ybernardi - www.pixabay.com

Energjia e rinovueshme nga biomasa pyjore

Problemi i furnizimit me energji dhe ndryshimet klimatike të shkaktuara pjesërisht nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile, janë argumenta me rëndësi primare në axhendën politike dhe ekonomike të të gjitha niveleve. Burimet e energjisë të përdorura nga shoqëria njerëzore ndahen në 2 kategori; në burime të energjisë së rinovueshme ku futet biomasa (pyjore dhe bujqësore), energjia diellore, era, baticat, energjia termale dhe uji dhe në burime jo të ronivueshme ku përfshihen lëndët fosile (qymyri, nafta, gazi) dhe energjia nukleare.

Në ditët e sotme vëmendja e politikës dhe studiuesve është fokusuar në zëvendësimin e energjisë nga lëndët fosile në energji nga burime te rinovueshme. Megjithëse Shqipëria është një vend i vogël, ajo ka ndërmarrë një sërë masash në këtë drejtim duke përmirësuar jo vetëm kuadrin ligjor, por edhe duke i dhënë përparësi prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme sidomos nga uji, biomasa pyjore dhe energjia diellore.

Biomasa pyjore për prodhimin e energjisë përfshin drutë e zjarrit, mbetjet që rezultojnë nga proçesi i shfrytëzimit (maja, degë, lëvore) dhe mbetjet e proçesit të përpunimit industrial të drurit si tallash, ashkla, anie etj. Drutë e zjarrit në Shqipëri janë një burim i rëndësishëm për ngrohje dhe gatim sidomos në zonat rurale. Harmonizimi i kërkesës dhe ofertës për dru zjarri dhe lëndë punimi ka qënë dhe mbetet një sfidë për ekonominë pyjore ndër vite.

Sipas Inventarit Kombëtar të Pyjeve të vitit 2004, prerja e lejuar vjetore nga pyjet në Shqipëri llogaritet në 1.15 milionë metër kub/vit, kurse nevojat për dru zjarri dhe lëndë të rrumbullakët, llogariten në 2.75 milionë metër kub (Indufor, 2008) apo 2.48 milionë metër kub/vit sipas FAO (2017). Pra, kemi një defiçit prej 1.6 milionë metër kub në vit. Konsumatorët më të mëdhenj të lëndës drusore në vend për ngrohje, janë konsumatorët familjarë (80%), më pas vijnë institucionet publike (kopshte, shkolla etj) dhe ato private që zënë 7% ndërsa pjesa tjetër konsumohet nga industria (EESDC, 2008; INDUFOR, 2008; REC, 2015).

Nisur nga interesi për të plotësuar nevojat për ngrohje apo të industrisë dhe presioni mbi burimet pyjore ka qënë shumë i lartë duke bërë që prerja e pyjeve të jetë shumë herë më e madhe sesa mundësia vjetore e shfrytëzimit. Kjo është realizuar nëpërmjet prerjeve ilegale, ku studimet e kryera kanë treguar se rreth 60% e konsumit total të druve të zjarrit sigurohet nga këto prerje (REC, 2015). Për konsumatorët familjarë, arsyeja përse mbështeten tek drutë e zjarrit dhe jo tek burimet e tjera alternative të energjisë, është varfëria dhe kostot e larta të këtyre burimeve të energjisë. Konsumi i lartë i druve të zjarrit shkaktohet edhe për shkak të cilësisë së banesave, mungesës së termoizolimit dhe efiçencës së ulët të stufave që përdorin për ngrohje (sipas Instat 2014, janë më të vjetra se 5 vjet).

Sipas studimit më të fundit të FAO-s (2017), për konsumin e druve të zjarrit në Shqipëri, rezulton se 78% e ndërtesave nuk kanë dritare dopio xham dhe rreth 92% e ndërtesave nuk kanë termoizolim. Sipas këtij studimi konsumi mesatar i druve të zjarrit në nivel familje është 5.36 metër kub/vit dhe ky konsum ndryshon sipas zonave klimatike duke variuar nga 3.7 metër kub/vit (në zonat fushore) në 7.14 metër kub/vit (zonat malore). Konsumi vjetor i druve të zjarrit llogaritet në 2.479 milionë metër kub/vit, për të vijuar me një sasi prej 19273 ton mbetjesh drusore (nga proçesi përpunimit) dhe 1599 ton brikete që janë përdorur për djegie nga familjet shqiptare. Në Shqipëri vitet e fundit ka filluar prodhimi dhe përdorimi i peletit dhe briketeve me origjinë nga biomasa pyjore, por sipas studimeve rreth 62.5% e peletit eksportohet në Itali (Glavonjic et al., 2015).

Si përfundim, mund themi se konsumi i druve të zjarrit për ngrohje është shumë i lartë në Shqipëri megjithëse ka një diversifikim të vogël shkaktuar nga rritja e përdorimit të mbetjeve të drurit dhe produkteve të tjera si pelet apo briketë. Kjo tendencë mendohet të vazhdojë e tillë dhe një tjetër arsye është mungesa e sistemeve qëndrore të ngrohjes me gaz apo burime të tjera alternative. Në vend ka një dallim të dukshëm midis popullsisë në zonat rurale dhe urbane pasi popullsia në zonat rurale duke qënë më e varfër konsumon edhe më shumë dru zjarri për ngrohje pasi e siguron pa para (lekë) ose kundrejt një tarife minimale që paguan tek organet e qeverisjes vendore. Po kështu qeveria duhet të ndërmarrë nisma për të rritur efiçencën energjitike në banesa (në drejtim të termoizolimit) duke ofruar skema mbështetëse. Zhvillimi i plantacioneve me lloje me rritje të shpejtë me qëllim prodhimin e energjisë kryesisht nga Plepi (Populus sp.) apo edhe Paulonia (Pauloënia sp), mund të konsiderohet si një rrugë shpëtimi për të ulur presionin mbi burimet pyjore dhe për të plotësuar nevojat e popullsisë për ngrohje.

 

Prof. Dr. Elvin Toromani
Departamenti i Pyjeve, Fakultetin e Shkencave Pyjore, UBT

Na Ndiqni në: