A mjafton vetëm pasioni i fermerëve dhe inisiativa për të bërë një investim?
Trendi i fermerëve për “të riskuar” në inisiativat e tyre me investime mbi pronën, me idenë e maksimizimit të përfitimeve mbi burimet që zoterojnë, ka çuar jo rrallë herë në zgjedhje të nxituara, sidomos kur bëhet fjalë për llojin apo tipin e varietetit që ata zgjedhin për ta shtuar dhe kultivuar në një zonë të caktuar.
Ky trend, megjithëse jo në raste të konsiderueshme, bie në sy më shumë te fermerët e rinj, që në këndvështrimin e tyre të të bërit biznes, duan të eksplorojnë ide dhe përvoja të reja investimi, ndoshta të paezauruara nga brezi më i vjetër që “për hir të së vërtetës” kanë ruajtur traditën dhe pasionin ndaj tradicionales, duke qenë më të vëmendshëm ndaj llojeve bimore të përshtatura me kohë në zonë.
Kjo vihet re, jo vetëm në rastet kur ka ndryshim të destinacionit të tokës, por edhe të investimit në zgjedhjen e një lloji të ri kultivari të pakultivuar më parë në zonë.
Në rastin e bimës së ullirit, ky trend ndikohet qoftë për interesimin në rritje ndaj kësaj kulture, por edhe për shkakun se shtrirja e kultivarëve të tij, pothuaj në të gjithë territorin e vendit, krijon përshtypjen se ulliri si bimë mund të kultivohet lehtë në të gjitha tipet e tokave dhe të klimës së vendit.
Në fakt, në përcaktimin e varietetit të duhur për mbjelljen dhe ngritjen e ullishteve të reja, duhen konsideruar shumë faktorë për të patur rezultatet e pritshme të një biznesi të kënaqshëm.
Për të arritur këtë, në këndvështrim më specifik është e rëndësishme të merren në konsideratë një mori faktorësh si veçoritë pedo-klimatike të zonës (kushtet e ambientit ku do të mbillet, përbërja mekanike dhe fiziko-kimike e tokës), veçoritë biologjike të varietetit (si karakteristikat e rritjes, të prodhimtarisë, fenofazat, qëndrueshmëria ndaj faktorëve biotikë e abiotikë), destinacioni kryesor i përdorimit si edhe perspektiva e zhvillimit të zonës.
SA E RËNDËSISHME ËSHTË KONSULENCA PROFESIONALE
Në analizën e fermerit, ku prevalon arsyeja e fitimit maksimal, zgjedhja e varietetit sidomos me veçoritë e duhura biologjike, garanton një ecuri të mirë për të marrë prodhime të larta e me kosto sa më të ulët.
Një analizë e tillë, duhet gjithmonë të mbështetet nga një referencë profesionale, pasi zgjedhja e një apo disa varieteteve sidomos për të ngritur një koleksion (të një lloji apo llojeve të ndryshëm) paraqet një qasje të vështirë dhe sfidë për t’u ndërmarrë, duke konsideruar këtu dhe problematikën komplekse që e shoqëron deri në finalizimin e investimit.
Raste të evidentuara problemesh në ankesa të ndryshme të fermerëve, nga anketime në prononcime dhe investigime teknike në terren, bëjnë të duket se shpeshherë rekomandimet e specialistëve të bujqësisë apo të ekstensionistëve neglizhohen nga fermerët. Kjo ndodh sidomos kur ato me natyrë teknike paraqesin rëndësi si, sugjerimet në lidhje me përshtatshmërinë sipas zonave të kultivimit, problemet me periodicitetin e prodhimit të ullirit apo çështje të fertilitetit.
Në lidhje me këtë, konsiderimi i ullirit si bimë është fakt disi më kompleks në raport me të tjerët. Ulliri si kulturë është pjesërisht vetë fertile (bimë që vetëpllenohet pjesërisht me pjalmin e po asaj luleje ose të një luleje tjetër të të njëjtit varietet), por nuk duhet neglizhuar se pjesa më e madhe e varieteteve është vetësterile (pra bimë që kërkon për pllenim jo pjalmin e së njëjtës bimë dhe varietet, por të varieteteve të tjerë).
Në këtë këndvështrim, ulliri konsiderohet edhe bimë ndërsterile (bimë që mund të pllenohet dhe të lidhë fruta vetëm duke u pllenuar me pjalmin e disa varieteteve të caktuar me të cilët ka përputhshmëri të plotë biologjike dhe jo me çdo varietet).
Për këtë qëllim nga specialistët rekomandohen në zgjedhjen e varieteteve në koleksion pranë njëri- tjetrit psh: për kalinjotin-mixani, për kokërrmadhin e Beratit-unafka, për kokërrmadhin e Elbasanit-olivastra. Ndërsa frantoio mund të përdoret në shumë varietete si pjalmëzues i zgjedhur, e të njëjtën vlerë mund të ketë dhe ulliri i bardhë i Himarës, që ka lulëri të madhe me pjalm të bollshëm.
Për problematikën e periodicitetit dhe frutifikimit kanë interes dhe duan vëmendje edhe aspekte teknike, si ato të abortimit dhe rrëzimit të luleve, apo zgjedhja jo e përshtatshme e agroteknikës dhe metodave të trajtimit.
Në këtë konsiderim, dihet se ulliri formon një numër shumë të madh lulërish dhe lule por është e pamundur që të gjithë këto organe riprodhimi të transformohen në fruta. Shumica e luleve rrëzohen para dhe pas pllenimit, kështu që në pjekjen e plotë ulliri çon 1-5% të luleve të formuara.
Kjo, përpos karakteristikave varietore varet nga shumë faktorë si; gjendja shëndetësore e bimës (prezencë infeksionesh), agroteknika e përdorur (ndikuar në raportin e lëndëve ushqyese në limfë) si dhe kushteve klimatike. Studimet tregojnë se dështimi i luleve ndodh nga mungesa e lëndëve azotike në gjethe, sasia e paktë e limfës dhe e uji, si dhe prekja nga tenja.
Nga ana tjetër duhet konsideruar se dështimi është dhe karakteristikë varietore, ku varietete të ndryshme në kushte të njëjta paraqesin diferencë nga 10-60 % lule të rrëzuara, ndaj duhen vlerësuar në tërësi, si karakteristikat varietore përpara një zgjedhjeje, ashtu edhe aspektet e ndryshme teknike të lartpërmenduara.
VARIETETET KRYESORE NË KOLEKSIONIN FUSHOR TË VALIASIT
Të gjitha rekomandimet ndaj fermerit dhe të tjera çështje sa më sipër, trajtohen nga konsultime dhe asistenca mbi baza shkencore në studime të institucioneve kërkimore apo të ekspertëve të tjerë të fushës.
Studime të kësaj fushe aplikohen në institucione kërkimore, siç është edhe Instituti i Resurseve Gjenetike Bimore, i cili ndër të tjera zotëron koleksionin fushor të pothuaj gjithë pemëve frutore, në zonën e Valiasit, ku vetëm koleksioni i ullirit përbëhet nga 63 varitete autoktone të seleksionuara dhe grumbulluara në vite.
Depozitimi i materialit gjenetik ka filluar në vitin 2011 me 20 varitete autoktone ulliri dhe në vijim janë shtuar nga 10 varietete çdo vit, duke grumbulluar çdo formë me interes apo ekotip të spikatur në vend. Objektivi kryesor ka qenë që të eksplorohen dhe të grumbullohen larg vend- origjinës, varietetet autoktone të cilat mund të mbrohen prej dëmtimit e erozionit.
Nga ana tjetër, përveç natyrës didaktike, synohet të studiohet “sjellja e tyre” në një zonë kultivimi si Valiasi, me qëllimin e nxjerrjes së rekomandimeve për të asistuar dhe orientuar fermerët e zonës në zgjedhjen e varieteteve më të përshtatshëm.
Vlerësimi mbi shkallën e përshtatshmërisë për varietetet e ullirit, në koleksion bëhet mbi treguesit e vlerësueshëm për ecurinë e rritjes vegjetative dhe volumit të kurorës si dhe sipërfaqes frutifikuese në kushte ekstensive kultivimi. Varietetet janë studiuar për një periudhë mbi 8-vjeçare dhe në dinamikë vazhdon vlerësimi për studime specifike.
Mund të themi se nga studimet e deritanishme, varietetet në këtë zonë referimi kanë përshtatshmëri të ndryshme, ku pjesa dërrmuese paraqet performancë përshtatshmërie jo të kënaqshme deri të moderuar. Ky tregues nuk duket se është vetëm ndikim i karakteristikave biologjike të varietetit, pavarësisht se kjo në vetëvete ka peshë objektive në gjykimin real të analizës në tërësi.
Volumi i kurorës paraqitet shumë i ndryshëm ndërmjet varieteteve dhe ka amplitude të gjerë. Kurorën me volum më të madh e paraqet variteti “Pulazeqin” dhe varieteti “I bardhi i Lezhës”, ndërsa atë me volum më të vogël, variteti “unafka”. Ndërmjet kultivarëve variacioni në treguesit e rritjes vegjetative është i madh dhe kjo lidhet me karakteristikat varietore.
Në aspektin zhvillimor, perimetri i trungut të pemëve të ullirit të çdo varieteti, ka ndryshime të dukshme statistikore, ku varieteti “ulliri i kuq” ka perimetrin më të vogël, pasuar nga cv “bedin”.
Në aspektin e tolerancës së varieteteve ndaj infeksioneve të ndryshme, kushtet e zonës së Valiasit, (me një nivel të lartë lagështie ajrore sidomos në periudha me mjegull) favorizojnë prezencën e sëmundjeve kërpudhore, ku “syri i palloit” është prezent tek të gjithë varietetet.
Ajo që paraqet interes dhe vlen për t’u veçuar është fakti i varietetit “I bardhi i Lezhës”, i cili duket kryesisht rezistent ndaj kësaj semundjeje si dhe ndaj ngricave, pa anashkaluar që edhe në vlerësimin e performancës frutifikuese, dallon nga të gjithë varietet e tjerë autoktonë në zonë. Ky fakt për cv “I bardhi i Lezhës” vlen për t’u rekomanduar tek fermerët si një varietet i përshtatshëm në zonë.
Prof.As. Adriatik Çakalli
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.