Pamjet e rralla të peshkut “alien” me kokën transparente

Një video e jashtëzakonshme është publikuar së fundmi nga studiuesit, e marrë nga thellësitë e detit. Një peshk me kokë transparente është kapur në kamera teksa notonte në rreth 600 metra nën ujë, pranë brigjeve të Kalifornisë. Peshku i frikshëm, me emrin shkencor “Macropinna Microstoma” jeton në këtë thellësi dhe mund të rrotullojë sytë për të parë nga brenda “ballin” e vet.

Krijesa që duket si aliene, njihet edhe si peshku fuçi. Sipas shkencëtarëve të Institutit të Akuariumit të Gjirit të Montereit, koka transparente e lejon të shohë thuajse në 360 gradë dhe të pikasë më mirë prenë e tij, që për shkak të thellësisë ku jeton, është e rrallë dhe si pasojë i duhet të shohë lart.

Sipas biologëve detarë, peshku është përshkruar dhe komentuar për herë të parë që në vitin 1939, por një video kaq e pastër e tij është publikuar vetëm javën e kaluar. Sipas studiuesve, pendët e mëdha e lejojnë të qëndrojë pa lëvizur për një kohë relativisht të gjatë, çka e ndihmon që të mos pikaset nga grabitqarët por edhe nga pretë e tij. Ushqimi i tij i preferuar janë peshqit më të vegjël dhe kandilat e detit.

Burimi: a2cnn

Na Ndiqni në: