të lartë në 800 mijë vjet. Kjo rritje vjen nga djegia e lëndëve djegëse fosile si edhe shpyllëzimet dhe landfill-et. Mendohet se vitet e fundit shpyllëzimet kanë rritur me rreth 15 % sasinë e CO2 në atmosferë.

Përqëndrimi i CO2 që nga viti 1800 është rritur me 40%, ndërsa sot rritet me rreth 0.5 % në vit. Në prill, përqëndrimi i CO2 në atmosferë tejkalonte mesatarisht 410 ppm (pjesë për milionë).

Nëse emetimet do vazhdojnë me rritmet e tanishme, në fund të këtij shekulli përmbajtja e dioksidit të karbonit do të arrijë 550 ppm (kujtojmë se para revolucionit industrial, rreth viteve 1800, vlera e CO2 në atmosferë ishte rreth 280 ppm, gjë që tregon efektin e emetimeve të shkaktuara nga njeriu që nga kjo periudhë).

Duhet përmendur gjithashtu se edhe rritja e përqëndrimeve të gazeve të tjera serë si metani (CH4 ), oksid azoti (N2O) e clorofluorokarburet (CFCs), kanë një ndikim të përafërt në efektin serë me atë të CO2. Nga ana tjetër, rritja e temperaturave shton avullimin e ujit, pra rrit sasinë e avujve të ujit në atmosferë duke përforcuar kështu edhe më shumë efektin serë.

Modelet matematikore, të cilat parashikojnë kushtet e ardhshme atmosferike, vlerësojnë se përqëndrimi i CO2 dhe i gazeve të tjerë serë do të vazhdojë të rritet edhe më tej. Dhe nëse kjo vazhdon me këto ritme, deri në fund të këtij shekulli sipërfaqja e tokës do të ngrohet me rreth 3 0C.

Efektet e ngrohjes globale kanë kohë që po ndihen. Të gjithë jemi dëshmitarë të anomalive të vërejtura vitet e fundit.

Kështu, sipas autoritetit amerikan të klimës, NOAA, muaji korrik i këtij viti ka qenë në mbarë botën korriku më i nxehtë që nga viti 1880, viti kur kanë filluar të bëhen regjistrimet e temperaturës.

Një grup ndërkombëtar studiuesish të klimës pranë “Ëorld Ëeather Attribution”, tregojnë se reshjet e dendura të kësaj vere ishin 3%-19% më intensive.

Këto skenarë bëhen gjithmonë e me prezentë dhe në vitin 2021 nuk shtrohet më pyetja nëse ndryshimet klimatike kanë sjellë këto pasoja, por pyetja që kërkon akoma përgjigje është se sa të mëdha janë këto pasoja.

Simulimet kompjuterike tregojnë se mbeten edhe më pak se 10 vjet që njerëzimi të ulë me mbi 90% të çlirimit aktual të gazrave serë, ose ndryshimet klimatike do të jenë të pakthyeshme dhe efektet do të jenë shkatërrimtare, deri në zhdukje të qytetërimit njerëzor.

Ne, si qytetarë të Tokës duhet të kuptojmë realisht se jemi brezi i fundit që mund të shpëtojë planetin dhe kësisoj të marrim masa të menjëhershme që fillimisht të mbrojmë veten tonë e më pas të gjithë Tokën dhe gjallesat në të.

Prof. Asoc. Alma Ahmeti

Departamenti i Fizikës dhe Shkencave të Aplikuara

Na Ndiqni në: