100 vite nga shkolla Bujqësore në Lushnjë/ Ministrja Krifca: Buxheti i 2022 do i përgjigjet nevojave të fermerit dhe tregut

Shkolla e parë Bujqësore në Shqipëri, hapur në Lushnje në tetor 1921 festoi sot 100-vjetorin e krijimit të saj. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast nga bashkia e Lushnjes, morën pjesë ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, deputetë të zonës, përfaqësues nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, specialistë të kësaj fushe dhe fermerë të shumtë.

Aktiviteti i organizuar nga bashkia e Lushnjës nën kujdesin e kryetares Eriselda Sefa, në ambientet e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore ( ish- Instituti Bujqësor), pati në thelb jo vetëm kujtesën historike mbi rëndësinë e traditës në dekada të shkollës Bujqësore, por edhe shtyrjen përpara të bashkëpunimit ndërinstuticional, me fokus ndihmën ndaj fermerit.

Kryebashkiakja e Lushnjës Eriselda Sefa në fjalën e saj vlerësoi rolin e rëndësishëm të shkollës Bujqësore në përgatitjen e kuadrove që i shërbyen ndër vite zhvillimit të sektorit bujqësor në vend.

Sefa falenderoi qeverinë shqiptare për vëmendjen e shtuar dhe angazhimin konkret për të ndihmuar fermerët më zonën e Lushnjës, vecanërisht për nismën më të fundit për subvencionimin e naftës për fermerët.

Kryebashkiakja u shpreh e bindur se bashkëpunimi me ministrinë e Bujqësisë do të jetë edhe më efikas në vazhdim, me qëllim përmirësimin e kushteve në favor të fermerëve dhe rritjen e mëtejshme të investimeve nbë këtë sektor prioritar për zonën e Myzeqesë.

Ndërkohe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca evidentoi impaktin që ndihma e qeverisë shqiptare ka pasur në sektorin bujqësor në Lushnjë dhe Divjakë duke premtuar angazhim real që ky bashkëpunim në të mirë të fermerëve të jetë konkret edhe në vazhdimësi.

Krifca tha se profesionet në bujqësi janë profesione me dinjitet ndaj ajo shprehu gatishmërinë për të punuar mbi çdo hallkë në shërbim të fermerit.

Ministrja shtoi se buxheti i vitit të ardhshëm do t’i përgjigjet nevojave të fermerëve dhe tregut.

Ndërkohë zv/Rektori i Universitetit Bujqësor Prof. Dr. Alban Ibraliu, i cili mbajti një referat për zhvillimin bujqësor në Lushnjë dhe rolin e shkollës Bujqësore në përmirësimin e kushteve të këtij sektori, e vuri theksin tek bashkëpunimi i institucioneve qeveritare me trupën akademike të Universitetit Bujqësor të Tiranës si mundësia më e mirë për të garantuar një proces zhvilimi të sigurtë të sektorit të bujqësisë. Ibraliu shtoi se Universiteti Bujqësor ka kontribuar vazhdimisht në kërkimin shkencor nëpërmjet kapaciteteve të veta intelektuale dhe do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë edhe në vijim, me qëllim nxitjen e angazhimit dhe investimeve të të gjitha hallkave për të nxitur më tej një sektor që duhet të jetë promotor zhvillimi i jetës ekonomike në vendin tonë.

Godina e shkollës Bujqësore duke ruajtur vlerat e përgatitjes dhe shërbimit për bujqësinë dhe fermerin është prej vitesh baza e punës së kërkimit aplikativ dhe të teknologjive të reja në kulturat e perimeve dhe të grurit, Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore.

Në fund të aktivitetit ministrja Krifca, kryebashkiakja Sefa dhe të pranishmit vizituan një panair me prodhuesit lushnjarë të fidanëve frutorë dhe të perimeve.

Na Ndiqni në: