Kreshta me jastëk pambuku, një nga dëmtuesit kryesorë të agrumeve

Çfarë është pambukorja e agrumeve?

Pambukorja e njohur me emrin shkencor Icerya purchasi, është një prej insekteve që dëmton jo vetëm agrumet por edhe drurët dekorativë si dhe mjaft të mbjella. Ndryshe quhen kreshta me jastëk pambuku, prej formimit të një “thesi pambuku” në trupin e vet, ku insekti “mëmë” depoziton vezët.

Pambukorja është e përhapur në të gjithë vendin tonë, kudo ku rriten agrume, duke u bërë një prej dëmtuesve kryesorë të plantacioneve, për shkak të dëmeve që shkakton tek këto bimë.

Ky insekt paraziton të gjitha pjesët e bimës por më tepër gjethet në pjesën e poshtme të tyre si dhe degët e reja, lastarët e madje të gjithë bimën kur rritet dendësia e popullatës. Ushqehet me limfën e bimëve ku bujtin duke sjellë pasoja të shumta për to. Numri i individëve të pambukores shtohet shumë gjatë një viti pasi gjallesa ka aftësi të japë (gjenerojë) tre brezni në vit dhe numri i individëve që dalin nga gjallesa mëmë është shumë i madh. Në vendet bregdetare lloji jep edhe 4 brezni në vit. Cikli i zhvillimit të llojit nga larvë e porsaçelur në individin e maturuar zgjat nga 3-4 muaj, e lidhur kjo me kushtet klimaterike. Ҫelja e larvave, pavarësisht se është e lidhur me faktorin temperaturë, ndodh në periudhat fund shkurti, maj – qershor dhe tetor deri në dhjetor. Gjallesa ka një cikël jetësor me tre stade (ose tre periudha zhvillimi), larva në ngjyrë portokalli, të cilat zhvishen gjatë fazave të tyre të rritjes duke lënë pas mbetje pambuku, deri në formimin e pambukores së madhe që është individi i maturuar (Figura 1).

Figura 1: Stadet e larvave të pambukores dhe stadi i maturuar (Foto. M. Alikaj,2008)

Gjallesa, e cila konsiderohet forma femër, është në fakt një lloj hermafroditi, i cili vetëfekondohet dhe si e tillë edhe individët pasardhës do të jenë forma hermafrodite. Megjithatë lloji ka dhe forma mashkullore. Këta, ndryshe nga format hermafrodite, janë insekte të pajisur me krahë dhe me antena të gjata të qimezuara (Figura 2). Ndodh që në disa raste kur shfaqen individët meshkuj, që në fakt janë shumë të rrallë, fekondimi i formave hermafrodite me meshkuj sjell si individë pasardhësit e përzierë, forma hermafrodite dhe meshkuj.

Figura 2. Insekti mashkull i Icerya purchasi

Si ushqehet Icerya purchasi?

Pambukorja e agrumeve ushqyehet me limfën e bimëve ku paraziton. Gjatë ushqyerjes insekti ekskreton (nxjerr jashtë) nga trupi i vet një substancë sheqerore në formën e mjaltit, që bëhet shkak për tërheqjen e shumë insekteve të tjera që ushqehen me këtë lëndë, por gjithashtu ndikon edhe në formimin e blozës mbi pjesët e bimëve (figura 3).

Bimët që preken nga pambukorja dhe dëmtimet që shkakton

Pambukorja e agrumeve është parazit që prek jo vetëm bimët nga ka marë emrin, por edhe bimë të tjera si: ahun, pishat, arrën, dafinën, akacien, lulediellin, ricinin si dhe mjaft bimë të tjera dekorative.

  • Ushqimi i saj me lëndët (limfën) e bimëve ul gjallërinë e tyre.
  • Bima bëhet bujtëse e një numri të madh insektesh, sidomos i milingonave, që tërhiqen prej lëndës sheqerore duke pushtuar trupin e bimëve.
  • Krijimi i blozës nga lënda sheqerore bllokon procesin e fotosintezës
  • Bimët fillojnë të zverdhin gjethet e tyre, t’i thajnë, t’i rrëzojnë derisa dëmtohen plotësisht.
  • Të gjitha këto dëmtime rezultojnë në uljen e prodhimit të agrumeve.

Luftimi i pambukores së agrumeve

Ekzistojnë disa metoda të luftimit të pambukores si:

  • Metoda biologjike. Kjo metodë është nga më efektivet, pasi bimët pastrohen prej pambukores pa u dëmtuar bima dhe prodhimi nga përdorimi i pesticideve. Nga ana tjetër është më e vështirë pasi, nëse nuk ekziston agjenti biologjik në mënyrë natyrale pranë plantacioneve është i kushtueshëm aplikimi i tyre.

Agjenti biologjik i pambukores është një insekt tjetër që quhet Rodolia cardinalis, që ushqehet me trupin e pambukores mëmë dhe vezët e saj, duke penguar në këtë mënyrë zhvillimin e mëtejshëm (fig. 3).

Figura 3: Rodolia cardinalis (agjenti biologjik), duke u ushqyer me pambukoren

  • Metoda kimike është aplikimi i substancave kimike për spërkatje të bimëve, për reduktimin e pambukores në bimët ku ka bujtur. Substancat kimike duhen aplikuar në periudha të caktuara të zhvillimit të bimës dhe të zhvillimit të Substancat kimike janë kryesisht me përbërje organofosfate si:

– Metidation C6H11N2O4PS3

– Malation C10H19O6PS2

– Chlorpyrifos C6H11Cl3NO3PS etj

 Kryesisht larvat janë ato që mund të luftohen me substanca kimike, ndërsa në fazën me thesin e pambukut luftimi bëhet më i vështirë. Nga ana tjetër këto substanca mund të aplikohen dy herë në vit: 1) Përpara çeljes së luleve tek bimët dhe 2) pasi bima ka lidhur frutat e saj.

Masa të tjera luftimi

  • Pastrimi i degëve të prekura me lecka të ashpra.
  • Prerja e degëve të prekura dhe djegia e tyre.
  • Mbledhja e mbeturinave të gjetheve, degëve të prekura dhe djegia e tyre.
  • Punimi i tokës rreth e përqark trungjeve, për të groposur mbeturinat e prekura të bimës.
  • Krasitja e rregullt për ajrimin e kurorës.
  • Spërkatje pranverore me estere të fosforit si koçifos, me dozë 0,4% ose me vajra mineralë.

 

Dr. Marsela Alikaj
Departamenti i Shkencave Agronomike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: