Photo by Mike Kenneally on Unsplash

Ç’duhet të dimë për kafeinën

Kafeina është një stimulant natyral që gjendet te çaji, kafeja, tek kakao, pijet energjike etj. Në një formë apo një tjetër, mbi 80% e popullsisë së botës konsumon kafeinë çdo ditë. Kafeina ndikon në shumë mënyra në trupin e njeriut siç është për shembull stimulimi i sistemit nervor qendror (SNQ).

Një ndër efektet më të dukshme është rritja e vigjilencës dhe fakti që kafeina na bën të ndihemi më energjikë. Studime të shumta kanë treguar se njerëzit që konsumojnë rregullisht kafe kanë një rrezik më të ulët për të zhvilluar Alzhaimer dhe Parkinson.

Kafeina ndikon në sistemin e tretjes dhe ekskretimit. Ajo rrit sasinë e aciditetit në stomak dhe mund të shkaktojë irritim të tij ose urth. Kafeina e tepërt përpunohet nga mëlçia dhe del jashtë trupit të njeriut përmes urinës. Kjo është arsyeja përse disa persona mund të kenë urinim të shpeshtë menjëherë pasi kanë konsumuar një produkt që përmban kafeinë.

Personat që kanë probleme të stomakut, si refluks acid ose ulçera, duhet t’i drejtohen mjekut nëse mund të konsumojnë kafeinë.

Kafeina mund të përmirësojë humorin dhe performancën e trurit. Ndërsa bllokon prodhimin e adenozinës, një neurotransmetues që ul vigjilencën dhe stimulon gjumin, nga ana tjetër ajo nxit dopaminën dhe norepinefrinën, molekula që ndikojnë në përmirësimin e humorit dhe performancës së trurit.

Kafeina mund të përmirësojë metabolizmin dhe të nxisë humbjen e peshës. Konsumimi i sasive të vogla të kafeinës rreth një orë përpara aktivitetit fizik, mund të ndikojë pozitivisht në performancën e të ushtruarit.

Pijet me kafeinë, si kafeja apo çaji, mund të zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit të tipit 2, edhe pse kjo mund të varet nga individi.

Efekte të tjera pozitive në organizëm kanë të bëjnë me mbrojtjen e mëlçisë, uljen e rrezikut për kancer, një lëkurë më të shëndetshme apo mirëfunksionim të aparatit tretës.

Kujdes: Kafeina mund të ketë efekte anësore negative tek disa persona, duke shkaktuar ankth, shqetësim apo probleme me gjumin.

Konsumimi i 200-400 mg kafeinë në ditë, përgjithësisht konsiderohet i sigurtë. Sipas mjekëve, gratë shtatzëna duhet të kufizojnë konsumin ditor në 200 mg ose edhe më pak.

 

Burimi: interneti

Na Ndiqni në: