Sipas një raporti vjetor për klimën nga Administrata Kombëtare Oqenanike dhe Atmosferike në SHBA (NOAA), është bërë e ditur se temperaturat në Rrethin Arktik arritën vitin e kaluar nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.
Një temperaturë prej 38C (100.4F) u regjistrua në qytetin rus Verkhoyansk në qershor 2020. Raporti i NOAA zbuloi se temperature mesatare vjetore mbi zonat tokësore në Arktik ishte 2.1C (35.8F) mbi mesataren e vitit 1981, duke e bërë atë temperaturën më të lartë të regjistruar në 121 vjet.
Eksperti për klimën dr. Robert Dunn tha se ky raport shton të gjitha provat e tjera që ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit, po prekin çdo pjesë të globit, por jo të gjtha rajonet po përjetojnë këto ndryshime me të njëjtin ritëm.
“Arktiku po vazhdon të ngrohet me një ritëm më të shpejtë se gjerësitë më të ulta (gjerësitë gjeografike), por temperature mesatare vjetore e Europës po rritet gjithashtu me shpejtësi të madhe, me pesë temperaturat më të larta vjetore të regjistruara që nga viti 2014’’-shpjegoi Dunn.
Raporti i 31-të vjetor për gjendjen e klimës gjithashtu konfirmoi se 2020 ishte ndër tre vitet më të ngrohtë në historinë e regjistrimit të këtyre të dhënave, ku në veçanti në Europë u regjistrua 1.9C (35.4F) mbi mesataren afatgjatë të periudhës 1981-2010. Ky vit ka parë edhe korrikun e dytë më të nxehtë të kontinentit ndonjëherë.
Mbretëria e Bashkuar arriti temperaturën e saj mesatare vjetore të tretë më të lartë në vitin 2020, pas 2014 dhe 2006, ndërsa kjo verë duket se do të jetë një nga më të nxehtat e regjistruara.
Raporti paralajmëroi se pavarësisht një rënieje prej 6-7% të emetimit të dioksidit të karbonit për shkak të masave kufizuese prej COVID 19, nivelet e emetimit të CO2 arritën përqëndrimet e tyre më të larta në sipërfaqen e planetit në të paktën 800 000 vitet e fundit.
“Kjo është një kujtesë e fortë se faktorët që çojnë në ndryshimin klimaterik, përcaktohen nga horizontet kohore shumë më të gjata se një vit i vetëm dhe kanë një inerci që do të kërkojë një përpjekje të konsiderueshme gjatë një periudhe shumë më të gjatë për ta ndalur atë (ndryshimin klimaterik)’’- saktësojnë ekspertët duke iu referuar të dhënave.
Autori i raportit evidenton se rritja vit pas viti në nivelet globale të dioksidit të karbonit në gjysmën e shekullit të fundit, është trefishuar duke shkaktuar temperature mbi mesataren në të gjithë botën.
Viti i trazuar 2020 gjithashtu përjetoi nivelet më të larta globale të detit, përmbajtjen mesatare më të lartë të nxehtësisë në oqean dhe ciklonet më tropikale të regjistruara ndonjëherë, thuhet në raport.
Raporti amerikan pason raportin europian për gjendjen e klimës botuar në prill dhe që zbuloi se viti 2020 ishte më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë në Europë.
Përqëndrimet e dioksidit të karbonit dhe metanit u rritën me 0.6% dhe gati 0.8% respektivisht, nivelet e tyre më të larta vjetore të paktën që prej 2003, kur nisën vëzhgimet satelitore.
Raporti zbuloi se jo vetëm viti 2020 ishte një nga tre vitet më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë, por gjashtë vitet e fundit ishin gjithashtu gjashtë më të ngrohtët.
Burimi: www.msn.com