PublicDomainPictures - Pixabay.com

Vrima e ozonit

Atmosfera është shtresa gazore prej rreth 200 km që mbështjell tokën. Një ndër funksionet kryesore të saj është mbajtja e një gradienti termik të tillë që bën të mundur jetën në tokë. Ndërsa në prani të atmosferës temperatura mesatare e sipërfaqes së tokës është 150C, në mungesë të saj do ishte– 18 0C, pra 33 0C më ftohtë.

Për vetë rëndësinë që ai ka, një ndër elementët përbërës më të rëndësishëm të atmosferës është ozoni.

Atmosfera përmban sasira të vogla ozoni, të pranishme kryesisht në një rajon të caktuar të saj, të quajtur stratosfera (ose ozonosfera), përqëndruar kryesisht në një lartësi 25 – 30 km. Në prani të rrezatimit të fortë ultraviolet (UV), një molekulë oksigjeni në stratosferë, duke përthithur rreze ultraviolet, ndahet në dy atome (O + O).  Atomi i oksigjenit (O) mund  të bashkëveprojë me një molekulë oksigjeni (O2) duke krijuar kështu një molekulë ozoni (O3).

Sasia e ozonit në atmosferë është e ulët. Kështu, nëse masa e ozonit vendoset në kushte standarte mbi sipërfaqen e tokës, ajo do të zinte një shtresë me trashësi prej vetëm 2 – 5 mm.

Ozoni, për gjatësi të valës më të vogla se 0.3 mm, ka koeficient përthithjeje afërsisht të barabartë me njësinë. Pra, molekulat e tij përthithin rrezatimin ultraviolet duke mbrojtur tokën nga pasojat negative të këtij rrezatimi gjë e cila çon në lloje të ndryshme të sëmundjeve (ndër të cilat përmendim rritjen e incidencës së kancerit të lëkurës dhe verbërisë për shkak të kataraktit, rënien e imunitetit të njeriut).

Në vitin 1985 u identifikua për herë të parë në Antarktidë (në pranverën e hershme të hemisferës jugore), e ashtuquajtura vrima e ozonit, që në të vërtetë është një rënie e madhe në përqindjen e ozonit në vende të caktuara në atmosferë.

Vrimat e ozonit ndodhin kryesisht në pranverën e hershme mbi  Antarktidë dhe mbi Arktik (por jo vetëm), ku ajri polar shumë i ftohtë izolohet nga modeli i qarkullimit të përgjithshëm.

Gjatë dimrave pa diell, formohen retë polare stratosferike (PSCs – Polar StratosphericClouds). Në këto re ndodhin reaksione kimike të cilat i shndërrojnë përbërjet kimike jo aktive të klorit në Cl2 molekular.

Ndërsa në pranverë, rritja e rrezatimit diellor, si rrjedhojë edhe atij ultraviolet, ndan Cl2 molekular në atomin aktiv të Cl. Bashkëveprimi me Cl e shkatërron ozonin më shpejt sesa ai formohet, duke krijuar kështu “vrimën e ozonit”.

Lëndët e para që dyshoheshin se interferonin me ciklin natyral të ozonit, ishin oksidet e azotit (NOx) të prodhuara nga aeroplanët supersonikë dhe nga prooksidi i azotit (N2O), që vjen nga djegia dhe avullimi i azotit të tokës.

Më tej u zbulua roli negativ i kloroflorokarbureve (CFC) të ndërtuara mbi bazën e Cl, F dhe C të përdorura si ftohës (freon-i) dhe si lëndë djegëse reaktive të cilat fillimisht u konsideruan si ideale sepse ishin inerte. Kjo inerci bën që të mos degradohen lehtësisht në troposferë dhe për rrjedhojë difuzojnë në stratosferë ku i nënshtrohen veprimit fotokimik të rrezatimit UV, për të gjeneruar forma më reaktive:

CFCl3 + rrezatimi elektromagnetik UV → Cl· + CFCl2

Molekula e ozonit, në bashkëveprim me klorin, reduktohet në forma më të qëndrueshme të oksigjenit:

Një atom Cl vepron me  një molekulë ozoni sipas reaksionit të mëposhtëm:

Cl· + O3→ ClO +O2

Ky monooksid i klorit vepron me një molekulë të dytë ozoni:

ClO + O3 → Cl· + 2O2

Në veçanti, efekti i CFC është i lidhur me kapacitetin shkatërrues të sasive të vogla të klorit në lidhje me sasitë e mëdha të ozonit. Klori interferon në baraspeshën fotokimike së cilës i nënshtrohet ozoni, duke e përshpejtuar shndërrimin e tij në O2 dhe mbi të gjitha, vepron si katalizator e për rrjedhojë, sasia e tij mbetet e pandryshuar. Është vlerësuar se një atom klor mund të “shkatërrojë” 100.000 molekula O3 përpara se të jetë inaktivizuar ose të kthehet në troposferë dhe qëndron në atmosferë për 75 deri në 110 vjet!

Gjatë vëzhgimeve, studiuesit regjistruan vrimën më të madhe të ozonit mbi Antarktidë, e cila arriti madhësinë e saj maksimale në vitin 2000.

Në vitin 2019, vrima e ozonit u reduktua në mënyrë të pazakontë, favorizuar edhe nga kushte meteorologjike të veçanta. Ndërsa në vitin 2020 ndodhi e kundërta. Sipas shkencëtarëve,vrima e ozonit në vitin 2020 arriti afërsisht sa zgjerimi në vitin 2018, që klasifikohet si ndër më të mëdhatë në  15 vitet e fundit. Vrima e ozonit në Arktik në vitin 2020 ishte shumë e madhe dhe e thellë dhe arriti kulmin me afërsisht tre herë me madhësinë e SHBA kontinentale.

Në vitin 2020 vrima e ozonit kishte arritur një sipërfaqe prej rreth 24 milionë kilometra katrorë në fillim të tetorit, ndërsa këtë vit ajo e ka tejkaluar shumë këtë madhësi.

Fenomeni po monitorohet nga shkencëtarët në Observatorin Evropian Atmosferik (CAMS) Copernicus, të cilët nuk përjashtojnë faktin që mund të rritet edhe më shumë në fillim të tetorit.

Shkencëtarët tregojnë se nëse ndërpritet përdorimi i substancave të cilat shkatërrojnë ozonin, do të duhen mbi 100 vjet për të mbyllur vrimat e ozonit!

Kjo gjë ngre alarmin se duhet të vazhdohet me aplikimin e rreptë të marrëveshjeve dhe protokolleve të ndryshme, të cilat ndalojnë emetimet në atmosferë të substancave kimike që e zvogëlojnë shtresën e ozonit!

 

Prof. Asoc. Alma Ahmeti
Departamenti i Fizikës dhe Shkencave të Aplikuara, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.

Na Ndiqni në: