UNIVERSITETI BUJQËSOR I TIRANËS DHE UNIVERSITETI BOKU I VJENËS, DREJT NJË BASHKËPUNIMI AFATGJATË UBT-BOKU PER REALIZIMIN E STRATEGJISË SË ZHVILLIMIT “UBT 2030’’

Universiteti Bujqësor i Tiranës me mbështetjen e qeverisë shqiptare ka filluar një bashkëpunim me universitetin prestigjioz në shkencat bujqësore, burimet natyrore dhe shkencat e jetës, University of Natural Resources and Life Sciences, BOKU (nga emërtimi në gjermanisht: Universität für Bodenkultur), Vjenë. BOKU është jo vetëm një ndër universitetet më prestigjiozë dhe me reputacion të Europës në fushat përkatëse, por spektri i fushave që mbulon në veprimtarinë e tij akademike dhe kërkimore, përkatësisht, shkencat bujqësore, burimet natyrore, shkencat e jetës, përputhen shumë mirë me profilin dhe fushën e veprimtarisë së UBT.

Në vijim të vizitës së zhvilluar në muajin korrik 2021 në BOKU Vjenë, kryesuar nga Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, më 9 dhe 10 shtator 2021, një delegacion i nivelit të lartë i kryesuar nga Rektori i BOKU, Prof. DI Dr. DDr.h.c. Hubert Hasenauer dhe disa drejtues kryesorë të fakulteteve të këtij universiteti zhvilluan një vizitë në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Gjatë takimeve të zhvilluara në ambientet e UBT, delegacioni austriak u njoh me aktivitetin dhe strukturën e UBT, programet e studimit, problematikën dhe objektivat për periudhën 2021-2030 nga drejtuesit më të lartë të universitetit Bujqësor, kryesuar nga rektori i këtij institucioni, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku.

Kjo vizitë kishte si qëllim kryesor diskutimin mbi vendosjen e një partneriteti strategjik afatgjatë midis Universitetit Bujqësor dhe Universitetit BOKU të Vjenës, për të mbështetur strategjinë e zhvillimit të Universitetit Bujqësor, “AUT-2030”, e cila do të hartohet dhe implementohet nëpërmjet bashkëpunimit me BOKU.

Objektivat kryesore të kësaj strategjie synojnë që në 2030, UBT të arrijë standartet e cilësisë për programet e studimit të njësuara me ato të BOKU ose me universitetet homologe të vendeve të BE, të realizojë kërkimin shkencor me standarte të njëjta me BOKU ose ato të universiteteve homologe të vendeve të BE dhe UBT të ngrihet në nivelin e një Qendre Rajonale Ekselence që do te udhëheqë inovacionin, transferimin e njohurive e të teknologjisë për modernizimin e bujqësisë, mbrojtjen e mjedisit, ushqimit, burimeve natyrore, me rol kryesor në procesin e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.

Çështjet kryesore të diskutuara me delegacionin austriak kishin të bënin me nevojën e ndryshimeve dhe rishikimit të programeve të studimit me synim orientimin e tyre më të mirë kah kërkesave të tregut të punës, mbështetur kryesisht në përvojën e BOKU, afrimin e disa programeve të përbashkëta të studimit kryesisht në ciklin e dytë të studimeve Master i Shkencave, binjakëzimin e disa programeve të përzgjedhura të doktoratës, shkëmbimin e studentëve të Masterit dhe Doktoratës, aplikime të përbashkëta nën lidershipin e BOKU për projekte akademike në kuadër të programit të BE Erasmus, si dhe programeve të tjera të BE, shkëmbim pedagogësh ndërmjet BOKU dhe UBT, në mënyrë të veçantë inputi i profesoratit të BOKU në module/fusha të përzgjedhura të programeve të UBT, përgatitja e cikleve të leksioneve dhe teksteve mësimore të përbashkëta me pjesëmarrjen e profesorëve të të dy universiteteve si dhe bashkëudhëheqje të tezave të Masterit të Shkencave.

Të njëjtat çështje janë diskutuar edhe në lidhje me fushën e kërkimit shkencor të tilla si: identifikimi i fushave të kërkimit me interes të përbashkët, aplikimi në shkallë të gjerë i modelit “Sandwich” në realizimin e projektit të kërkimit të doktoratës si dhe të bashkëudhëheqjes së doktorantëve të UBT ku studentët e parë do të jenë asistentët e rinj të UBT, studime në postdoktoraturë për lektorët e rinj, pjesëmarrjen e profesorëve të BOKU në juritë e doktoratave dhe ato të promovimit për titujt akademik “Prof. Asoc.” dhe “Profesor”, aplikime të përbashkëta të të dy universiteteve si dhe me partnerë të tjerë të vendit dhe të huaj për projekte kërkimore në kuadër të programeve të kërkimit shkencor të BE, programeve të tjera ndërkombëtare, si dhe marrëveshjes dypalëshe të kërkimit Shqipëri- Austri, zhvillimin e konferencave të përbashkëta shkencore, në Tiranë dhe në Vienë, botimin e punimeve shkencore në revista të përbashkëta shkencore.

Në fushën e Transferimit të Njohurive, Teknologjisë dhe Inovacionit u diskutua me kolegët austriakë ambicia drejt institucionalizimit të rolit lider të UBT në sistemin e transferimit të njohurive dhe teknologjive dhe Agricultural Knowledge and Innovation Systems (AKIS) në tërësi, në bujqësi, mjedis, ushqim, pyje dhe zhvillim rural, mbështetur edhe në modelin e Austrisë dhe vendeve të tjera, përmirësime në bashkëpunimin e UBT me aktorët e bujqësisë dhe nënsektorëve të tjerë mbështetur në modelin e BOKU dhe të Austrisë, zhvillimin e mëtejshëm të funksionit të trajnimeve dhe shërbimeve për të tretë të UBT së bashku me aspektet financiare të saj si dhe dixhitalizimi i ofertës akademike dhe përdorimi komplementar i mësimit online në procesin mësimor në të tre nivelet.

Në takim u diskutua dhe u dakordësua që BOKU do të shërbeje si një faktor tërheqës dhe koordinues për të gjithë partnerët e tjerë të huaj që do të bashkëpunojnë me UBT për aspekte të veçanta të implementimit të strategjisë ‘’UBT 2030’’. Gjithashtu BOKU do të luajë një rol kyç edhe për anëtarësimin e UBT në organizime dhe organizata ku aderojnë universitetet homologe më të mira të BE dhe të rajonit.

Gjatë vizitës së tyre dyditore në ambientet e UBT, delegacioni austriak zhvilloi takime me stafin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, Fakultetit të Shkencave Pyjore, Departamentin e Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit, ku u diskutua me konkretisht për fushat e përafërta të bashkëpunimit.

Ditën e parë të vizitës ky delegacion u prit në një darkë të veçantë nga Kryeministri i vendit z. Edi Rama, ku u theksua që UBT mbështetet me përparësi nga qeveria shqiptare si qendra kryesore e arsimimit të lartë dhe kërkimit shkencor në fushën e bujqësisë, blegtorisë, mjedisit, sigurisë ushqimore dhe zhvillimit rural në vendin tonë dhe se UBT duhet që të ndërmarrë një proces të thellë reformimi me qëllim ndërkombëtarizimin e ofertës akademike nëpërmjet njehësimit të programeve mësimore, programeve të njohura internacionalisht, ofrimit të programeve “Joint’’ ose të përbashkëta etj; ndërkombëtarizimit të kërkimit shkencor dhe studimeve të doktoratës si dhe ambicien për t’a shndërruar UBT një Qendër Ekselence dhe lider të inovacionit, zhvillimit të bujqësisë, mbrojtjes së mjedisit dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.

Ambicia kryesore e UBT-së është që t’i paraprijë sfidave të zhvillimit afatgjatë të këtyre sektorëve jo vetëm në drejtim të zhvillimit të burimeve njerëzore, por edhe me studimet shkencore, si dhe me lidershipin në gjenerimin e njohurive (know how) e teknologjive dhe transferimin e tyre në praktikë. Përgatitja e burimeve njerëzore me kualifikim të lartë është faktori kyç për zhvillimin e shpejtë dhe afatgjatë të bujqësisë dhe nënsektorëve të lidhur me të. UBT ka luajtur, mund dhe duhet të luajë edhe në të ardhmen një rol qendror në arsimimin e lartë të studentëve të trojeve shqiptare të Ballkanit në fushën e bujqësisë, mjedisit, ushqimit, pyjeve dhe zhvillimit rural.

 

Na Ndiqni në: